Shkëndija dhe Bashkimi “pushtojnë” Shkupin

Java e dytë e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut solli fitore të dyfishta për skuadrat shqiptare, Shkëndijën dhe Bashkimin, të cilat triumfuan si mysafire në Shkup, njofton Telegrafi.
Në stadiumin e lagjes Gjorçe Petrov, Shkëndija dominoi ndaj skuadrës së sapokthyer në elitë, Makedonija Gj.P, duke fituar me rezultat të pastër 1-3. Fiton Ademi hapi serinë e golave që në minutën e 10-të, ndërsa vetëm shtatë minuta më vonë kuqezinjtë fituan epërsinë numerike pas ndëshkimit me karton të kuq të Guerreros.
Në pjesën e dytë, Endrit Krasniqi realizoi nga pika e bardhë në minutën e 54-t, ndërsa Fabricio Tamba vulosi fitoren në minutën e 68-të. Për tetovarët, kjo sfidë ishte një test i vlefshëm para duelit të madh të play-off-it të Ligës së Evropës ndaj Ludogorets më 21 gusht.
Në fundin e takimit, Makedonija Gjorçe Petrov arriti ta zbusë disfatën me një gol nderi, i cili ishte tërësisht meritë e Darko Glishiçit. Mbrojtësi me përvojë, në tentim për të dërguar topin në zonën e penalltisë, goditi në bllok, por më pas reagoi shpejt ndaj topit të kthyer dhe pa hezitim e dërgoi në rrjetën e Gajes, duke vendosur rezultatin përfundimtar 1-3.
Ndërkohë, në Arenën “Todor Proeski”, Bashkimi i Kumanovës shkëlqeu duke mposhtur Rabotniçkin 0-2. Esmir Liçina shënoi në pjesën e parë, ndërsa Resul Memeti e dyfishoi epërsinë në pjesën e dytë, duke vulosur një fitore të madhe për kumanovarët. /Telegrafi/






















































