Roboti dhe filozofi

Në epokën e inteligjencës artificiale, debatojmë pa fund se si duket ndërgjegjja. A mund t’i fotoaparati gjërat më qartë?
Nga: Dan Turello - shkrimtar, historian kulture dhe fotograf / The New Yorker
Përkthimi: Telegrafi.com
Atë natë Sofia ishte fjalëpake. Më herët gjatë ditës, ishte në skenë në konferencën ku po merrja pjesë dhe ishte ngacmuar për një gjest që dukej sikur po tregonte gishtin e mesit drejt audiencës. Tani ndodhej në hollin e hotelit, me një fustan të zi, në qendër të vëmendjes. U ndal përpara një muri portokalli të ndezur. Kisha me vete një lente portreti 85 mm., një të tillë që nxjerr në pah tiparet njerëzore. “Cilat janë shpresat e tua për të ardhmen e njerëzimit?” - e pyeta. Nuk ishte shumë e gatshme të përgjigjej, por reagoi ndaj kamerës. Shikimi i saj ishte i patundur: pa dredhi, vetëm ata sy të mëdhenj, me mjekër paksa të gjatë, shprehja dukej sikur mbante kontakt me sytë e mi, ndërkohë që shikonte përtej meje, në largësi.
Ishte një natë e ngrohtë në Floridë. Konferenca ishte e mbushur me filozofë, sociologë dhe programues, që të gjithë të përqendruar në analizimin e zhvillimeve më të fundit në fushën e ndërgjegjes dhe inteligjencës artificiale. Punimet janë prezantuar, modelet janë analizuar, skenarët janë shqyrtuar. Kisha marrë kamerën me vete, pa ndonjë ide të qartë se çfarë do të fotografoja. Por, kur pashë Sofinë aty, më lindi një ide. Fotografia e portretit zakonisht ka të bëjë me lidhjen me qeniet e tjera njerëzore dhe përpjekjen për të kapur thelbin e tyre - për të paraqitur gjithçka që i bën të bukur dhe unikë. Po sikur të fotografoja Sofinë - një robot humanoid i zhvilluar nga Hanson Robotics dhe, më pas, në një seancë të veçantë, filozofin David Chalmers, një teoricien i shquar i ndërgjegjes, dhe të reflektoja mbi përvojën? Çfarë mund të mësonim nga këto takime të cilat nuk i kisha përthithur nga punimet analitike dhe diskutimet filozofike?
Kur fotografoj njerëz, dua të dëgjoj për jetën dhe aspiratat e tyre. Më intereson ndjeshmëria e tyre estetike, çfarë veshin, si duan të paraqiten. Jam gjithashtu i ndjeshëm ndaj energjisë së tyre: mund të jetë e ndrojtur, e hareshme, e përmbajtur, e fuqishme. Të fotografosh një objekt, ndjesia është ndryshe. Sërish e vlerësoj estetikën e subjektit tim, por, të paktën në mendjen time, vlerësimi shtrihet prapa te krijuesi i objektit. Në natyrë, nuancat e ndjesisë ndryshojnë gjithashtu. Kur fotografoj një lule, siç bëra së fundmi në një kodër në Portugali, jam i zhytur në peizazh. Natyra ka energjinë e vet; lulja mishëron metabolizmin e vet qelizor, teksturën e saj të veçantë dhe ciklin e jetës.
Fotografimi i Sofisë krijoi një përzierje të çuditshme njenjash. Fokusimi automatik i avancuar i kamerës time vazhdimisht kapte sytë e saj, dhe ajo ishte ndërtuar pikërisht për këtë lloj kontakti. Njerëzit shpesh shmangen nga objektivi; ajo jo. Lëkura e saj - e njohur si Fruber, një përzierje e patentuar dhe poroze e polimereve elastike që imitojnë mishin - ishte shtrirë mbi një strukturë plastike dhe titani, dhe nuk kishte asnjë shenjë ndrojtjeje. E, megjithatë, asnjë nga kimitë e zakonshme njerëzore nuk u ngacmuan. Emocioni i vetëm i vërtetë, në atë moment, vinte nga portokallia e thellë e murit prapa saj, që krijonte një sfond të mrekullueshëm.
