Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas konfirmimit nga ana e Bashkimit Evropian për hyrjen në fuqi të masave të vendosura ndaj Kosovës.

Përmes një reagimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se masat e BE-së ndaj Kosovës dhe paralajmërimet e ShBA-së, e dëshmojnë se sa e rrezikshme është gjendja.


“I vetëdijshëm se Kosova me këtë kryeministër po hyn në një rrugë pa krye, para pak ditësh kërkova mocion për shkarkimin e Albin Kurtit”, ka shkruar Haradinaj, transmeton Telegrafi.

Më tej ai ka thënë se “sanksionet e BE-së ndaj Kosovës dhe paralajmërimet e SHBA-së se Qeveria e Kosovës është në rrugë të gabuar, e dëshmojnë se sa e rrezikshme dhe e pashpresë është gjendja, e cila fatkeqësisht do të shkojë duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë”.

“Prandaj sot është koha të veprohet dhe të bashkohen të gjithë ata që interes parësor e kanë Kosovën, qofshin në opozitë ose edhe deputetë të shumicës, e ta jetësojnë mocionin për shkarkimin e kësaj Qeverie”.

Ai thotë se “hezitimi për të vepruar në kohë të një krize kaq të thellë e me pasoja të paimagjinueshme për vendin është bashkëfajësi”.

“Mocioni për shkarkimin e Albin Kurtit, sot është interes kombëtar!”, ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/