LAJMI I FUNDIT:

​Rreth 300 raste të zjarreve në tri ditët e fundit

​Rreth 300 raste të zjarreve në tri ditët e fundit

Për tri ditë në Kosovë janë shkaktuar mbi 290 raste të zjarreve, ndërkohë që aktualisht aktive janë në Kamenicë, Malishevë e Drenas, raporton KosovaPress.

Drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Genc Metaj deklaroi se gjendja aktuale “paraqet rrezik serioz dhe është jashtë normales”.

Në këtë situatë, tha ai, rrezikohet edhe operacionaliteti i ekipeve në terren.


Në një konferencë për media më 10 mars, Metaj tha se ditëve të fundit është vërejtur shtim i ndjeshëm i rasteve të zjarreve në nivel vendi, përcjellë KosovaPress.

“Kjo gjendje e cila është tani, paraqet rrezik serioz për qytetarët, mjedisin, pronën dhe sigurinë publike. Në ditët e fundit është vërejtur një shtim i ndjeshëm i rasteve të zjarreve në nivel të vendit. Agjencia e Menaxhimit Emergjent, njësitë profesionale të zjarrfikësve dhe të kërkim shpëtimit janë angazhuar me gjitha kapacitetet për të shuar vatrat e zjarreve si dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të tyre. Nga statistikat, nga raportet që kemi marrë nga njësitë e zjarrfikësve, si dhe nga qendrat operative 111, numrat janë si në vijim: vetëm javën e parë të marsit i kemi pasur 57 raste të zjarreve, ndërsa vetëm nga 7 deri më datën 10, që do të thotë vikendin që e lamë pas kanë qenë 294 raste të zjarreve. Prej tyre, 75 kanë qenë malore, 156 fushore dhe 63 zjarre tjera”, u shpreh ai.

Ai tregoi se zjarret aktive janë në Drenas, Kamenicë e Malishevë. Po ashtu, Metaj tha se dyshohet se rastet e zjarreve po shkaktohen nga dora e njeriut.

“Zjarret aktive momentale dhe më serioze janë në Drenas – në fshatin Dobroshec, në Kamenicë – në fshatin Firiqevë dhe në Malishevë – në fshatin Drenoc. Nëse flasim për shkaqet e zjarreve, shkaqet kryesisht janë dora e njeriut, vijnë nga faktori njeri. Ne si agjenci kemi ndërmarrë veprimet e nevojshme, kemi ngritur gjendjen e gatishmërisë në nivel vendi dhe nga sot fillojmë më patrullimet e rregullta të zjarrfikësve në gjitha komunat. Gjithashtu jemi në koordinim, kam pasur edhe takim me zëvendësdrejtorin e Policisë, ku jemi dakorduar që të rritet numri i patrullimeve në nivel vendi por edhe hetimi i këtyre rasteve në mënyrë që kryerësit të sillen para ligjit për veprat e tyre. Kjo situatë çfarë është tani është jashtë normales”, shtoi ai.

Këto raste, Metaj shtoi se vejnë në rrezik operacionalitetin e ekipeve.

“Numri aktual i zjarrfikësve në nivel vendi është 739, pavarësisht që një komunë mund të ketë numër më të vogël të zjarrfikësve, nëse është e nevojshme ata kërkojnë ndihmë në qendrën operative 112 dhe ne i angazhojmë njësitet e zjarrfikësve në rajonet përkatëse, nëse është e nevojshme edhe në nivel vendi. Kështu që është sfidë sa i përket kujdestarisë, mirëpo sa i përket operimit në nivel vendi tregon që kemi kapacitete të mjaftueshme nëse shkojmë në situatë normale. Por këto situata që jemi sot, këto vënë në rrezik edhe operacionalitetin sepse janë të shpërndara në gjithë vendi. 293 raste për tri ditë, është numër i paimagjinueshëm, është enorm”, përfundoi ai. /kp/