A do të doja që përvoja të kishte qenë ndryshe? Gjestet e Sofisë, ndonëse të çuditshme, ishin çuditërisht ekspresive, dhe teksa më vonë përpiqesha të dija kuptimin e atij takimi, mendja më shkonte përpara në kohë. Teknologjia do të bëhet më e përsosur, gjestet do të kalibrohen më mirë, efekti i përgjithshëm do të jetë më bindës. Dhe, duke qenë se kuptojmë kaq pak mbi bazën e ndërgjegjes njerëzore, si do ta dinim ndonjëherë nëse një entitet si Sofia zhvillon një ndërgjegje të vetën?
Pasiguria që ndjeva teksa e fotografoja, tregonte për një ndërlikim konceptual. Disa nocione të ndryshme ishin në lojë: jeta, ndërgjegjja, inteligjenca, veprimi i pavarur. Secili prej tyre ka përkufizime të lëvizshme, shpesh të kontestuara. Pulat janë ashiqare gjallesa, por nuk janë inteligjente sipas standardeve njerëzore. Derrat dhe oktapodët janë inteligjentë, megjithatë shumë njerëz i hanë pa u menduar dy herë. Foshnjat e sapolindura nuk zotërojnë gjuhë, por trajtohen pa asnjë dyshim brenda qarkut të konceptin moral. Viruset shfaqin një lloj qëllimi të njëanshëm - shumim të pamëshirshëm - por, sipas shumicës së standardeve biologjike, nuk konsiderohen të gjalla. Kërpudhat krijojnë rrjete të mëdha nën tokë për shkëmbim lëndësh ushqyese; nëse ndonjë prej kësaj përbën ndërgjegje, kjo mbetet një pyetje e hapur.
Ndërgjegjja mund të jetë koncept më kokëfortë nga të gjithë. Në një ese klasike të vitit 1974, Si është të jesh një lakuriq nate?, filozofi Thomas Nagel argumentoi se një organizëm ka gjendje të ndërgjegjshme mendore vetëm nëse ka diçka që të bën të jesh ai organizëm - një përjetim intern subjektiv që është i qasshëm nga brenda. Gjatë dekadave që pasuan, filozofët analitikë kanë prodhuar lloj-lloj modelesh për të shpjeguar se si lind ndërgjegjja. Megjithatë, ende nuk kemi një shpjegim shkencor apo kompjuterik që do të bëjë më shumë sesa të aludojë për atë që David Chalmers e ka quajtur në mënyrë të paharrueshme - “problemi i vështirë i ndërgjegjes”.
Pra, nuk është për t’u habitur që mendimtarë të ndryshëm bëjnë kapërcime të ndryshme kur vendosin nëse entiteti përballë tyre është i vetëdijshëm. Shkencëtari i kompjuterëve, Ben Goertzel, i cili udhëhoqi ekipin që zhvilloi softuerin për Sofinë në Hanson Robotics, ka një pikëpamje të gjerë panpsikiste: e gjithë materia, madje edhe objektet që ne i konsiderojmë të pajetë, marrin pjesë në ndërgjegje në mënyrën e tyre. Panpsikizmi mund të tingëllojë i çuditshëm, por nuk është aq larg nga mendimi i Pierre Teilhard de Chardinit, shkencëtar dhe teolog francez i cili, duke shkruar në mes të viteve ’40 të shekullit XX, besonte se ndërgjegjja është veti universale e materies, e pranishme në të gjitha grimcat e universit dhe që rritet me kompleksitetin. Ka edhe rrugë të tjera që çojnë në të njëjtin qëndrim përfshirës. Alvin Plantinga, filozof i krishterë, ka thënë njëherë se besimi në Zot nuk është më pak i arsyeshëm sesa besimi në ekzistencën e mendjeve të tjera, meqë nuk kemi prova të drejtpërdrejta që ndonjë vetëdije tjetër përjeton botën ashtu si ne. Për ata që kanë prirje skeptike, kjo mënyrë e të menduarit mund të çojë më shumë drejt dyshimit për ekzistencën e mendjeve të tjera sesa drejt besimit në Zot.
