LAJMI I FUNDIT:

SHOFERI I TAKSISË

SHOFERI I TAKSISË

Nga: Sinclair Lewis
Përktheu: Besim J. Kokollari

Po e marr guximin të them se nuk ka njeri që merret me punë të mëdha, pa marrë parasysh se a është ai president banke, senator apo dramaturg, që s’e mban të fshehur dëshirën për pak rum të vjetër, e që jeton diku atje në një kasolle, ku e nxjerrë bukën e gojës në lloj-lloj formash sa nuk do t’ju shkonte mendja kurrë. (Po fliste kryetari i Gjykatës Supreme. S’po pretendoj të bëhem dorëzanë për teoritë apo rrëfimin e tij). Ai mund të ishte një udhërrëfyes prej Mejnit, apo një mekanik i moshuar që merrej me kuaj, apo një hanxhi dembel deri në pikën e fundit, i cili ikën vjedhurazi për të gjuajtur pata kur do të duhej t ’i pastronte dyshemetë, megjithatë njeriu i juaj pompoz prej qytetit do të sajonte mënyra që të kthehej e ta vizitonte atë për çdo vit dhe ta kalonte kohën ashtu kotë me të, madje edhe ta parapëlqente atë më shumë sesa të gjithë prijësit fjalëmëdhenj të qytetit.

Ka po aq të vërtetë, së paku, në këto gjërat e hapësirave të hapura, të cilat i lexoni nëpër reklamat e romaneve të mjegullta të perëndimit të egër. Nuk e di filozofinë e saj. Mbase do të thotë se duhet ta ruajmë thjeshtësinë, pa marrë parasysh sa jemi të lidhur me gjërat, shtëpitë dhe motorët e gratë e shtrenjta. Apo, flakja tej e tërë lojës së civilizimit.


Kjo do të nënkuptonte se njeriu i civilizuar, si duket, nuk është asgjë tjetër në shpirt veçse një endacak, të cilit i pëlqejnë më tepër këmishët e holla dhe mollëzat e dala dhe ato pjata të urryera e të palara prej kallaji karshi gjithë asaj jete të zbukuruar, të pastër e përparimtare që graria jonë na shtynë ta përvetësojmë.

Kur u diplomova në Fakultetin Juridik mendoj se isha po aq artificial dhe idiot sa shumica e të rinjve ambiciozë. Dëshiroja të ngrihesha si për nga aspekti shoqëror dhe ai financiar. Doja të bëhesha i famshëm dhe të darkoja në shtëpi të mëdha me burra që i ngjethin njerëzit e rëndomtë që s’janë të prerë për ngjarje të tilla. A po e kuptoni se nuk kisha mësuar se gjëja e vetme më e mërzitshme pas një darke plot hijeshi e edukatë ishte biseda që vinte më pas, gjersa viktimat do ta tretnin darkën për të grumbulluar energji të mjaftueshme që të mund të luanin bixhoz.

Mos ma merrni për të madhe – atëkohë isha tamam si një viç i njomë! Madje e pata planifikuar edhe një martesë të majme. Imagjinojeni se si jam ndjerë kur – pasi e kreva shkollimin dhe u bëra asistenti i pesëmbëdhjetë në avokaturën e mrekullueshme të Hodginsit, Hodgins, Berkman dhe Taupe – më caktuan jo që të përgatitja parashtresa, por thirrje të gjykatave! Si një detektiv i lirë privat! Si një oficer i fshehtë i sherifit! Më thanë që duhej ta nisja ashtu dhe, pasi i vura kapak gojës, ia fillova punës pa ndonjë qejf të madh. Më kishin nxjerrë jashtë dhomave të veshjes së aktorëve dhe, herë pas here, më kishin mposhtur, me të drejtë, plot palë të indinjuara që ishin në kontest. E mësova dhe, në të njëjtën kohë, e urreja çdo cep të fëlliqtë e të fshehtë të qytetit. Mendoja të ikja për në qytezën time, ku do të bëhesha njëherë e mirë avokat me plot gojën. Megjithatë, u kënaqa një ditë kur më dërguan rreth dyzet milje, apo diçka ashtu, në një qytet të quajtur Nju Malljën , që t’ia dërgoja thirrjen njëfarë Oliver Latkins. Ky farë Latkinsi kishte punuar në kompaninë Nordhërn Uëdz dhe i dinte disa fakte për njëfarë marrëveshje të zonave ku preheshin lëndët drusore. Na duhej si dëshmitar, e ai i kishte bërë bisht disa herë thirrjes së gjykatës.

