Shkroi emrin në historinë e Suharekës: Mevlan Zeka flet për startin e fuqishëm, objektivat personal dhe ato me klubin

Suhareka këtë vit është ngjitur në elitën e futbollist kosovar dhe nisja e tyre ka qenë e shkëlqyer. Një barazim pa gola me Prishtinën në “Fadil Vokrri”, pastaj një fitore e pastër ndaj Dukagjinit me rezultat 3-1. Pa dyshim që lojtari kryesor në këtë dy ndeshje ka qenë kapiteni, Mevlan Zeka, i cili në ndeshjen e fundit arriti të shënojë dy gola, duke qenë pa dyshim ylli i javës së dytë.

“Po e kemi nisur shumë mirë edicionin e ri 2024/25 në Superligë. Jemi përgatitur shumë mirë me skuadrën në Bullgari dhe Maqedoni, sepse gjithë e dimë që Superliga ka më shumë ndeshje dhe rivalitet më të fort. Fokusi duhet te jetë 100 qind në çdo ndeshje. E kam pritur këtë start, sepse mundi dhe sakrifica gjithmonë dhe padyshim që shpërblehen”, ka thënë fillimisht Zeka.
Sulmuesi këmbëshpejtë për vite me radhë ka qenë emër i njohur i elitës së futbollit kosovar, duke bartur fanëllen e klubeve si Ballkani, Gjilani, Feronikeli, Liria e Vëllaznimi, ndërsa vitin e shkuar vendosi të kalojë te një klub sapo i krijuar, për ta ndihmuar të ngjitet në elitë. Ai u bë pastaj pjesë e historisë së këtij klubi, duke shënuar në Ligën e Parë, po ashtu edhe në Superligën e Kosovës, golin e parë të këtij klubi.

"Jam i lumtur që jam pjesë e historisë të një klubi të ri . Kam shënuar golin e parë në Ligën e Parë dhe golin e parë të Superliges . Te jesh pjesë e historisë të një klubi është gjë pozitive dhe historike”, nënvizoi sulmuesi gjakovar. Ai tutje foli për objektivat personal, por edhe të klubit për këtë sezon.
























































