LAJMI I FUNDIT:

Sfilata më përrallore e momentit

Sfilata më përrallore e momentit

Për të prezantuar koleksionin Pranverë 2020 si edhe për të festuar 10-vjetorin e krijimit të markës, dizajneri francez Simon Porte Jacquemus zgjodhi peizazhin e Provence-s

E vendosur në jug të Francës, në kufi me Italinë dhe Detin Mesdhe, Provence është e njohur për pamjet e larmishme, duke nisur nga Alpet Jugore e deri te vreshtat, ullishtet, pyjet me pisha dhe fushat e livandos, ku në këto të fundit u mbajt edhe sfilata më e veçantë e momentit.


“Me këtë sfilatë, disa njerëz do të mbajnë mend vetëm livandon,” shpjegon ai për Vogue. “Disa të tjerë do të shohin ngjashmërinë me pikturën e Hockney-t. Dua thjesht që ta kuptojnë punën time.”

Pikturat e Hockney-t, si edhe të Paul Cézanne dhe Jean Lurçat ishin frymëzim për Jacquemus. Sfilata është në vetvete një formë e shprehjes së dashurisë së tij për printet “dehëse”.

Koleksioni dhe mënyra e prezantimit është një tjetër sukses për Jacquemus, që vetëm 29 vjeç fitoi simpatinë e Rihanna-s, Dua Lipës dhe princeshës së Monakos, Charlene. Dizajneri nuk paguan asnjë që të veshë rrobat e markës së tij, por fakti që Beyonce ble aty do të thotë shumë.

“Është komplimenti më i madh,” shton ai. “Jo vetëm sepse janë të famshme, por sepse kanë gjithçka dhe sërish zgjedhin Jacquemus”.

Në vijim gjeni disa nga fotot e sfilatës së Pranverë 2020 të siguruara nga Vogue.