Nga: Alexis Petridis / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Kërkojini një mjeshtri të enterierëve të krijojë një apartament bohemian në Paris dhe ka shumë të ngjarë që ai të përfundojë me diçka që duket si apartamenti i Jean-Claude Vannierit: libra kudo, një karrige e vjetër në stilin Bauhaus, art në çdo cep të murit. Do të thoshit se dhoma e ndenjjes dominohet nga pianoja e tij e madhe, por syri ju rrëshqet vazhdimisht drejt një morie pianosh lodra të vendosura mbi dhe rreth saj. Në një vështrim më të afërt, ka edhe piano lodra në rafte, të futura mes librave. “Kam edhe më shumë në dhomat e tjera”, thotë Vannieri, duke folur përmes një përkthyesi. “Kam edhe një shtëpi në fshat që është e mbushur me to. I marr me vete në koncerte dhe luaj ndonjë notë herë pas here. Mendoj se shtojnë diçka në një performancë të drejtpërdrejtë të mbushur me virtuozë. Kam edhe një kitarë të akorduar në mënyrë specifike, të cilën e godas me këmbë dhe ajo bën një bum të madh”.
Lexo po ashtu:
– Këngët erotike të humbura në përkthim
– Muza e artistëve nuk ka më vend në kulturën moderne
– “Ai ishte njeri i madh. Unë isha veç e bukur”: Fotot që tregojnë historinë “Jane & Serge”
Të prishësh një performancë orkestrale duke luajtur në një piano lodër ose duke goditur një kitarë, duket tipike për të: Vannieri, tani në të tetëdhjetat, ka qenë për 60 vjet një prani sfiduese në muzikën pop franceze. Projekti i tij më i fundit është mjaft i çuditshëm: një cikël këngësh interpretuar nga një orkestër e madhe mandolinash, shoqëruar me një tregim të shkruar nga vetë Vannieri, që përfshin një romancë të dështuar, alkoolizëm, mungesë strehe dhe vrasje.
“Të gjitha historitë e mëdha të dashurisë janë të trishta,” thotë ai. “Sepse, nëse njerëzit jetojnë të lumtur përgjithmonë dhe bëjnë shumë fëmijë, nuk mbetet shumë për të treguar”. Në të vërtetë, është më pak e çuditshme sesa historia që bashkëpunëtori më i famshëm i Vannierit, Serge Gainsbourg, krijoi për albumin e tij të vitit 1972, L’Enfant Assassin des Mouches [Fëmija që vriste mizat]. Ai përshkruan një djalë të vogël që torturon një mizë përpara se të mbulohet dhe të mbytet nga një luzmë insektesh.
Nëse projekti Jean-Claude Vannier et Son Orchestre de Mandolines [Jean-Claude Vannieri dhe orkestra e tij e mandolinave] duket si një shmangie e pazakontë, nuk është më i çuditshëm se albumi i tij i vitit 2019, Corpse Flower [Lulja e kufomës], një bashkëpunim me vokalistin e grupit Faith No More, Mike Patton (një adhurues i madh i Vannierit, i cili po e publikon albumin e mandolinave në shtëpinë e tij diskografike, Ipecac), një album që përmbante këngë mbi majmunë të dëshpëruar dhe rrezikun e humbjes së kontrollit të zorrëve kur je i dehur. Po aq e çuditshme ishte edhe vetë karriera e Vannierit si kantautor në vitet ’70 të shekullit XX, e cila nisi sepse, sipas tij, askush tjetër nuk donte të këndonte këngët e tij të frymëzuara nga shansonet franceze.
Kjo nuk ka lidhje me cilësinë e albumeve të tij, por është e lehtë të kuptosh pse: ideja e Vannierit për një këngë të suksesshme ishte titulluar Merde, V’la le Printemps [Mut u bë, erdhi pranvera]. “Nuk kisha për qëllim të shokoja askënd”, thotë ai. “Thjesht doja të flisja për atë që shihja përreth meje. Kisha një këngë të titulluar Mon Beau Travelo [Transvestiti im i bukur]. Po bëja një muzikë për balet, me Roland Petitin. Pas shfaqjes, ai më çonte në rrugicat pas Operës së vjetër të Parisit. Aty kishte shumë transvestitë. I vëzhgonim dhe kjo më frymëzoi për të shkruar këngën. Ishte shumë kontroverse në atë kohë, dhe askush nuk donte ta këndonte, por nuk ishte shokuese. Ishte thjesht ajo që doja të shprehja”.