Kur zbrita prej trenit në Nju Malljën, dëshira e madhe për fshatra të thjeshta e të mira mu zbeh prej pamjes që mu shfaq para syve, ku rrugët ishin plot baltë, shitoret e radhitura njëra pas tjetrës nuk ishin të ngjyrosura ose e kishin një ngjyrë kafeje shkel e shko e pa kurrfarë shije. Edhe pse duhej të numëronte rreth tetë ose nëntë mijë banorë, Nju Malljëni kishte po aq bërllok sa mund të gjesh në cilëndo koloni minatorësh. Sido që të jetë, në stacion mu shfaq përpara një burrë i këndshëm – shoferi i taksisë. Ishte diku në të dyzetat, me faqe të kuqe, i hareshëm, e i shëndoshë; kishte veshur pantallona me rripa dhe një xhemper pambuku që i rrinin si të ishin bërë enkas për të; ishte paksa i papastër, por dhe shumë miqësor saqë do ta kuptonit menjëherë sa shumë i pëlqenin njerëzit gjersa ua rrihte shpatullat, thjesht prej dashamirësisë së madhe që i buronte prej shpirtit.

“Dua”, i thashë, “ta gjej një djalosh me emrin Oliver Latkins”.

“Atë? E kam parë knej pari, s’ka ma shumë se nja një orë. Mjaft zor me e nxanë. Ai shkon gjithnjë pas do punëve jo fort të mira. Ndoshta po luan poker pas punishtës së Fritc Bejnkit6. Po t’veti djalo – a e ke për ngut ta gjesh këtë farë Latkinsin?”

“Po. Dëshiroj të kthehem me trenin e pasdites”. Po tregohesha aq sekret sikur të isha detektiv i stisur.

“Çka po thua. E kam një taksi. Po e marr dhe shkojmë kah të duash që ta gjejmë këtë Latkinsin. I di shumicën e vendeve ku rrinë ai ”.

Dashamirësinë që e shfaqte ishte e dëlirtë, e kështu më futi menjëherë në rrethin e vet miqësor që më bënte të ndihesha shumë mirë prej ngrohtësisë që më ofrohej. S ’ishte larg mendje se ai po bënte biznes, por mirësia e tij ishte prej së vërteti; dhe nëse do të duhej ta paguaja për taksi që ta kapja njeriun që po e kërkoja, atëherë më vinte tejet mirë që paratë do të shkonin te ky djalë i mbarë. Arrita të merresha vesh me të për dy dollarë në orë. E solli prej kasolles së tij, dy blloqe më larg, njëfarë objekti që dukej si një piano mbi rrota. Nuk ma hapi derën, dhe as që tha “gati, zotëria juaj”. Mendoj se më parë do të vdiste sesa ta quante dikë “zotëri”. Kur t’i vinte koha të shkonte te porta e parajsës, edhe Shën Pjetrin do ta quante “Pjetër” dhe se kjo, po imagjinoj, do t’i pëlqente shenjtit tonë të mirë. Më tha: “Pra, djalosh, ja ku e ke tërë ekuipazhin në shërbim tuajin”, dhe me ngërdheshjen e tij – e po, më bëri të ndihem se kam qenë gjithmonë fqinji i tij. Sa të gatshëm janë këta fshatarë që t ’u ndihmojnë të huajve. Tashmë ia kishte vënë vetes për detyrë që ta gjente për mua Oliver Latkinsin.

Më tha, me një fije droje: “Shiko djalo, s’dua t’i fus hundët në punët e tua, por po ma merr mendja se të ka farë borxhi ky Latkinsi – kurrë s’ia kthen paratë ndokujt ai, asnjë cent të vetëm. Ende m’i ka gjashtë copa prej një loje me poker, se u pata ba budallë të luaj me të. S ’është i sojit të keq, asi jahuje , por e ka prej natyre që mos t’ua japë të tjerëve paratë e fituara. Pra, nëse po përpiqesh që t ’ia marrësh borxhin, është ma mirë që, si ta them, t’i afrohemi me kujdes e ta fusim brenda rrethit. Nëse i pyet të tjerët për të – secili do ta kuptojë që je prej qyteti me atë kapelën tënde fedora e ai mund të dyshojë dhe të ikë pa u vërejtur. Nëse do, shkojmë te punishtja e Fritc Bejnkit e të shohim nëse është aty, ndërsa ti ruama shpinën”.

