Shehu: Juniku në fazën përfundimtare të asfaltimit të të gjitha rrugëve lokale

Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar se projekti për asfaltimin e pothuajse të gjitha rrugëve lokale dhe rrugicave ka arritur në fazën përfundimtare, duke premtuar se shumë shpejt qyteti do të ketë infrastrukturë të plotë rrugore.
“Gjatë ditëve në vijim do të përfundohen edhe rrugët e mbetura dhe përfundimisht në Junik të gjitha rrugët lokale dhe rrugicat do të jenë të asfaltuara. Infrastruktura rrugore është parakusht për lëvizjen e njerëzve dhe mallërave, por edhe për zhvillimin ekonomik e social”, tha Shehu.
Ai shtoi se këto punë është dashur të realizoheshin shumë vite më parë, por gjatë mandatit të tij të parë ky projekt i rëndësishëm për junikasit po finalizohet.
Duke iu referuar kundërshtarëve politikë, Shehu tha se ndërsa “të tjerët po bëhen bashkë për të shkëmbyer përvoja dhe për të krijuar front të përbashkët kundër LDK-së në Junik”, ai dhe ekipi i tij do të vazhdojnë të punojnë me “ndershmëri dhe duar të pastra” për transformimin e qytetit.
“12 tetori do të jetë festë e madhe, sepse junikasit nuk do të tolerojnë interesat personale të disa individëve të dominojnë ndaj interesit të përgjithshëm të Junikut,” përfundoi Shehu.













































