Shkëndije Himaj është kandidatja më e vlerësuar nga Ambasada britanike në intervistën e realizuar në kuadër të pozitës për guvernatore të Bankës Qendrore të Kosovës.

Kështu thuhet në dokumentin e siguruar nga Telegrafi, ku thuhet se Himaj ka marrë 32 pikë nga 40 pikët e mundshme.


Katër pikë më pak ka marrë kandidati Ahmet Ismaili, pra 28 pikë, në vend të tretë është Nexhat Kryeziu me 27.5 pikë.

Kandidati Genc Rraci është vlerësuar me 24.5 pikë, e që pas tij vjen Lulzim Ismajli me 24 pikë, ndërsa më pak pikë ka marr guvernatori aktual Fehmi Mehmeti, pra 23.5 pikë.

Komisioni vlerësues ishte i përbërë nga Flamur Mrasori, Nora Latifi - Jashari dhe Bashkim Nurboja.

uk emb shh tlg

Himaj ka 25 vjet përvojë pune në Kanada dhe Kosovë, prej të cilave 18 vjetë në BQK, duke mbajtur pozita të larta dhe bartëse e disa proceseve për BQK-në dhe institucioneve të tjera të sektorit financiar në vend. Ka qenë ligjëruese dhe është doktorante në Universitetin e Lubjanës në Departamentin e Bankave dhe Financave.

Paneli për përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën e guvernatorit e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ka përcaktuar listën e ngushtë të kandidatëve për ta dërguar në Kuvendin e Kosovës.

Sipas njoftimit të BQK-së, Shkëndije Himaj, Ahmet Ismaili, Nexhat Kryeziu dhe Lulzim Ismajli janë ata që do ta pretendojnë pozitën e guvernatorit.

“Mbështetur në Ligjin për Bankën Qendrore të Kosovës, si dhe në kriteret e përcaktuara në konkursin për plotësimin e pozitës së guvernatorit/es të Bankës Qendrore të Kosovës, Paneli për përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën si më sipër, ka përcaktuar listën e kandidatëve për ta dërguar në Kuvendin e Kosovës, si në vijim: Ahmet Ismaili, Lulzim Ismajli, Nexhat Kryeziu dhe Shkëndije Himaj”, njofton BQK-ja, përcjell Telegrafi.

“Pas përfundimit të veprimeve procedurale të parapara me aktet juridike në fuqi lidhur me kandidatët e cekur më lartë, propozimi (lista e kandidatëve) do të procedohet sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Kosovës”, thekson njoftimi.

Kompetencat për përzgjedhjen e guvernatorit i takojnë Kuvendit të Kosovës.

Sipas shpalljes që ishte bërë nga BQK-ja, emërimi do të jetë për një mandat pesë vjeçar duke filluar më 29 mars 2023 ose në datën e emërimit. /Telegrafi/