Më pëlqente ai për këtë. Po të isha vetë nuk do ta gjeja kurrë Latkinsin. Ndërsa tash më dukej vetja si ushtri me trupa rezervë. Pa pritur e pa u kujtuar më gjatë, i tregova që doja t’ia dërgoja Latkinsit një thirrje për t’u paraqitur në gjykatë; dhe se kishte refuzuar që të dëshmonte në një padi ku dija e tij për një bisedë të caktuar do të sqaronte gjithçka. Shoferi më dëgjonte me kujdes të madh dhe, meqë ende isha i ri në moshë, isha tejet mirënjohës që dikush në të dyzetat po më dëgjonte me një vëmendje të tillë. Me të kryer, ai m ’i rrahu shpatullat (mjaft fort) dhe qeshi më vete: “Epo, t’ia bëjmë një befasi të vogël bacës Latkins”.

“Shkojmë, shofer”.

“Shumica e njerëzve këtupari më quajnë Bill. Ose Magnuson. Uilliam Magnuson , që ofron shërbime të transportit e të dërgesave”.

“Në rregull, Bill. A të shkojmë te kjo punishtja – te Bejnki?”

“Po, mund të jetë atje, apo diku afër atypari. Luan poker shumë dhe e ka zanat të vejë baste të mëdha edhe kur s’i ka mirë punët. Dreqi e marrtë sa i zoti është! ” Billi dukej se e adhuronte aftësinë e z. Latkins si faqezi që ishte. Fantazoja se po të kishte qenë ai sherif do ta kapte Latkinsin dhe do ta varte me qejf të madh.

Zbritëm dhe hymë te punishtja, që ishte paksa e zymtë. I vinte era lëkurë e regjur. Një burrë trupshkurtër, supozoj të ishte z. Bejnki, po ia shiste një fermeri një jakë të kalit.

“A e ke parë bacën Latkins sot këndejpari? Po e lyp një mik i tij”, e pyeti Billi me një zhdërvjelltësi paska bishtnuese.

Vështrimi i Bejnkit kaloi përtej tij e ra mbi mua. Ngurroi pak dhe pohoi: “Po, ishte këtu pak më parë. Ma merr mendja se ka shkuar te rrojtorja Suedezi për t’u rruar”.

“E po, nëse kthehet te ti, i thua që po e kërkojmë. Mund t’ketë shkuar për të luajtur poker. Kam dëgjuar të thonë se Latkinsi merret me këto lojëra të pamoralshme të fatit”.

“Po, njihet se rri shumë te Autorët”, ia ktheu Bejnki.

Shkuam te rrojtorja Suedezi. Billi përsëri na priu, ndërsa unë qëndrova te dera. Jo që e pyeti suedezin, por edhe dy klientët e tij nëse e kishin parë Latkinsin. Suedezi nuk e kishte parë fare, ia ktheu me zemërim: “S’e kam parë e as që dua ta shoh por, nëse e gjen ti, i thua të m’i kthejë një dollar e tridhjetë e pesë centët që m’i ka borxh”. Njërit klient iu kujtua se e kishte parë Latkinsin “duke shkuar teposhtë rrugës kryesore, në anën e hotelit ”.

“E po, atëherë”, Billi po më fliste derisa po hipnim në taksinë e tij, “meqë e ka humbur besimin te suedezi, ndoshta po rruhet te Hajne Grej.10 Është tepër dembel për t’u rruar vetë ai”. Te rrojtorja Grej s’arritëm ta zëmë Latkinsin për vetëm pesë minuta. Sapo kishte dalë, mbase për të shkuar që të luante bilardo. Aty duket se kishte blerë vetëm një pako me cigare dhe ishte larguar. Andaj, për rreth një orë e ndoqëm, gjithmonë pak më mbrapa, por asnjëherë ta arrinim ta zinim, deri pas orës një kur më mori uria. Si i lindur në fshat që isha, dhe meqë në qytet nuk rastiste të dëgjoja për dikë kaq të mençur që vinte prej fshatit, po kënaqesha me mendimet cinike të Billit për berberët, klerikët, mjekët dhe shpërndarësit e birrës të Nju Malljënit saqë pak më interesonte se a do ta gjeja Latkinsin apo jo.

“Çfarë po thua, a të hamë diçka?”, i sugjerova. “Të shkojmë te një restorant, e do ta paguaj edhe drekën tënde”.

“E po më duhet të shkoj në shtëpi te plaka ime. Nuk brengosem fort për këto restorantet. Janë katër sosh këtupari dhe të gjitha janë si mos më keq. Të ta them se çfarë do të bëjmë. Të pëlqejnë pamjet e bukura? Prej kodrinës së Uejdit mund ta shohim një pamje tejet elegante. Do t’i kërkoj gruas sime që t’na përgatitë drekën – s’do t’ju marr më shumë se një gjysmë dollari, po kaq do t ’ju kushtonte po të shkonit në ndonjë kafe, e cila do t’ju shërbente ushqim jo të shëndetshëm – ndërsa ne do të shkojmë atje sikur të ishim në një piknik shkolle në një të shtunë të bukur”.

