Ronaldo dhe Zidane u përballën në “Bajram Aliu”, vaki interesante nga Superliga e Kosovës

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në javën e 11-të të Superligës së Kosovës, ku në stadiumin “Bajram Aliu” të Skenderajt, Drenica u përball me Dritën – në një ndeshje që solli jo vetëm gola dhe emocione, por edhe dy emra të mëdhenj… në versionin kosovar: Ronaldo dhe Zidane, shkruan Telegrafi.
Kuqezinjtë e Drenicës arritën një fitore mbresëlënëse me rikthim rezultati 3-1, pasi ishin në disavantazh 0-1 në pjesën e parë. Sulmuesi Ronaldo Chacón, 27-vjeçari nga Venezuela, ishte protagonisti kryesor i takimit, duke realizuar dy gola vendimtarë për fitoren e skuadrës së tij.
Ai ka shënuar tashmë tre gola në kampionat, duke u bërë një nga prurjet më të suksesshme të afatit kalimtar të verës për Drenicën.

Në anën tjetër, për Dritën startoi Ben Zidane, një 20-vjeçar nga Bregu i Fildishtë, që javën e kaluar kishte gjetur golin e tij të parë në Superligë ndaj Ferizajt.
Zidane është cilësuar si një talent premtues dhe një nga lojtarët që mund të shfaqet si surprizë në vazhdimin e sezonit.

Në këtë ndeshje, përveç dopietës së Ronaldos, Kreshnik Uka shënoi golin tjetër për Drenicën, ndërsa për Dritën realizoi Albert Dabiqaj.
Ky duel midis “Ronaldos” dhe “Zidanes” ka zgjuar interesin e tifozëve, duke sjellë një ngjyrim të veçantë në futbollin kosovar.
Drenica e ka mposhtur Dritën kampione dy herë brenda këtij sezon, pasi edhe në ndeshjen e parë në Gjilan, triumfoi me rezultat 1-0. /Telegrafi/



















































