LAJMI I FUNDIT:

Sëmundjet respiratore akute

Sëmundjet respiratore akute

Infeksionet respiratore akute janë ndër shqetësimet më të shpeshta gjatë muajve të ftohtë të vitit për të gjitha moshat, në veçanti për fëmijët dhe të moshuarit. Gati çdo individ preket nga këto infeksione 2-3 herë gjatë vitit, prandaj këto sëmundje bëhen shkaku kryesor i mungesave në punë, kopshte fëmijësh, shkollë, etj.

Prof. dr. Salih Ahmeti
Specialist në lëminë e Sëmundjeve Infektive

Njihen mbi 200 viruse që japin sëmundjet respiratore akute. Të gjitha këto viruse japin manifestime klinike me sindromë respiratore të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes prej të cilëve duhet veçuar dy entitete klinike: rrufën stinore dhe gripin.


RRUFA STINORE

Shkaktohet te të rriturit më shpesh nga rhinoviruset, kurse te fëmijët nga viruset respiratorë sincicial, parainfluencial, adenoviruset dhe koronaviruset. Bartja e infeksionit bëhet me rrugë aerogjene në kontakte të afërta me të infektuarin.

Shfaqet në formë të epidemive, prekë më shpesh fëmijët shkollor. Periudha e inkubacionit është 1-2 ditë. Manifestohet me tharje e djegie të fytit e grykës, teshtitje, lodhje, dobësi, kollë të thatë, rritje të lehta të temperaturës, dhembje koke dhe rrjedhje të hundëve ujore.

Sëmundja zgjat deri në 7 ditë dhe zakonisht vetëshërohet. Prania e shenjave klinike mbi 10 ditë tregon për infeksione dytësore me baktere. Te fëmijët nuk janë të rralla ndërlikimet në formë të otiteve apo sinusiteve.

Mjekimi është simptomatik, konsiston në dhënien e antipiretikëve (aspirin dhe ibuprufen për të rritur, acetaminophen për fëmijët), pikave për hundë, inhalime me avujt e ujit të nxehtë, dhënien e vitaminës C. Antibiotikët nuk janë të rekomanduar në rastet pa ndërlikime.

GRIPI (influenza)

Gripi është sëmundje infektive akute i shkaktuar nga viruset A, B dhe C të cilët i përkasin familjes Orthomyxoviridae.

Shfaqet në forma epidemike dhe pandemike. Viruset e gripit kanë në mbulesën e tyre dy glukoproteina antigjenetikisht të dallueshme: hemglutininën (H) dhe neuraminidazën (N) të cilat iu nënshtrohen ndryshimeve të herëpashershme në mënyrë të pavarur me njëri-tjetrin. Ndryshimet antigjenike të vogla janë quajtur “drift” ndërsa ato të mëdha”shift”.

Ndryshimet e lehta ndodhin në Virusin A dhe B, ndërsa ndryshimet e thella në formë “shifti” ndodhin vetëm në virusin A, duke dhënë një variant të ri antigjenik i cili prekë personat e paimunizuar më parë. Variacionet e vogla të antigjenit H ose N (drift) ndodhin çdo 2-3 vjet duke shkaktuar shpërthime epidemike në një popullatë e cila posedon antitrupa të cilët sigurojnë mbrojtje të pjesshme nga shtamet e reja.

Variacionet madhore (shift antigjenik) ndodhin më rrallë, çdo 10-20 vjet dhe pasohen me pandemi të mëdha në një popullatë pa mbrojtje imunologjike dhe mund të përfshijnë gjithë vendet e botës. Virusi C tregon më pak ndryshime dhe nuk paraqet interes të veçantë për patologjinë humane.

Burim kryesor i infeksionit është njeriu, ndërsa kafshët dhe shpendët (derri, kuajt, pulat, rosat, gjelat e detit etj) mund të jenë rezervuar të infeksionit dhe përgjegjës për ruajtjen e virusit gjatë periudhave interepidemike dhe rikombinimet e mundshme gjenetike të tij.

Virusi i Gripit përhapet me anë të spërklave të nxjerra në ambientin e jashtëm nga njeriu i infektuar nëpërmjet kollitjes, teshtitjes apo të folurit e në disa raste infektimi mund të bëhet drejtpërdrejt me kontakte të ngushta ndërnjerëzore. Muajt e ftohtë të vitit dhe grumbullimet e njerëzve në çerdhe, kopshte, shkolla, konvikte, salla kinemash, koncertesh etj. favorizojnë përhapjen e infeksionit.

Pasi të futet në organizmin e njeriut virusi i gripit fillimisht vendoset në epitelin e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, duke u shumëzuar dhe shkatërruar qelizat, që rezulton me rrjepje epiteliale në zona të gjera, të cilat janë zona të përshtatshme për mbivendosjen e baktereve. Ndonjëherë virusi arrin të zbresë deri në alveole-mushkëri dhe jep pneumoni primare.

Periudha e inkubacionit (koha nga kontakti me virusin deri në shfaqjen e shenjave klinike) është e shkurtër, 1-3 ditë. Sëmundja fillon shpejtë me temperaturë të lartë (38-40 C) që zgjat 3-5 ditë, dhembje koke, dhembje të muskujve e të nyjeve, ndjenjën e lodhjes dhe këputjes, humbje apetiti, ndonjëherë me të vjella dhe heqje barku(diarre).