E dija që miku im Billi nuk ishte krejtësisht i pasherr; e dija që mikpritja e tij për djalin nga qyteti s’ishte krejtësisht çështje e dashurisë vëllazërore. Po e paguaja për kohën që kalonte me mua. Në përgjithësi e pagova për gjashtë orë (përfshirë edhe orën e drekës) që s ’ishte një çmim fare i ulët për atë kohë. Megjithatë, as unë s ’isha më i ndershëm se ai, meqë të gjitha shpenzimet do t ’ia lija firmës që t’i mbulonte dhe, në fund të fundit, ia vlente ta paguaja për praninë e tij edhe prej vetë xhepit tim.

Gjakftohtësia që e kishte dhe mençuria e tij e natyrshme më sillte freski. Gjersa po rrinim në majë të kodrinës dhe po shikonim përtej plantacioneve me pemë, ku një përrua përshkonte mespërmes shelgjeve, ai s’ndalej duke folur për Nju Malljënin, duke e përshkruar atë sikur të ishte një galeri me plot portrete. Ishte sa cinik edhe i butë. Asgjë s ’i ikte, megjithatë s’kishte ndonjë gjë – pa marrë parasysh se me sa ironi ta përqeshte – që s’e kuptonte dhe që s’e falte. Me ngjyrë si gjaku i kuq e pikturoi fytyrën e gruas së famullitarit, e cila, kur ndihej borxhlike, këndonte me zë tejet të lartë gjatë kongregacionit, e që ai e quante këtë “peshkopatë”. Komentoi edhe për djemtë që ktheheshin nga kolegji në shtëpi me “pantallona ngjyra-ngjyra”, edhe për avokatin që, pasi ishte zënë me vjet me gruan, e vishte ose këmishën e linjtë ose kravatën, por asnjëherë të dyja. U jepte gjallëri atyre. Atë ditë arrita ta njoh Nju Malljënin më mirë sesa qytetin dhe ta doja edhe më tepër.

Edhe nëse Billi ishte injorant sa iu përket universiteteve dhe mënyrës urbane të jetesës, megjithatë ai e kishte një botë të tërë me përvojë. Kishte punuar në grupet e seksioneve të hekurudhës, në ara, në kampe të kontraktuesve dhe prej aventurave të tij e kishte fituar filozofinë e të qenit i thjeshtë dhe i qeshur. Më bëri më të fortë. Tani, kur e kujtoj Billin, e di çka mendojnë njerëzit (edhe pse e urrej atë frazë intriguese) kur thonë se “ai është një burrë i burrave”.

E lamë plantacionin të qetë dhe u vumë sërish në kërkim të Oliver Latkinsit. Nuk mundëm ta gjenim. Në fund Billi e skajoi një shok të Latkinsit dhe e shtyu ta pranonte se “Oliveri mund të kishte shkuar te ferma e nënës së vet, diku tri milje në veri ”.

Shkuam atje, me një strategji të përsosur.

“E njoh nënën e Oliverit. Është terrori vetë. Është ciklon”, psherëtiu Billi. “Ia pata marrë njëherë një trung dhe pothuajse ma rropi lëkurën se nuk e kisha trajtuar si duhet atë. Është gati tri metra e gjatë dhe një metër e trashë, e shpejtë si mace, dhe se e flet me standard anglishten. Vë bast se Oliveri e ka marrë vesh se dikush është kah e ndjekë, andaj ka shkuar që të fshihet pas fustanit të nënës së vet. Do të përpiqemi ta frikësojmë. Por, ma mirë t’ma lësh mua këtë punë, djalo. Mund të jesh i mirë në latinishte e gjeografi, por s’je i mirë për me sha”.

Hymë në oborrin e një ferme të varfër. Na doli përballë një plakë trupmadhe dhe e hareshme. Mbrojtësi im trupngjeshur qëndroi para saj me një fytyrë të ngërdheshur. “A të kujtohem? Jam Bill Magnusoni, shoferi i taksisë. Dua të flas me djalin tënd, Oliverin. Një mik i imi nga qyteti e ka një dhuratë për të”.

“Nuk di gjë për Oliverin, dhe as që dua të di ”, rënkoi me të madhe.