Megjithatë, reputacioni i Vannierit mbështetet kryesisht në punën e tij si orkestrues dhe kompozitor i kolonave zanore. DJ-i dhe kompozitori i kolonave zanore për një sërë filmash të regjisorit Steven Soderbergh, David Holmes, e ka quajtur Vannierin “kompozitori më i madh i kolonave zanore nga të gjithë ne, një gjeni i vërtetë”. Vannieri ka punuar me këdo, nga këngëtarja Françoise Hardy te provokatori i letërsisë, Michel Houellebecq. Madje, ka shkruar dhe regjistruar këngë me këtë të fundit, duke e shtyrë Houellebecqun të merrte mësime këndimi për të përmirësuar zërin e vet.
Përmendja e emrit të Houellebecqut provokon një irritim te Vannieri: “Është e vërtetë që kam punuar me të, por ai është dikush që nuk do të jetë kurrë miku im. Takova një nga botuesit e tij në një dyqan antikuarësh, afër këtu, dhe ai më tha: ‘Houellebecq është më i keq se një gangster’! Ka një reputacion të tmerrshëm, prandaj nuk do të shoqërohesha kurrë me të. Por, jam një adhurues i madh i shkrimeve të tij”.
Për të gjithë këta artistë, Vannieri ka krijuar orkestrime jashtëzakonisht novatore, që herë pas here prekin atonalitetin dhe shpesh mbartin ndikime nga muzika e Lindjes së Mesme – rezultat, sipas tij, i punës së tij të parë katastrofike si inxhinier në një studio parisiane.
“Nisa me këngëtarët e jejesë [stili pop muzikor yé-yé], vajza dhe djem të rinj, dhe bëra shumë gabime. Prandaj, më caktuan të regjistroja akordionistët, të cilët në atë kohë shiheshin si shumë vulgarë: muzika e tyre ishte për vallëzime të së shtunës mbrëma, që shpesh ktheheshin në dhunë. Nuk kishin reputacion të mirë. Gabova përsëri, sepse nuk isha veçanërisht i interesuar për këtë muzikë, prandaj më dhanë për të regjistruar muzikantët arabë. Kjo ndodhte gjatë luftës së Algjerisë: kishte shumë frikë dhe urrejtje ndaj arabëve; nuk ishin aspak të mirëpritur në Francë. Por, unë e doja muzikën e tyre dhe isha i lumtur që punoja me ta”.
Por, është Gainsbourg ai që mbetet bashkëpunëtori i tij më i famshëm. Vannieri ka punuar me të në kolonat e vlerësuara zanore për filmat Cannabis [Kanabisi], La Horse [I pamëshirshmi] dhe Les Chemins de Katmandou [Shtigjet e Katmandusë], si dhe – mbi të gjitha – në albumin e vitit 1971, Histoire de Melody Nelson [Historia e Melodi Nelsonit]. Një dështim komercial në fillim, ky album tani konsiderohet jo vetëm kryevepra e Gainsbourgut, por edhe një nga albumet më të mëdha në gjuhën frënge në historinë e popit.
Rizbulimi i vonuar i albumit nga përdorimi i semplave [copëza të incizimeve] dhe nga muzikantët në vitet ’90 të shekullit XX, duket se nxiti gjithashtu një ndryshim më të gjerë në qëndrimin tradicionalisht snob dhe përçmues të anglishtfolësve ndaj popit francez: nëse diçka kaq e jashtëzakonshme kishte kaluar pa u vënë re, çfarë tjetër mund të kishin prodhuar muzikantët francezë?
“Mendoj se ke të drejtë”, thotë Vannieri. “Kur fillova të merrja letra elektronike nga të rinjtë në Britani, të cilët flisnin me entuziazëm se sa i mahnitshëm ishte ky album, mendova se po talleshin me mua – e di që britanikët janë shumë të dhënë pas sarkazmit. Por, pastaj, revista Mojo i telefonoi vajzës sime, duke i thënë se donin të bënin një artikull të gjatë për mua. U habita. Mendoj se, thjesht, më parë nuk kishin pasur qasje në këto albume. Më pritën krahëhapur dhe më shumë se kaq. Atëherë e kuptova se kisha ndikuar te shumë njerëz”.
Kjo është e vërtetë. Jehonat e orkestrimeve dramatike të Melodi Nelsonit mund të dëgjohen kudo, nga [albumi] Sea Change [Transformimi] nga [këngëtari] Beck e deri te [albumi] Tranquility Base Hotel & Casino [Hoteli dhe kazinoja, “Baza e prehjes”] nga [grupi] Arctic Monkeys, dhe ato janë përdorur si sempla nga artistë që variojnë nga [grupet] Portishead te De La Soul. Vitet e fundit, Vannieri ka dirigjuar koncerte të mëdha muzikore, plot me yje, në Londër, Paris dhe Los Anxhelos.
