Ron Raçi dhe viti që i ndryshoi jetën – Prishtina, Kosova dhe ambicia për më shumë

Ron Raçi është një nga lojtarët më të spikatur të sezonit të fundit te Prishtina, ku falë paraqitjve të tij ai mori ftesë nga Kombëtarja e Kosovës dhe në qershor bëri debutimin e tij. Për vitin e tij spektakolar, ai ka folur në një intervistë për Telegrafin.
Në sezonin e tij të parë me klubin kryeqytetas, ai arriti të bëhet titullar i pandryshuar në mbrojtje, duke shënuar dy gola dhe asistuar një herë në 31 paraqitje.
Ai ishte ndër mbrojtësit më aktivë në rikuperimin e topave, duke ndihmuar skuadrën e tij të fitojë Kupën e Kosovës dhe të kualifikohet për garat evropiane.
Performancat e tij të shquara i dhanë mundësinë të ftohet nga trajneri i Kombëtares, Franco Foda, për ndeshjet e qershorit, ku Raçi debutoi me sukses ndaj Komoreve në fitoren 4-2.
Në intervistën e dhënë për Telegrafin, Ron Raçi foli për arritjet e sezonit, ndjenjat e ftesës në Kombëtaren e Kosovës, debutimin dhe planet për të ardhmen.
Raçi fillimisht e vlerëson lartë triumfin në Kupën e Kosovës me Prishtinën dhe shpreh optimizmin për garat evropiane.
“Fitorja në Kupën e Kosovës është padyshim suksesi më i madh në këtë sezon që sapo përfundoi, dhe dalja në garat evropiane është diçka që e kemi pritur prej kohësh. Besoj se lojërat e mira dhe fitoret në ndeshjet kualifikuese në Ligën e Evropës janë fillimi më i mirë i mundshëm për sezonin që po vjen”, deklaroi fillimisht Raçi për Telegrafin.
Gëzimi dhe krenaria e thirrjes në Kombëtare e Kosovës, vlersohet si një nga çastet më të lumtura që ka përjetuar deri tani, jo vetëm për të, por për të gjithë familjen. Ai tregon emocionet e momentit kur mori ftesën.
“Momenti i thirrjes nga ekipi kombëtar ishte një nga çastet më të lumtura që kam përjetuar deri tani, njëkohësisht edhe gëzim i madh për familjen time. Ta përfaqësosh vendin tënd është nder dhe krenari, dhe do jem çdoherë i gatshëm të jap gjithçka nga vetja për ta përfaqësuar fanellën dardane dinjitetshëm. Është thjesht ëndërr që po e jetoj”, nënvizoi Raçi.
Mbrojtësi i çeliktë flet për debutimi i paharrueshëm kundër Komoreve në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe e quan si një përvojë unike.
“Të luash për kombëtaren është ëndërr për çdo lojtar, dhe debutimi në ‘Fadil Vokrri’ kundër Komoreve ishte një ndjenjë e papërshkrueshme që do ta mbaj mend gjatë. Gjithçka ndodhi shpejt dhe nuk e prisja të luaja nga minuta e parë, por trajneri më besoi dhe shpresoj që kam bërë një paraqitje të mirë”, ka thënë ai.
Raçi po e shijon një periudhë të shkëlqyer në karrierën e tij dhe tashmë po përgatitet për një hap më të madh në futbollin evropian. Me një sezon të suksesshëm pas krahëve, ai tregon se ka marrë oferta nga disa klube evropiane dhe është i vendosur të vazhdojë përparimin e tij.
“Mendoj se kam pasur një sezon të mirë me Prishtinën dhe jam rritur si lojtar. Ka interes nga disa klube në Evropë për mua dhe agjentët e mi po punojnë në atë drejtim. Për momentin, fokusi është përgatitja për ndeshjet në Ligën e Evropës që të paraqitemi sa më mirë. Do të shohim çfarë do të ndodhë pasi të përfundojmë ndeshjet kualifikuese. Jam i uritur për të pasur një karrierë të madhe”, përfundoi Raçi.
Me këtë ambicie dhe paraqitjet e tij, Raçi si një nga lojtarët më premtues të futbollit kosovar, është i gatshëm të përfaqësojë denjësisht Kosovën edhe në nivele më të larta. /Telegrafi/















