“Tani më shiko mirë. Kemi kaluar shumë kohë së koti. Ky djalosh vjen nga vetë zyra e prokurorit të përgjithshëm dhe e kemi lejen për ta kontrolluar të gjithë pronën për personin me emrin Oliver Latkins ”.

Billi e bëri që të dukej si diçka e tmerrshme dhe duket se kjo i bëri përshtypje Amazonës.11 U kthye në kuzhinë e qetë, ndërsa ne i shkuam pas. Nga dollapi i vjetër e kapi ujtinë, e cila kishte marrë ngjyrë të errët argjendi prej nxehtësisë së viteve dhe u drejtua kah ne duke ulëritur: “Kërkoni çfarë të doni, por kujdes se mos po digjeni prej gacave të qymyrit!”, rënkoi, shfreu e u zgërdhi gjersa po largoheshim me nervozizëm.

“Të ikim. Do t’na vras”, psherëtiu Billi, dhe kur dolëm jashtë, më tha: “A e vërejte se si zgërdhihej? Po dëfrehej me ne. Si mund t ’i ruash nervat?

U pajtova se ishte shkelje.

Megjithatë, e kryem kërkimin tonë. Kasollja kishte vetëm një kat. Billi i shkoi përreth, duke shikuar vjedhurazi nëpër të gjitha dritaret. I kontrolluam plemen dhe ahurin dhe u siguruam që Latkinsi s’ishte aty. Po afrohej koha që të shkoja te treni dhe Billi më dërgoi në stacion. Gjatë rrugës për në qytet krejt pak po shqetësohesha se kisha dështuar ta gjeja Latkinsin. Isha i përhumbur në mendimet e Bill Magnusonit. Në të vërtetë, po e shqyrtoja mundësinë që të kthehesha në Nju Malljën për ta praktikuar profesionin e avokatit. Meqë doli që Billi është aq i pasur si njeri dhe me mendje të ndritur, medoemos se do t’i doja edhe Fritc Bejnkinin e suedezin, dhe qindra fqinjë të tjerë që flisnin ngadalë, thjesht dhe me plot mençuri. E pashë një jetë të çiltër dhe të lumtur përtej mësimeve të firmave universitare të avokaturës. Isha i gëzuar si dikush që e kishte gjetur thesarin.

Por, edhe nëse unë nuk do të merresha më shumë me Latkinsin, natyrisht që zyra ime ishte e interesuar për të. Të nesërmen në mëngjes i gjeta në një gjendje të palakmueshme. Padia ishte gati për në gjykatë. Duhej ta kishin Latkinsin aty; më shihni si budalla dhe plot turp. Karrierës sime të famshme pothuaj i erdh fundi në atë mëngjes. Shefi nuk la gjë pa thënë e gur pa rrotulluar; pak a shumë ma bëri me dije se do të bëja mirë të largohesha e të hapja kanale. Më urdhëruan të kthehesha menjëherë në Nju Malljën, veçse ma dhanë me vete një ish-nëpunës druvar që e njihte Latkinsin. Më vinte keq se nuk do të mund të udhëtoja bashkë me mendimet e mrekullueshme të Bill Magnusonit.

Kur arriti treni në Nju Malljën, Billi po qëndronte në platformën e stacionit, afër automjetit të vet. Ajo që ma zgjoi kureshtjen ishte se plaka dragua, nëna e Latkinsit, ishte duke biseduar me të dhe, për habi, nuk po ziheshin fare mes vete, porse po qeshnin me zë.

Që t’i shihte ish-nëpunësi që më shoqëronte, bëra me gisht kah ta që prej shkallëve të vagonit të trenit dhe me një zë rinor plot adhurim i thashë me të butë: “Ai atje është një burrë i mirë, një burrë prej së vërteti”.

“A je takuar me të këtu dje?” më pyeti ish-nëpunësi.

“More, e kalova tërë ditën me të”.

“A të ka ndihmuar me e gjet Oliver Latkinsin?”

“Po, më ka ndihmuar shumë”.

“Natyrisht se të ka ndihmuar! Ai është Latkinsi dora vetë! ”

Por ajo që ishte më e dhimbshme për mua qe se kur ia dorëzova thirrjen për në gjykatë, Latkinsi dhe nëna e tij ia plasën gazit sikur të isha ndonjë shtatëvjeçar dhe mu përgjëruan ta vizitoja një fqinjin e tyre për një kafe.

“U kam treguar për ty dhe po vdesin që të të shohin”, më tha Latkinsi, i pushtuar prej një ndjenje ngazëllimi. “Janë pothuajse njerëzit e vetëm në këtë qytezë që nuk të kanë takuar dje”. /Revista “Akademia”/