Rumania mbeti pa ministër të Mbrojtjes, zbulohet se kishte gënjyer për diplomën

Ministri rumun i Mbrojtjes, Ionuț Moșteanu, dha dorëheqje për shkak të pretendimeve të rreme në biografinë e tij, duke shënuar herën e dytë në pak javë që një vend i NATO-s pranë Rusisë detyrohet të ndryshojë ministrin e mbrojtjes.
“Rumania dhe Evropa janë nën sulmin e Rusisë. Siguria jonë kombëtare duhet të mbrohet me çdo çmim. Nuk dua që debatet rreth arsimit tim dhe gabimeve që kam bërë shumë vite më parë të shpërqendrojnë ata që sot udhëheqin vendin nga misioni i tyre i vështirë”, tha ai.
Sipas mediave lokale, Moșteanu kishte deklaruar në biografinë zyrtare se ishte diplomuar në Universitetin Ateneum në Bukuresht, edhe pse nuk kishte ndjekur kurrë atë shkollë, raporton euronews.ro.
Ai gjithashtu kishte shtuar në bigorafinë personale Fakultetin e Automatizimit në Universitetin Politeknik të Bukureshtit, megjithëse kishte ndërprerë studimet.
Dorëheqja e Moșteanut, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës, vjen pas shkarkimit të Dovilė Sakaliene nga posti i ministres së Mbrojtjes së Lituanisë për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi buxhetin e mbrojtjes së shtetit baltik, dhe në një kohë kur Evropa po shqyrton se si të përgjigjet ndaj sulmeve të intensifikuara hibride ruse.
Ministri rumun i Ekonomisë, Radu Miruța, pritet të marrë përkohësisht drejtimin e ministrisë së Mbrojtjes, njoftoi qeveria.
Largimi i Moșteanut ndodh në një kohë kur Rumania përballet me depërtime të rregullta të dronëve rusë. Bukureshti gjithashtu është 48 orë larg afatit në të cilin vendet e BE-së duhet t’i dorëzojnë Komisionit Evropian planin se si do të shpenzojnë fondet nga programi SAFE i BE-së, i bazuar në hua për blerjen e armëve.
Rumania pritet të jetë përfituesi i dytë më i madh i këtij programi, me të drejtë për një pjesë të fondit prej 16.6 miliardë eurosh. /Telegrafi/


















































