Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) po përballet me një krizë të thellë financiare për shkak të mosalokimit të buxhetit për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, duke rrezikuar seriozisht funksionimin e transmetuesit publik dhe mirëqenien e punëtorëve.

Dy sindikatat që përfaqësojnë punonjësit e RTK-së, Sindikata e Pavarur dhe Sindikata e Punëtorëve, kanë ngritur alarmin dhe paralajmërojnë masa sindikale nëse nuk ndërmerren hapa urgjentë nga institucionet përgjegjëse.


Në një reagim të ashpër, Sindikata e Pavarur e RTK-së ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me gjendjen e rënduar financiare të Radiotelevizionit të Kosovës, duke e cilësuar mosfinancimin si shkurtim arbitrar të buxhetit në kundërshtim me ligjin për RTK-në.

Sipas kësaj sindikate, RTK-së për vitin 2025 i janë ndarë vetëm 8.9 milionë euro, shumë kjo dukshëm nën minimumin e nevojshëm për funksionim të qëndrueshëm dhe të pavarur.

“Sipas Ligjit për RTK-në, transmetuesi publik duhet të financohet me 0.7% të buxhetit të përgjithshëm të shtetit, por zbatimi i këtij detyrimi ligjor po anashkalohet”, thuhet në reagim.

Sindikata e Pavarur akuzon edhe disa nga anëtarët aktualë të menaxhmentit të RTK-së për mungesë të përgjegjësisë menaxheriale, e servilitet ndaj politikës, për shkak se nuk e kanë çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Ajo paralajmëron se së shpejti do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me shkurtimin arbitrar të buxhetit të transmetuesit publik.

“Sindikata e Pavarur e RTK-së së shpejti do ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me shkurtimin arbitrar të buxhetit të transmetuesit publik, dhe do të angazhohet fuqishëm që në planifikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2026, RTK-së ti kthehet buxheti i garantuar sipas ligjit për RTK-në. Mosgatishmëria e të gjitha legjislaturave të Kuvendit të Kosovës si themelues i RTK-së, për të gjetur ndër vite një model të qëndrueshëm dhe të pavarur të financimit, e ka lënë Radiotelevizionin e Kosovës edhe 26 vite pas themelimit, pa pronë dhe pa objekt funksional, në kushte pune tejet të papërshtatshme e pa paga të dinjitetshme”, thuhet në reagim.

Në një komunikatë të ndarë, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) konfirmon se që nga e premtja ka nisur angazhime me institucionet përgjegjëse për të shmangur krizën financiare.

SPERTK kërkon që sa më shpejt të alokohet pjesa tjetër e buxhetit të miratuar më herët nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

SPERTK thekson se që në nëntor të vitit 2024, përmes Avokatit të Popullit, ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese për shkurtimin prej 2 milionë euro të buxhetit të RTK-së, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare.

Nëse buxheti nuk alokohet deri më 5 gusht 2025, Sindikata paralajmëron masa drastike.

“Nga data 6 gusht 2025 do të fillojmë me protesta dhe greva të lejuara me ligj, deri në realizimin e kërkesave të drejta të punëtorëve dhe garantimin e stabilitetit financiar të transmetuesit publik,” thuhet në deklaratën e SPERTK-së.

Të dy sindikatat i bëjnë thirrje Kuvendit të Kosovës dhe të gjitha partive politike që të ndërhyjnë urgjentisht për të parandaluar kolapsin financiar të RTK-së, duke kujtuar se ky institucion ende nuk ka as objekt funksional dhe as pronë, edhe pas 26 viteve nga themelimi.

Për të ilustruar hendekun me transmetuesit e tjerë publikë në rajon, Sindikata e Pavarur sjell krahasime domethënëse:

· RTSH (Shqipëri): rreth 27 milionë €

· MRT (Maqedonia e Veriut): rreth 20 milionë €

· RTCG (Mali i Zi): rreth 17 milionë €

· HRT (Kroaci): rreth 180 milionë €

· RTVSLO (Slloveni): rreth 130 milionë €

· RTS (Serbi): rreth 105 milionë €, etj.

Të dy sindikatat duken të vendosura për të mos lejuar që RTK të kalojë në kolaps financiar dhe paralajmërojnë veprime të mëtejshme në mungesë të reagimit institucional. /Telegrafi/