Ka nisur piku i sezonit i të dredhëzave, por çmimi i shitjes është përgjysmuar.

Fermerët në Kafaraj të Fierit, pas protestës së bërë disa ditë më parë, i janë kthyer punës.


Kërkesat janë rritur si për eksport, ashtu edhe për tregun vendas.

Sipas prodhuesve, duke iu referuar kostos së produktit, çmimi duhej të ishte dy herë më i lartë në krahasim me kërkesat. Futja në tregun shqiptar e luleshtrydhes greke, e cila rezultoi me pesticide të dëmshme, e ka penalizuar prodhimin vendas.

E pësojmë ne fshatarët vendas. Bëhen analizat që në doganë. S’ka pse futet malli i huaj pa u bërë analizat. Tre herë të spërkatura gjithë vitin që kur është mbjellë dhe ky është frut bio,” tregon fermeri nga Fieri, Mikel Hamataj, duke mbajtur në dorë një tufë me luleshtrydhe.

Ulja e çmimit të tyre i ka dëshpëruar fermerët, por ata janë të detyruar të pranojnë ofertën e tregtarëve me qëllim shitjen e produktit, i cili është pjekur më shpejt i ndikuar edhe nga ngrohja e motit.

Sipas kostos sot të ishte 8–9 mijë lekë arka pesëkilëshe. Sot po shitet me 3–4 mijë lekë arka, me minus”, shton z. Hamataj.

Pothuajse 90% e tokave në Kafaraj të Fierit janë mbjellë me bimën e luleshtrydhes, e cila sot eksportohet në të gjitha vendet e rajonit dhe përtej.