Site icon Telegrafi

Rrëfen një nga minatorët e Trepçës, që mbetën të ngujuar në minierë për disa orë

Foto: Ilustrim

110 minatorë të Trepçës kanë mbetur sot të ngujuar për disa orë brenda minierës, për shkak të prishjes së trafos kryesore të rrymës. Ani pse me vështirësi, ata kanë arritur të dalin jashtë, nëpërmes një linje alternative.

Gani Osmani, në paraditën e sotme, po punonte në horizontin e tetë të minierës së Trepçës. Derisa së bashku me dhjetëra minatorë po gërmonin nën tokë, zjarri përfshiu trafostacionin mbi sipërfaqe. Ku më pas u ndërpre rryma në gjithë hapësirën, e po ashtu u ndërprenë edhe të gjitha lidhjet telefonike dhe mbetën të ngujuar në minierë.

Osmani ka treguar për KosovaPress, se si arritën të dalin nga kjo hapësirë.

“Sot ne punën e kemi fillu në orën 07:00, diku ka ora 11:00, 11:15 është ndalur rryma, kështu përnjëherë edhe lidhjet telefonike janë ndalur përnjëherë. Ne kemi biseduar me këta sinjalistat, është një telefon i improvizuar që është me bateri dhe na lajmëruan se nuk vjen rryma, mund të ndodh gjashtë orë ose deri në tetë orë. Edhe këta punëtorët e kanë marrë një vendim, është dalja e improvizuar, është dalja e dytë ne i themi në pjesën veriore atje të minierës edhe kanë vendosur me dal në këmbë, prej horizontit në horizont”, tha ai.

Ai po ashtu tha se nuk e dinin saktë se çfarë po ndodhte, por që pohon se të gjithë ishin në panik. Madje, thotë se me raste të tilla janë mësuar.

Lexo po ashtu Ngujohen mbi 100 minatorë të Trepçës, nuk ka rrezik për jetën e tyre

“Po na thonë rrogat e mëdha, ne për atë kërkojmë kushte, se qe ku shkruan ‘Me fat’, për atë se këtu është rreziku. Kur po kërkojmë kushte po na thonë, jo i keni rrogat e mira”, ka shtuar ai.

Lexo po ashtu Zjarr në një trafostacion në Trepçë, Mitrovica pa rrymë

Për këtë rast ka folur edhe Kryetar i Sindikatës së Punëtorve të Trepçës, Shyqri Sadiku. Ai thotë se në minierë kanë qenë të ngujuar 110 minatorë.

“Sot na ka ndodh një avari, mos të them një eksplodim i trafos kryesore në Parkun Industrial që e furnizon minierën me rrymë dhe për një kohë të gjatë, mos të them gjashtë orë diku, kanë mbetur të ngujuar diku 110 minatorë brenda, që kanë qenë brenda në minierë. Unë besoj që alternativa është gjetur pas gjashtë orëve diku, shtatë orëve, që është gjetur një lidhje tjetër”, tha Sadiku.

Sipas tij, gjendja shëndetësore e të gjithë minatorëve të ngujuar për disa orë në minierë është e mirë.

Ndërsa, Halil Mehmeti teknik i elektros, ka treguar për djegien e trafos kryesore të kombinatit, në Parkun e Biznesit në Mitrovicë. Ai thotë se në atë kohë ishin duke punuar gjashtë deri në shtatë persona, mirëpo nuk ka të lënduar.

“Këtu kanë qenë gjashtë shtatë persona, të lënduar nuk ka. Fati, kanë mundur të jenë të gjithë të vdekur. Vetëm kishin pas fat, janë shpëtuar sepse ka qenë një avari e fortë këtu. Dhe po them një krismë e madhe që ka shkuar këtu”, ka përfunduar Mehmeti./kp/Telegrafi/

Foto nga arkivi

Exit mobile version