LAJMI I FUNDIT:

Shtrenjtohet nafta në Kosovë, shkon në 1.75 euro

Shtrenjtohet nafta në Kosovë, shkon në 1.75 euro

Çmimi i litrës së naftës këtë të martë në Kosovë ka arritur në 1.75 euro.

Përveç naftës, rritje të çmimit ka pësuar edhe benzina, një litër e së cilës tashmë kushton 1.77 euro.


Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, Fadil Berjani nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, i cili ka thënë se këto çmime janë të larta për gjendjen ekonomike të qytetarëve.

Berjani: Këtë javë pritet rritje e lehtë e çmimit të derivateve
Lexo po ashtu Berjani: Këtë javë pritet rritje e lehtë e çmimit të derivateve

I pyetur se a pritet që këto çmime të rriten edhe më tej gjatë kësaj jave, Berjani tha se nuk mund të paralajmërojë asgjë pasi “ka lëvizje të mëdha në Berzën Ndërkombëtare”.

“Çmimet janë të larta për gjendjen ekonomike të cilën e kanë qytetarët tanë. Por, rritja e çmimit të derivateve është duke ndodhur në tërë globin e jo vetëm te ne”, u shpreh ai.

Tutje, tha se qytetarët duhet ta kuptojnë se rritjen e çmimeve e dikton Berza.

“Dhe kjo po ndodhë në tërë botën. Stabilizim të tregut do të kemi pasi të përfundojë lufta e Rusisë në Ukrainë”.

Javën e kaluar, Berjani pati paralajmëruar se do të ketë “rritje të lehtë” të çmimit të derivateve.

Para kësaj rritje, çmimet e derivateve ishin: dizelli 1.65 euro, kurse benzina 1.66 euro.

Rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës në Kosovë ka shënuar nivelin më të lartë në 20 vjetët e fundit, sipas Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.

Për shkak të lëvizjes së shpeshtë të çmimeve, ka pasur dyshime se naftëtarët po i kurdisin çmimet.

Kurdisja e çmimeve ose marrëveshja për nivelizimin e çmimeve, është e ndaluar me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës në Kosovë.

Për mbikëqyrjen e fenomeneve të tilla, institucion kompetent është Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, i cili ka rreth 11 muaj që nuk është funksional dhe kjo për shkak të mungesës së Komisionit Kosovar të Konkurrencës. /Telegrafi/