Pastrimi i fytyrës është një nga hapat më të rëndësishëm në rutinën e përditshme të kujdesit për lëkurën, megjithatë, shumë persona shpesh bëjnë gabime duke e larë fytyrën shumë shpesh ose duke përdorur produkte që nuk i përshtaten tipit të lëkurës.

Për këtë temë ka folur dermatologia Rejhane Bislimi-Berisha në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital, ku shpjegoi se pastrimi i fytyrës duhet të jetë i balancuar dhe i përshtatur sipas nevojave të lëkurës.




“Pastrimi i fytyrës është një hap shumë i rëndësishëm në kujdesin e përditshëm të lëkurës”, tha Bislimi-Berisha.

Sipas saj, larja e fytyrës në mënyrë të duhur ndihmon në largimin e papastërtive, yndyrës së tepërt dhe mbetjeve të produkteve kozmetike që grumbullohen gjatë ditës.

“Fytyra duhet të pastrohet rregullisht për të larguar papastërtitë dhe për të mbajtur lëkurën të shëndetshme”, theksoi dermatologia.

Megjithatë, ajo paralajmëroi se larja e tepërt e fytyrës mund të ketë efekt të kundërt dhe të dëmtojë barrierën natyrale të lëkurës.

“Nëse fytyra lahet shumë shpesh ose përdoren produkte shumë agresive, kjo mund të shkaktojë tharje, irritim dhe ndjeshmëri të lëkurës”, u shpreh Bislimi-Berisha.

Sipas saj, rutina më e rekomanduar është pastrimi i fytyrës dy herë në ditë – në mëngjes dhe në mbrëmje – duke përdorur produkte të përshtatshme për tipin e lëkurës.

“Është shumë e rëndësishme që produktet e përdorura të jenë të zgjedhura sipas tipit të lëkurës, në mënyrë që të mos dëmtohet balanca natyrale e saj”, përfundoi dermatologia.

Ekspertët theksojnë se një rutinë e rregullt dhe e balancuar e pastrimit të fytyrës është bazë për ruajtjen e shëndetit dhe pamjes së mirë të lëkurës.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":


- YouTube www.youtube.com