Tetovarët mposhtin Tikvešin 2–0 dhe avancojnë mes 16 më të mirëve, njofton Telegrafi.

Shkëndija e ka kryer me sukses detyrën duke triumfuar ndaj Tikveshit me rezultat 2–0, në ndeshjen e vlefshme për raundin e 1/16 së finales të Kupës së Maqedonisë. Kuqezinjtë shënuan nga një gol në secilin pjesëlojë dhe siguruan kualifikimin në mesin e 16 ekipeve më të mira të garës.


Skuadra e Jeton Beqirit e zhvilloi duelin e shtyrë sipas planit. Shkëndija pati iniciativë gjatë gjithë ndeshjes, krijoi disa raste të pastra, ndërsa dy prej tyre i shndërroi në gola.

Pjesa e parë ishte e balancuar sa i përket rasteve. Portieri i Shkëndijës, Astrit Amzai, dhe ai i Tikveshit, Tasev, reaguan me pritje vendimtare. Ivan Ivanovski kërcënoi për mysafirët, ndërsa për Shkëndijën provoi Endrit Krasniqi.

Kur pritej që skuadrat të shkonin në pushim pa gola, Adamu Alhassan realizoi një supergol nga distanca, duke dërguar “bombën” e tij në rrjetën e Tikveshit për 1–0 në favor të Shkëndijës.

Edhe pjesa e dytë solli raste në të dyja portat dhe lojë aktive, por goli i sigurisë erdhi vetëm në minutat e fundit. Besart Ibraimi asistoi në mënyrë perfekte, ndërsa Athe Mazari finalizoi saktë për rezultatin përfundimtar 2–0.

Me këtë fitore, Shkëndija vazhdon rrugëtimin e saj në Kupë duke synuar fazat e fundit të garës. /Telegrafi/

telegrafi sport app