Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka iniciuar rast lidhur me shembjen e dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti” në Komunën e Prishtinës, duke synuar verifikimin e përgjegjësisë së mundshme penale të zyrtarëve komunalë.

Sipas njoftimit zyrtar, më 30 mars 2026, Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, ka filluar procedurat ndaj zyrtarëve përgjegjës, për të vlerësuar nëse veprimet apo mosveprimet e tyre përbëjnë elemente të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, të paraparë me nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.


Po ashtu, Prokurori i Shtetit ka autorizuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme për grumbullimin e informatave dhe provave shtesë lidhur me këtë rast.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ushtrimin e kompetencave të saj ligjore dhe në forcimin e sundimit të ligjit, me qëllim të mbrojtjes së interesit publik dhe ruajtjes së rendit. /Telegrafi/