LAJMI I FUNDIT:

Rukiqi: Bizneset presin Pakon e Rimëkëmbjes, do të ketë vonesa në zbatimin e saj

Rukiqi: Bizneset presin Pakon e Rimëkëmbjes, do të ketë vonesa në zbatimin e saj

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, deklaron se qeveria është vonuar me Pakon Emergjente për të ndihmuar bizneset, e kësisoj ai thotë se do të ketë vonesa edhe ne Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike.

Kjo pako, sipas tij, duhet të jetë mbi 600 milionë euro, në mënyrë që bizneset të ndihmohen dhe të mos ketë falimentime.

Pas lehtësimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19 një numër i bizneseve janë lejuar të ushtrojnë veprimtarinë e tyre, megjithatë Rukiqi thotë se këto biznese po përballen me mungesë të shitjes. Kësisoj ai thotë se bizneset po përballen me mungesë të theksuar të likuiditetit.


“Unë mendoj që duhet mjetet për likuiditetin e kompanive, këto nuk e presim pakon e rimëkëmbjes që për shumë arsye nuk mund të pritet që të futet në zbatim shumë shpejt. Unë jo rastësisht e theksova këtë problemin që e kanë bizneset që e kanë filluar punën dhe ato që presin të fillojnë punën në mungesë të theksuar të mjeteve financiare për me pas mundësi të funksionojnë normalisht duke u ballafaquar me dy probleme kryesore. Problemi i parë është rënia e shitjeve, problemi i dytë tek shumica e këtyre bizneseve është mungesa e financimit të jashtëm që në këtë rast lidhet me sistemin bankar, që normalisht pret me e pa situatën për shkak se është risk i madh financimi në këtë kohë i çfarëdo lloj biznesi, sidomos nga sektori të cilët janë të prekur dhe të cilët do të merr kohë të rikuperohen”, thotë Rukiqi për KosovaPress.

Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës potencon se qeveria është vonuar me Pakon Emergjente dhe se ende shumë biznese dhe punëtorë nuk kanë marr mjetet e ndara nga kjo pako.

“Ka shumë vonesa, procedura dhe disa paqartësi të cilat ende po e përcjellin implementimin e pakos emergjente. Vet fjala emergjente nënkupton që veprimi do të jetë i shpejtë, emergjent, do të thotë duhet të jetë çështje jo më shumë se dy, tri javë në zbatim të një pakos së tillë qysh ka ndodhur edhe në vendet e tjera. Tash jemi duke fol dy muaj pas vendosjes së masave kufizuese që kanë qenë të domosdoshme për parandalimin e pandemisë dhe ende mjetet nuk janë në dispozicion të biznesit apo të punëtorit”, potencon ai.

E vonesa në zbatimit e pakos emergjente, sipas tij, do të ndikojë që të ketë vonesa edhe në pakon e rimëkëmbjes ekonomike. Vonimin në këtë pako ai thotë se e shton edhe fakti se qeveria është në detyrë.

Ai deklaroi se beson që do të ketë në masë të madhe një konsensus politik sa i përket situatës së ekonomisë pas COVID-19, e që sipas tij deri më tash ky konsensus ka munguar.

“Edhe aty te emergjencat kemi vonesa edhe kemi vonesa edhe do të kemi vonesa që është shumë më rëndësi të theksohet sa i përket pakos së rimëkëmbjes, duke e ditur edhe vet problemin e vendimmarrjes, do të thotë e kemi kushtëzimet në shfrytëzimin e shumë mjeteve që mund të vijnë mbështetje në formë të kredive apo përkrahjes financiare nga institucionet financiare ndërkombëtare. Pasi që një pjesë e tyre duhet të kalohen si marrëveshje ndërkombëtare dhe të njëjtat nuk mjaftojnë të miratohen vetëm në qeveri, por duhet të miratohen edhe në Parlament. Në këtë binomin Qeveri-Kuvend kemi tash një hendek në vendimmarrje duke e ditur që Parlamenti e ka shkarkuar qeverinë”, shprehet ai.

I pari i OEK-ut, thotë se Kosova mund të përfitojë rreth 300 milionë euro nga institucionet financiare ndërkombëtare apo nga donatorët. Ndërkaq, sipas tij pako e rimëkëmbjes ekonomike duhet të jetë rreth 600 milionë euro.

“Në variantin më realist rreth 300 milionë euro mund të jenë vetëm nga institucionet financiare ndërkombëtare apo nga donatorët. Normalisht janë edhe shumë projekte të cilat vetëm janë aktuale dhe të cilat mund të modifikohen konform nevojave të ekonomisë pas pasojave që i ka lënë pandemia. Përveç kësaj, duhet të shohim edhe burimet e brendshme, borxhin e brendshëm deri në çfarë mase mund të huazojmë mjete të lira… Ne presim që vlera reale të jetë diku rreth 600 milionë euro, e mundshme, e arritshme dhe sidomos e domosdoshme në këtë kohën kur ka nevojë për një cikël të ri jo vetëm të rimëkëmbjes, po edhe të transformimit të ekonomisë dhe të transformimin e sektorëve të caktuar të ekonomisë që kanë potencial të konkurrojnë”, theksoi ai.

Ai thotë se pako e rimëkëmbjes ekonomike duhet të synojë që sa më shumë mjete të cilat shpenzohen nga pakoja të mbesin në Kosovë dhe të mos shkojnë në importe.

“Pakoja duhet të synojë që sa më shumë mjete të mbesin këtu, do të thotë mjetet që shpenzohen nga pakoja të mbesin brenda vendit, të mos na shkojnë në importe e të mos na shkojnë në vende të tjera në çfarëdo lloj forme. Pra, të kemi sa më shumë qarkullim të brendshëm të parasë dhe kjo pastaj reflektohet pozitivisht dhe ka ndikim në rritjen ekonomike, e sidomos ka shumë më shumë ndikim në rritjen e punësimit në vend. Ky duhet me qenë synimi i pakos”, thotë Rukiqi.

Pas përballjes së vendit me pandeminë COVID-19 një numër i madh i bizneseve në sektorin privat janë mbyllur si masë parandaluese për përhapjen e virusit. Qeveria ka miratuar pakon emergjente prej 179.6 milionë euro.