Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar–maj të këtij viti, ka pranuar dhe proceduar gjithsej 3,002 persona brenda objektit të saj.

Bëhet fjalë për palë të ndryshme të thirrura për procedura penale apo për kërkim të informacioneve lidhur me lëndë të caktuara. Në këtë numër përfshihen të pandehur, dëshmitarë, viktima, avokatë, zyrtarë policorë, si dhe përfaqësues të mediave, shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.


Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku ishin proceduar 2,302 palë, vërehet një rritje prej 700 personash, që tregon për intensifikim të aktiviteteve dhe angazhim të shtuar të kësaj prokurorie në trajtimin e lëndëve penale dhe komunikimin me palët.

Prokuroria Themelore në Pejë vazhdon të jetë e përkushtuar për efikasitet, transparencë dhe qasje të barabartë për të gjitha palët në procedurë./Telegrafi/