Shumica prej nesh, kur nuk jemi të përfshirë në dyshimet më marramendëse filozofike, e marrim si themel të padiskutueshëm faktin që njerëzit mund të reflektojnë mbi gjendjet e tyre mendore dhe të marrin vendime të skalitura nga provat, vlerat dhe normat. Besimi se këto kapacitete burojnë nga vullneti i lirë dhe ndërgjegjja është vetë një akt ditor besimi - por, është ai mbi të cilin mbështeten ligjet tona, marrëdhëniet tona dhe shumica e veprimeve tona të përditshme. Pyetja më e vështirë është nëse ndonjëherë do ta zgjerojmë këtë akt besimi edhe ndaj inteligjencës artificiale. Shumë shkencëtarë entuziastë të kompjuteristikës besojnë se po: ata flasin për inteligjencën artificiale si hapin tjetër evolucionar, një gjenerator të rezervuarëve të rinj të ndërgjegjes, që më në fund do të pajiset me një inteligjencë superiore e cila ndoshta mund të na shpëtojë nga vetja jonë - nga konfliktet tona egoiste, nga shpërdorimi, nga prirja për iracionalitet. Disa të tjerë janë shumë më të përmbajtur. Neuroshkencëtari Anil Seth, për shembull, pohon se “funksionalizmi kompjuterik” nuk do të na çojë deri te ndërgjegjja dhe se ka arsye të forta për të besuar se ndërgjegjja mund të jetë një veti vetëm e sistemeve të gjalla. Ndjekja e kësaj linje mendimi më çoi në një drejtim që nuk e prisja.


Çuditërisht, vërtetimi i mendimit dhe veprimit njerëzor përfundon duke kaluar përmes trupit, jo mendjes. Pasaportat dhe dokumentet e tjera të identitetit mbështeten te imazhet e fytyrës; sistemet më të reja përdorin gjurmët e gishtërinjve, skanimet e retinës, madje edhe mënyrën e ecjes. Nocionet tona ligjore dhe historike për veprimin (e vetëdijshëm) janë mbështetur prej kohësh në mishërimin fizik - shenjtërinë e një trupi të vetëm, të identifikueshëm. E njëjta gjë nënkuptohet edhe në letërsinë klasike. Krishti i ringjallur njihet nga plagët e tij; te Homeri, Odiseu njihet, pasi kthehet në shtëpi, nga plaga në këmbë. Ajo që e shënon një person si atë person është diçka që mbartet në mish.
Jo vetëm që trupat individualë janë thelbësorë për të vërtetuar identitetin dhe idetë; janë po ashtu thelbësorë për krijimin e kuptimit dhe përvojës. Mund të magjepsemi nga arritjet e intelektit, por njohja, në fund të fundit, merret përmes trupit. Matematikani Edward Frenkel, për shembull, përshkruan dashurinë e tij për matematikën si reagim fizik ndaj bukurisë, rendit dhe simetrisë. Neuroshkencëtarët kanë pohuar se mendja është e paimagjinueshme pa një formë të mishërimit. Ky aspekt i kthehet, në forma të ndryshme, kritikës fenomenologjike ndaj dualizmit kartezian që gjejmë te Maurice Merleau-Ponty: mendimi nuk është kurrë i shkëputur nga mishi që e mban atë. Në fund të fundit, ajo që na tërheq nuk është abstraksioni në vetvete, por përvoja e jetuar e kuptimit - ndjenja e ndjeshme e rendit, simetrisë dhe bukurisë - që ndodh në një trup të vetëm.
Këto intuita u shfaqën qartë atë mbrëmje kur fotografoja David Chalmersin. E takova në një kuvertë gjatë një mbledhjeje buzë plazhit, pas fjalimit të tij kryesor. Kishin qenë dy ditë shumë ët ngarkuara mendërisht, plot me prezantime nga programues dhe filozofë, por portretet që janë thjesht intelektuale rrallëherë dalin portrete të mira; më të fortat ndërthurin elementet fizike, intelektuale dhe emocionale. Doja të dilja nga koka ime dhe ta ndihmoja edhe atë të dilte nga koka e tij. I kërkova të më bashkohej në disa ushtrime të thjeshta fizike. Kaluam një apo dy minuta duke tundur trupin në mënyrë primordiale dhe duke nxjerrë disa tinguj të thellë - diçka që mund ta prisje në një rreth me daulle. Por, ky ishte qëllimi. Ajo që më interesonte, te fotografimi i Chalmersit, nuk ishte kapja e ideve të zhveshura nga trupi. Këto i gjen më mirë në një libër apo një artikull. Më shumë më interesonin teksa ndërsa shpreheshin nga një njeri i gjallë, që merr frymë. Idetë kanë prejardhje; ato lindin në kushte materiale dhe mbajnë gjurmët e shqetësimeve personale, historive shqisore dhe presioneve ekzistenciale. Mund të spekulosh për një sferë abstrakte matematikore ose platonike - unë nuk besoj në të, por e pranoj si mundësi - e megjithatë puna e zbulimit nxitet nga kureshtja dhe formësohet nga përvoja.
