Diamanti i rrallë i kaltër “Blu Mesdhetar” me peshë 10,03 karatë është shitur në një ankand në Gjenevë për 19,2 milionë euro, njoftoi shtëpia e ankandeve Sotheby’s.

Tobijas Kormind, drejtor i kompanisë 77 Diamonds, argjendaria më e madhe online në Evropë, tha se shitja e diamantit, vlera e të cilit ishte vlerësuar në 20 milionë dollarë (rreth 17,8 milionë euro), ishte “më pak mbresëlënëse” nga sa pritej, raportoi sot Swissinfo.


“Diamanti e tejkaloi vlerësimin fillestar prej 20 milionë dollarësh, gjë që tregon për një interes të konsiderueshëm. Por pasiguria e përgjithshme, përfshirë tensionet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, ndoshta ka ndikuar në uljen e besimit të ofruesve”, tha Kormind.

Shtëpia e ankandeve Sotheby’s bëri të ditur se një koleksionist amerikan fitoi gurin e çmuar pas një gare mes dy ofertuesve, e cila filloi nga nëntë milionë franga zvicerane (rreth 9,6 milionë euro) dhe zgjati “gati tre minuta”.

Shefi i departamentit të bizhuterive të Sotheby’s për Amerikën e Veriut, Evropën dhe Lindjen e Mesme, Quig Bruning, e përshkroi këtë diamant si “gurin kryesor të sezonit”, që renditet ndër më të mirët nga diamantët blu që janë shitur ndonjëherë.

“Diamantët blu ndodhen në majë të piramidës së rrallësisë,” tha Bruning.

Diamanti është zbuluar së fundmi në minierën legjendare Cullinan në Afrikën e Jugut. /Telegrafi/