Rrezarta Krasniqi: LDK në Vushtrri nuk i nënshtrohet pazareve politike

Anëtarja e Kryesisë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe nënkryetarja e Degës në Vushtrri, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike në këtë komunë.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Krasniqi ka bërë të ditur se së bashku me ish-kryetarin e degës, dr. Hysni Gërguri, kanë zhvilluar një takim me strukturat lokale të LDK-së për të diskutuar situatën e krijuar pas marrëveshjeve politike të fundit.
Sipas saj, në takim është shprehur një qëndrim i qartë dhe i bashkuar se çdo veprim apo marrëveshje politike që bie ndesh me Statutin e LDK-së dhe me vendimet e Kryesisë Qendrore është i papranueshëm dhe nuk përfaqëson qëndrimin e LDK-së në Vushtrri.
“LDK në Vushtrri nuk i nënshtrohet pazareve politike, as marrëveshjeve të bëra në kundërshtim me interesin e qytetarëve. LDK do të jetë gjithmonë në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Vushtrrisë, të zhvillimit e të dinjitetit të saj,” ka theksuar Krasniqi.
Ajo ka shtuar se partia do të vazhdojë të qëndrojë fuqishëm për qytetarët, për Vushtrrinë dhe për Kosovën, duke nënvizuar se çdo vendim i degës do të jetë në përputhje me qëndrimet zyrtare të partisë në nivel qendror.


















