Megjithatë, marrëdhënia e tij me Melodi Nelsonin është e ndërlikuar. Vannieri thotë se ai shkroi shumicën e muzikës – “Ndonjëherë Gainsbourgu vinte tek unë me një melodi, por gjithnjë e më shpesh vinte pa asgjë dhe më linte duart e lira” – por, Gainsbourgu nuk pranoi t’ia jepte autorësinë. Ata mbetën miq deri në vdekjen e këngëtarit francez në vitin 1991, por Vannieri duket se e shihte si të bezdisshme prirjen e Gainsbourgut për provokime.
“Ai pretendonte të ishte një ngatërrestar”, thotë ai, “sepse kjo i leverdiste financiarisht. Në të vërtetë, nuk ishte i interesuar për politikë, filozofi apo psikologji – ai thjesht ndiqte atë që i sugjeronin njerëzit e tij të raporteve me shtypin dhe publikun. Para paraqitjeve televizive, fuste duart në flokë që të dukej më i çrregullt. Në fillim, ai në fakt shtirej sikur ishte alkoolist, kur nuk ishte – përpiqej të trondiste qëllimisht, për të argëtuar publikun e vet. Në fund të karrierës, ai ishte vërtet një alkoolist, por në fillim ishte vetëm një pozë”.
Melodi Nelsoni pati edhe një efekt tjetër të vonuar. Duke punuar për një shtëpi diskografike franceze, DJ-i britanik, producenti dhe “i fiksuari pas Gainsbourgut”, Andy Votel, dëgjoi “thashetheme të çuditshme nëpër dyqanet e disqeve në Paris” për “një album pasardhës të Melodi Nelsonit” që nuk ishte publikuar kurrë. Disa nga këto thashetheme ishin mjaft të ekzagjeruara: thuhej se ishte bazuar në [veprën] Lord of the Flies [Zoti i mizave], se kishte një kopertinë të ndaluar për përmbajtje erotike dhe ishte censuruar.
Në fund u kuptua se bëhej fjalë për Fëmijën që vriste mizat. “Producenti i këtij albumi punonte me një këngëtar të quajtur Mike Brant, një artist tepër kiç që ishte shumë i famshëm në vitet ’70 të shekullit XX – megjithëse më vonë Eminem-i përdori elemente nga orkestrimet që kisha krijuar për të”. Kjo ndodhi në këngën Crack a Bottle [Thyeje shishen] të vitit 2009. “Kisha krijuar disa hite me këtë këngëtar, ndaj, për të më falënderuar, producenti i tij më tha se do të bënte një album me mua, ku mund të bëja gjithçka që dëshiroja. Ishte jashtëzakonisht i shtrenjtë për t’u realizuar. Nuk mendoj se sot ndokush do të investonte aq shumë para për një projekt kaq të çuditshëm.”
Rezultati ishte mahnitës, por thellësisht i çuditshëm: një përzierje e fankut, xhazit të lirë, hard-rokut, muzikës konkrete [funk, free jazz, hard rock, musique concrète] dhe orkestrimeve madhështore. Shtëpia diskografike mbeti e tmerruar dhe refuzoi të bënte më shumë se disa kopje. Nëse Vannieri u befasua nga interesi i vonuar për Melodi Nelsonit, nuk kishte fjalë për habinë e tij kur Voteli e kontaktoi për të rilansuar Fëmijën që vriste mizat, gjë që ndodhi në vitin 2005 dhe u prit me vlerësime të mëdha.
Ka qenë një karrierë e jashtëzakonshme. Në moshën 82-vjeçare, Vannieri thotë se sot “nuk punon shumë”, por nuk lë aspak përshtypjen se po ngadalëson, meqë një kolonë e re zanore do të vijë së shpejti. Ndoshta nuk mund të ndalet. “Kur e do muzikën”, thotë ai, “nuk ka asgjë që mund të të ndalojë të krijosh muzikën tënde. Prindërit e mi ishin protestantë të devotshëm. Ata i urrenin artistët. Nuk kishte asnjë mënyrë që unë të ndiqja një karrierë në muzikë. Por, sapo u bëra 18 vjeç, pata të drejtën ta bëja këtë. Kur pasioni yt i vërtetë është muzika, është si një dallgë që asgjë nuk mund ta ndalojë”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

Bekim Jashari dhuron 100 mijë euro për familjet në nevojë

"I çoj të fala motrës së Presidentes", Fero publikon sekuenca të këngës së tij më të re, i drejtohet indirekt edhe Arbenitës

Ndryshimi drastik i Gjestit që nga hyrja e tij në BBVK e deri më sot në Big Brother VIP Albania

Ademi: Rruga pranë vendit të vrasjes në Vushtrri, kontrollohet nga fajdexhinjtë e trafikantët e drogës

Komedianët rusë kishin tentuar ta mashtrojnë edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, por ai i kishte zbuluar

Fabrizio Romano zbulon personin që e bëri të mundur transferimin e Alexander-Arnold te Real Madridi