Rodrygo nuk e ka menduar asnjëherë largimin nga Reali

Sulmuesi brazilian Rodrygo nuk e ka marrë asnjëherë në konsideratë largimin nga Real Madridi këtë verë, pavarësisht spekulimeve të shumta në media, raporton Fabrizio Romano.
Në Spanjë u raportua se 23-vjeçari ishte në shënjestër të klubeve të mëdha si Liverpool, PSG dhe Manchester City gjatë afatit kalimtar, por Romano thekson se lojtari ka mbetur i përkushtuar ndaj “Los Blancos” dhe nuk ka hapur derën për një transferim të mundshëm.
Gjithashtu, kuptohet që Manchester City nuk ka paraqitur kurrë një ofertë zyrtare, edhe pse brenda klubit janë zhvilluar diskutime për të.
Rodrygo vazhdon të shihet si një element kyç i Real Madridit, edhe pse në këtë fillimsezon ka qenë titullar vetëm në një nga tre ndeshjet e para në La Liga.
Me objektivat e larta të madrilenëve në kampionat dhe në Evropë, pritet që braziliani të ketë shumë minuta loje gjatë pjesës tjetër të sezonit. /Telegrafi/


















































