LAJMI I FUNDIT:

Sekiraqa: S’kam pas asnjë arsye apo motiv me pas çfarëdolloj problemi me të ndjerin Triumf Riza, apo me nxit vrasjen e tij

Sekiraqa: S’kam pas asnjë arsye apo motiv me pas çfarëdolloj problemi me të ndjerin Triumf Riza, apo me nxit vrasjen e tij

Enver Sekiraqa, i cili po akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, ka thënë se ai nuk ka pasur asnjë arsye, motiv apo shkas për të pasur çfarëdo lloj problemi me të ndjerin Riza apo për të nxitur vrasjen e tij.

“Unë s’kam pas asnjë arsye, as motiv, as shkas, për as senin ma t’vogël, me pas problem çfarëdolloji me të ndjerin Triumf Riza aq më larg, larg qoftë me mendu apo nxit apo organizu vrasjen e një polici të Kosovës”, tha Sekiraqa.

Ai tha se nëse do të ekzistonte një motiv, atëherë do të ishte për policin e Ferizajt, Besnik Hasanin, i cili sipas tij e kishte rrahur pa ndonjë arsye, raporton “Betimi për Drejtësi”.


“…më ka rrahë pa asnjë arsye dhe më ka montu procesin gjyqësor ku jam dënu me 2 vite burg pa e kry asnjë akt, dënim të cilin e kam mbajt për mbajtjen e të cilit jam lajmëruar vetë, për vuajtje të dënimit pa bërë asnjë vepër asnjë veprim të vetëm”, shtoi tutje Sekiraqa.

Ai ka shprehur keqardhje ndaj babait të të ndjerit Riza, Shefqet Riza duke iu drejtuar me fjalët “unë s’kam të bëj asnjë send me këtë punë, as s’jam kanë për, as s’jam kanë kundër, se s’e kam ditë që ka me ndodhë, që me kanë kundër…Kontributi im në këtë punë është zero.”

Të dënuarin Arben Berisha, ai ka thënë se nuk e ka njohur pothuajse fare dhe se nuk e ka lidhur asgjë me të.

“Kurrfarë pune apo biznesi, apo pazari, apo lidhje familjare. Këtë që e them unë mund ta vërtetoni dhe e ka vërtetu edhe policia, edhe përkundër vullnetit që kanë pasur të falsifikojnë dhe të montojnë llojlloj prove si p.sh dëshmitari D2. Unë me Arben Berishën s’kam ndejt kurrë, nuk jam shoqëru kurrë, me Arbenin janë shoqëru ata dajtë kapak, kusherit e dajve. Kur e them këtë, e kam fjalën për “rrumqin” – Rrahim Abdullahu dhe Lizen – Ilir Abdullahu”, ka thënë i akuzuari Sekiraqa.

Ndërsa, lidhur me foton që ka me Berishën, ai tha se në atë rast e kishin thirrë vëllezërit Dervishi, Kiki dhe vëllai i tij Mili, dhe në atë rast shihen 5 ose 6 persona.

“Aq persona sa janë ata, janë edhe karrika, pa mua ata e kanë bërë një foto pak minuta më herët ku nuk shihet asnjë karrikë e zbrazët, çka nënkupton se nuk ka pasur person tjetër përveç tyre në atë tavolinë ku kanë qenë duke konsumuar alkool”, tha i akuzuari Sekiraqa.

Ai tha se në foton e radhës ku shihet ai në mes të dy vëllezërve Dervishi, shihet se ai është ulur në karrigen e Milit, ku ai e kishte qenë më parë.

Ndërkaq, ka mohuar të ketë pasur ndonjëherë problem me tani të ndjerin Triumf Riza. Por, ka sqaruar vetëm problemin me “Swiss Cazino”, i cili tha se kishte ndodhur nga fundi i vitit 2005 e në të cilin kishte marrë pjesë i ndjeri Riza, i cili tha se e kishte shpëtuar nga më e keqja, pra nga plumbat.

“Kurrë nuk e harroj unë ata, se kam mujt unë aty me kanë i vdekur, ai më ka ngreh aty për jakne me fuqi të madhe, nuk e di pse, mirëpo ai ka qenë shpëtimi im”, tha Sekiraqa.

Sekiraqa ka thënë se nuk qëndron deklarata e Adelina Ismailit, e cila kishte rrëfyer se i ndjeri Triumf Riza ka qenë i kërcënuar dhe i përcjellë nga i ashtuquajturi grupi Sekiraqa.

“Ndërsa, sa i përket pyetjes suaj lidhur me përcjelljen e të ndjerit Triumf Riza, një përcjellje e tillë kurrë nuk ka ndodhë nga askush, nga familjarët apo shok i imi sepse Triumf Riza s’ka qenë person që përcillet sepse i njëjti ka qenë ekspert i sigurisë dhe ka qenë shumë agresiv, çka e vërtetojnë disa lëndë dhe disa dëshmitarë në gjykatë, ku edhe është shpallur fajtor”, tha Sekiraqa.

