Transmetuesi publik i Kosovës, RTK, ndodhet në një situatë të vështirë financiare si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, institucionit që vepron si themelues i saj.

Kjo situatë po rrezikon vazhdimësinë e funksionimit të transmetuesit të vetëm publik në vend.


U.d. i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, ka paralajmëruar sfida serioze në vazhdim nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë institucionale.

“Si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës – themeluesit të RTK-së – transmetuesi i vetëm publik në vend po përballet me sfida serioze për vazhdimin e funksionimit”, ka deklaruar Hundozi.

Në përpjekje për të adresuar këtë krizë, drejtues të RTK-së janë takuar me Avokatin e Popullit, Naim Qelaj.

Hundozi ka vlerësuar lart bashkëpunimin. “E falënderojmë për gatishmërinë e tij për të ndihmuar në këtë drejtim”, ka shkruar ai.

Ai ka shtuar se përpjekjet do të shtohen në ditët në vijim për të siguruar alokimin e gjysmës së dytë të buxhetit të RTK-së, i cili tashmë është miratuar nga Kuvendi.

“Do të inteksifikojmë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje lidhur me alokimin e gjysmës së dytë të buxhetit të RTK-së”, ka theksuar Hundozi.

Hundozi ka bërë thirrje që transmetuesi publik të ruajë pavarësinë dhe funksionin e tij pa ndërprerje, pavarësisht krizave politike.

“Transmetuesi publik duhet të mbetet i pavarur dhe të funksionojë pa ndërprerje – edhe në kohë krizash politike e institucionale”, është shprehur ai. /Telegrafi/