LAJMI I FUNDIT:

Rrënimi vazhdon…

Rrënimi vazhdon…
Sulejman Dermaku (foto: A. Sh.)

Nga: Sulejman Dërmaku

Gjatë shkollimit tim, pothuajse të gjitha lëndët i kishim në gjuhë të pushtuesit. Së këndejmi, gjuha e tij ishte lënda kryesore. Katër vargje të një poezie (autori nuk më kujtohet) më qenë ngulitur thellë në mendje, që nuk i kam harruar kurrë. Ato, sikur pasqyronin tërë veprimin e tij pse ishte faktorizuar aq, sa të na sundonte edhe ne. Të shqipëruara, duken kështu:


Ku mbeta unë,
ti vazhdo.
Çfarë s’munda unë,
ti përfundo.

Thosha me vete, kur do të vijë ajo ditë që ne të kemi mundësi të krijojmë një vazhdimësi veprimi në të gjitha fushat…

Porse, medet…

Ja që, kur erdhi ajo ditë, veprimet tona qenë dhe po vazhdojnë të jenë e kundërta e vazhdimësisë dhe e ndërtimit. Sipas veprimeve tona, ato vargje do të dukeshin kështu:

Ku mbeta unë,
ti mos vazhdo.
Çfarë s’munda unë,
ti rrëno.  

Rrënimin, për fatin tonë të keq, duket e kemi në gjak (të mos them në gjen). E çuditshme: lëvdohemi kinse për lashtësinë tonë, e këtej nuk ndërtojmë dot gjë, që do të ishte ndonjë traditë e vazhdueshme, rrjedhimisht edhe dëshmi e lashtësisë sonë në kohë e hapësirë…

Në këtë kontekst, as të vetmen revistë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, “Metafora”, MKRS-ja e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk denjoi ta mbështeste!

Rrënimi vazhdon!

Ndërrohen vetëm rrënuesit. /Telegrafi/