Po ashtu, Sekiraqa ka mohuar se Arben Berisha kishte punuar apo kishte kërkuar ndonjëherë punë tek biznesi i tij “Bruno caffe”.

Më pas, në sesionin e pasdites, duke u përgjigjur në pyetjet e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Agim Kuçi, Sekiraqa tha se në ditën kur kishte ndodhur vrasja e të ndjerit Riza, ishte në lokalin e tij “Bar caffe Sekiraqa” duke ndenjur bashkë me personin e quajtur Ymri.

Pas përfundimit të dhënies së mbrojtës nga i akuzuari Sekiraqa, avokatja e tij, Kosovare Kelmendi deklaroi se nuk është e gatshme që sot të paraqes fjalën përfundimtare.

Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre, ndërsa e radhës u caktua më 7 dhjetor 2023.

Paraprakisht, në fillim të kësaj seance, kryetari i trupit gjykues bëri të ditur se lidhur me kundërshtimet e avokates Kelmendi për provat e prezantuara nga prokurori special Shpetim Peci, do të vendoset me aktgjykim.

Ndërkaq, tha se ka aprovuar kërkesën e saj për plotësimin e procedurës së provave materiale, ashtu që në cilësi të provave materiale të administrohen njoftimi i avokatit Ramiz Krasniqi, sqarimi i PTK-së, prova materiale me shkrim e lëshuar nga Qenan Qerimi, i punësuar në PTK, si dhe dosja e “Disciplinary case”.

Ndryshe, gjatë dhënies së  mbrojtjes së tij, Sekiraqa sot ka thënë se qëndron para çdo deklarate të dhënë më parë dhe të nënshkruar nga ai.

“Unë qëndrojë para çdo deklarate që unë e kam dhënë edhe që kom nënshkru, para çdo fjalie, para çdo germe, dhe s’kam asgjë të për të ndryshuar as shtuar për atë çka unë e kam thënë dhe e kam nënshkruar”, ka thënë i akuzuari Sekiraqa.

Kosovare Kelmendi avokate e të akuzuarit Enver Sekiraqa, ka thënë se meqenëse i mbrojturi i saj, ka dhënë deklarata të shumta, ai qëndron prapa tyre, marrë parasysh edhe sugjerimet  Gjykatës së Apelit që në rigjykim të eliminohen mangësitë në raport me provat materiale.

“Po ashtu duke ju referuar sugjerimit të Gjykatës së Apelit, aktit akuzues respektivisht aktakuzës, mbrojtja nuk ka pyetje për të akuzuarin sepse për këto pothuajse 14 vite asgjë e re nuk është shfaqur dhe as nuk ka rezultuar ndonjë provë apo deklarim që gjerë më tani nuk është administruar”, ka shtuar ajo, duke thënë se Sekiraqa do të përgjigjet në pyetjet e prokurorisë dhe trupit gjykues.

As prokurori special Shpetim Peci, nuk kishte pyetje për të akuzuarin, duke thënë se kjo çështje është kthyer disa herë në rigjykim dhe se në secilin rast është mohuar kryerja e veprës penale.

“Çdo herë kur është deklaruar në bazë të procesverbaleve ka mohuar veprën penale, kryerjen e veprës penale, nuk është paraqitur ndonjë rrethanë e re prandaj mohimi dhe besimi i trupit gjykues për deklaratat e mëparshme të të akuzuarit do të elaborohet në kuadër të fjalës përfundimtare”, ka thënë ai.

Seanca është duke vazhduar me marrjen në pyetje të të akuzuarit Sekiraqa nga trupi gjykues.

Ndryshe, seanca e 30 gushtit 2023 ishte ndërprerë me kërkesën e prokurorit special Burim Çerkini, i cili ishte në zëvendësim të prokurores së çështjes Merita Bina-Rugova, me arsyetimin se nuk ishte i gatshëm të bëjë elaborimin e provave materiale.

Ndërsa, seanca e datës 11 korrik 2023 ishte i hapur për publikun pas tri seancave të mbyllura.

Të mbyllura për publikun kanë qenë seancat e 2 majit, ajo e 15 majit, si dhe seanca e 6 korrikut 2023.

Edhe në seancën e 27 tetorit 2022, ishte mbyllur për publikun dëshmia e Adelina, Ema dhe Zanfina Ismailit, të cilat do të dërgjoheshin përmes video-lidhjes.

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Vrasja e Triumf Rizës, Apeli e kthen në paraburgim Ilir Abdullahun që ishte liruar me dorëzani
Lexo po ashtu Vrasja e Triumf Rizës, Apeli e kthen në paraburgim Ilir Abdullahun që ishte liruar me dorëzani

Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur më 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Sëiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim

Në trend Lajme

Më shumë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Kalo në kategori