Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc doli në skenë në janar të vitit 2000 dhe për më shumë se një vit pati luftë në Luginën e Preshevës.

Një nga themeluesit e UÇPMB-së, Sami Azemi (Komandant Haxhija), ka kujtuar 26 vjetorin e daljes në skenë të UÇPMB-së, duke shkruar se lufta e kësaj ushtrie ishte zëri i një populli që refuzoi të nënshtrohej.


Azemi ka bërë thirrje nëpërmjet profilit të tij që Lugina e Preshevës mos të lihet në harresë, pasi çdo politikë që e lë në harresë Luginën është tradhti ndaj idealit për të cilin është derdhur gjak.

Shkrimi i plotë nga Sami Azemi (pa ndërhyrje):

"26 vite të daljes në skenë të UCPMB-së

Pas përfundimit të luftës së UÇK-së, forcat paramilitare dhe ushtarake serbe u pozicionuan masivisht në Luginë, duke shtuar represionin, frikën dhe dhunën mbi popullatën shqiptare.

Përballë kësaj gjendjeje të rëndë, më 26 janar të vitit 2000, një grup i vogël bashkëluftëtarësh, me zemër të madhe dhe ideal të pastër, dolën në skenë për të mbrojtur popullatën e pambrojtur.

Lufta e UÇPMB-së ishte zëri i një populli që refuzoi të nënshtrohej, ishte thirrja e ndërgjegjes kombëtare për drejtësi, barazi dhe liri.

Sot, pas 26 vitesh, kujtojmë dëshmorët dhe luftëtarët e UÇPMB-së si simbol të sakrificës dhe rezistencës.

Gjaku i tyre nuk ishte i kotë, sepse ai u bë themel i qëndresës dhe shpresës për brezat që vijnë. Lugina e Preshevës do ta kujtojë gjithmonë zërin e tyre, sepse ai zë ishte zëri i lirisë, i bashkimit dhe i dinjitetit kombëtar.

Sot, përballë sakrificës së UÇPMB-së, spektri politik në Kosovë dhe në Luginë nuk ka të drejtë të heshtë, të përçahet apo të harrojë.

Ata që luftuan nuk pyetën për parti, por për atdhe. Prandaj, çdo politikë që e lë Luginën në harresë, është tradhti ndaj idealit për të cilin u derdh gjak. Lavdi UÇPMB-së. Lavdi dëshmorëve të Luginës së Preshevës. Lavdi idealit për liri dhe bashkim kombëtar", ka shkruar Sami Azemi. /Telegrafi/