Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve në Hungari, partia opozitare Tisza e udhëhequr nga Péter Magyar ka shënuar fitore të rëndësishme, duke i dhënë fund dominimit 16-vjeçar të qeverisjes së Viktor Orbán.

Kjo fitore shihet si një kthesë historike për politikën hungareze dhe një sinjal për ndryshime të mëdha në drejtimin e vendit.


Dhe kjo fitore po shihet edhe si një goditje për aleatin e Viktor Orbanit, Vladimir Putinin, përkatësisht Rusinë.

Ndërkohë, në mediat sociale kanë vazhduar të shpërndahen pamje të një mitingu në qytetin Nagykanizsa, ku Magyar u bë epiqendra e vëmendjes pasi iu drejtua me ironi gazetarëve rusë të pranishëm, përcjell Telegrafi.

Ai i “mirëpriti” ata duke thënë se mund të shijojnë lirinë në Hungari dhe ndryshimin politik që po ndodh në vend.

Pas këtij momenti, turma reagoi fuqishëm duke nisur të brohoriste “Rusë, shkoni në shtëpi!”, një slogan me domethënie historike për Hungarinë.

Por kjo nuk ndodhi vetëm në një tubim të Peter Magyar. E “njëjta kërkesë” u shtrua edhe gjatë një tubimi zgjedhor të Viktor Orban.

Ndryshe, raporte të ndryshme mediatike kanë ngritur shqetësime edhe për praninë e personelit të lidhur me shërbimet ruse në Budapest, si dhe për kontaktet diplomatike me ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov. /Telegrafi/