Krahas këtyre shenjave që tregojnë për një toksikozë të përgjithshme, shfaqen edhe ato lokale si tharje e fytit, lotim, rrjedhje e hundëve, kollë e thatë që shoqërohet me dhembje retrosternale apo me sputum (këlbazë). Gripi mund të prekë të gjitha moshat receptive, por numri më i madh i rasteve takohet në moshat 5-15 vjeç.

Ndërlikimet e gripit janë të rralla e të lehta si sinuzitet, otitet, tonzilitet etj. Ndërlikimet më të rënda, që mund të rrezikojnë jetën e të sëmurit janë ato pulmonare (pneumonia virale primare, pneumonia bakterore sekondare), kardikae (miokarditi, perikarditi) dhe neurogjene (Syndroma Reye, neuritet, radikulitet, encefaliti).

Ndërlikimet shoqërohen me një rritje të re të temperaturës nga dita e 5-10 e sëmundjes. Në rastin e një pneumonie dytësore i sëmuri ka sputum mukopurrulent apo hemorragjik që shkaktohet më shpesh nga Stafilokoku, Streptokoku apo Haemophilus influenzae. Vërehen zakonisht në të sëmurë të moshuar, me sëmundje kronike dhe imunitet të ulur.

Sindroma Rej është një ndërlikim i rrallë por i rëndë që prek moshat fëminore dhe ka vdekshmëri deri në 40% të rasteve. Shoqërohet me dëmtime të rënda të mëlçisë dhe sistemit nervor qendror. Faktor predisponues është përdorimi i preparateve të acidit acetilsalicilik për ulje të temperaturës.

Mjekimi: Në fazën akute të sëmundjes mjekimi është simptomatik. I sëmuri duhet të qëndrojë në ambiente të ngrohta dhe mirë të ajrosura, të përdorë lëngje frutash, çaj dhe vitaminë C.

Për uljen e temperaturës dhe pakësimin e dhembjeve jepen analgjetik dhe antipiretik si analgin apo paracetamol. Te femijët nuk duhet dhënë acidi acetilsalicilik për shkak të rrezikut nga sindroma Rej. Të dhënat klinike tregojnë për efekte të mira me antiviral si Amantadina, Rimantadina, Oseltamivir, nëse jepen në dy ditët e para nga fillimi i sëmundjes. Dhënia e këtyre preparateve për 5 ditë lehtëson shenjat dhe gravitetin e sëmundjes, ndërsa ndërlikimet bëhen më të rralla.

Në rastet e gripit të pandërlikuar nuk duhet dhënë antibiotikë. Dhënia e antibiotikëve me qëllime profilaktike është e preferuar për personat me infeksione kronike dhe imunitet të ulur. Ndërlikimet bakterore mjekohen me antibiotikë të zgjedhur sipas antibiogramit ose duke u mbështetur në përvojat klinike.

Parandalimi: Bëhet me vaksinim. Përdoret vaksina e mbytur e cila jepet çdo vit në muajt tetor ose nëntor. Vaksinën mund ta marrin të gjithë ata që nuk dëshirojnë të përballen me shqetësimet e gripit, por iu rekomandohet në veçanti personave të moshuar (mbi 65 vjeç), personave me sëmundje kronike te zemrës, veshkave, mushkërive, mëlçisë, diabetikëve dhe atyre me imunitet të ulur.

Në raste të epidemive masive është i indikuar vaksinimi i grupeve të rrezikuara: punëtorët shëndetësor, zjarrfikësit, punëtorët e sigurimit të trafikut, shërbimeve publike, punonjësit e PTT, artiznateve etj. Të rriturit dhe fëmijët deri 3 vjeç, marrin një dozë vaksine prej o.5 ml. Fëmijët nga 6-35 muaj marrin një dozë 0.25 ml. Nëse i rrituri ose fëmija vaksinohet për herë të parë, doza e dytë merret pas një muaji. Vaksina injektohet në muskulin e krahut, thellë nën lëkurë. Imuniteti postvaksinal zgjat 6-10 muaj.

Në Republikën e Kosovës, vaksinimi i përshtatur për kushtet e vendit, bëhet me monovaksinë dhe nuk vaksinohen fëmijët nën 7 vjeç. Ekziston edhe vaksina e gjallë virale për aplikim nazal, por nuk ka gjetur përdorim masiv.

Efektet anësore të vaksinës janë të pakta: dhembje koke, djersitje, mialgji, artralgji, temperaturë të lehtë apo reaksione lokale si: skuqje, dhembje dhe fortësi përreth vendit të vaksinimit. Reaksionet alergjike në lëkurë, konvulsionet dhe çrregullimet nervore janë të rralla.

Vaksina nuk rekomandohet për: personat alergjik në vezë apo në ndonjërën nga komponentët e vaksinës; personat me temperaturë të lartë ose sëmundje akute infektive; personat që trajtohen me kortozonik, citostatik (antitumoral) dhe personat me deficite të rënda imunitare. Gratë shtatzëna dhe me fëmijë në gji duhet të konsultohen me mjekun para se të vaksinohen. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Plaga e hapur në lukth: Të gjitha simptomat e të thatit dhe si t’i zbusim vështirësitë e pakëndshme!

Plaga e hapur në lukth: Të gjitha simptomat e të thatit dhe si t’i zbusim vështirësitë e pakëndshme!

Shëndetësi
Kalo në kategori