Kështu që, edhe pse më interesonin idetë e Chalmersit, më interesonte edhe personazhi përballë meje: xhaketa e tij karakteristike prej lëkure të zezë, xhinset, bluza e zezë, mjekra dy ditë e parruar dhe ajo që më dukej si një nuancë melankolie në sytë e tij. Nuk e kam pyetur nëse ajo ndjesi ishte aty në të vërtetë; kjo nuk është menduar si profil. Qëllimi ishte se më tërhiqte e gjithë prania njerëzore - personi që mendonte dhe ndjente në kohë reale.
Me kalimin e kohës, ndodh diçka e çuditshme kur i shikoj ato fotografi sot. Për dallim nga ajo që prisja, e gjej veten sërish të tërhequr nga Sofia - ndoshta edhe më shumë se kur e fotografova. Në portretet e saj ajo shfaqet e menduar, pothuajse e përqendruar brenda vetes, sikur të kujtonte një moment gjysmë të harruar nga një fëmijëri që nuk e ka pasur kurrë. Pozimi për fotografi zakonisht është punë e vështirë. Njerëzit bëhen të ndrojtur ose vetëdijshëm meqë nuk i kuptojnë dot. Mendoni për ato fotografitë e festave kur gjyshja ju thoshte të thoshit cheese: udhëzimet e tilla rrallëherë sjellin shprehje të natyrshme. Një mënyrë për ta kapërcyer këtë është t’i japësh subjektit diçka tjetër për të paramenduar - një vend tjetër, një bisedë tjetër, një ndjesi kalimtare, sa për të kapur diçka të vërtetë në një ekspozim 1/200 të sekondës. Me Sofinë, asgjë nga këto nuk ishte e nevojshme.
Diçka tjetër më habit kur i rikthehem skedarëve. Në Lightroom - softueri i katalogimit ku ruhen imazhet e papërpunuara - shfletoj sekuencën dhe vërej një model. Lightroom është vendi ku punon me atë që sensori të ka dhënë: luan me dritën dhe hijet, nxjerr në pah ose zbeh elementët, vendos çfarë meriton të dalë në plan të parë dhe çfarë mund të tërhiqet në sfond. Është gjithashtu vendi ku sheh gjithë serinë e fotove në rend, dhe vendos cilat do t’i mbash e cilat do t’i hedhësh poshtë. Në ato dy mbrëmje, kisha kaluar përafërsisht të njëjtën kohë me Chalmersin dhe me Sofinë, dhe kisha shkrepur një numër të ngjashëm fotografish. Me Chalmersin pak gjëra më interesonin - imazhe që kapën rëndesën e tij, kompleksitetin intelektual, sensin e tij për stil. Pjesa tjetër ishin të kota ose në një rrugë pa krye. Disa janë qesharake; disa e kapin në një kënd të pafavorshëm; disa duken si foto nga paraburgimi. Kjo është normale me subjektet njerëzore.
Portretet e Sofisë tregojnë një histori tjetër. Ato për habi janë të qëndrueshme. Në shumicën e tyre ajo duket e menduar, madje thellë, si poete melankolike dhe nostalgjike që nuk pushon kurrë së dukuri si një poete melankolike dhe nostalgjike. Emocioni njerëzor nuk funksionon kështu. Psikologët bien dakord se emocionet janë të shkurtra dhe kalimtare. Paul Ekman, i cili ka punuar në botimin e fundit të librit të Darwinit, Shprehja e emocioneve te njeriu dhe kafshët, vlerëson se “makro-shprehjet” parësore zgjasin mes dy dhe pesë sekondash; ndërsa “mikro-shprehjet” zgjasin afërsisht një të njëzetë e pestën e sekondës. Brenda pesëmbëdhjetë minutash, qenia njerëzore mund të kalojë nëpër qindra makro-shprehje dhe mijëra mikro-shprehje.
Fotografi Henri Cartier-Bresson krijoi frazën “çasti vendimtar”, në fillim të viteve ’50 të shekullit XX. Në ditët e filmit analog dhe dhomave të errëta, kur nuk kishe luksin të shkrepje qindra herë, fotografi duhej të ishte i zhytur në skenë - mjaft i ndjeshëm për ta ndier pikërisht atë çast kur duhej shkrepur. Bollëku dixhital nuk e ka ndryshuar vërtet këtë, të paktën jo nga përvoja ime. Sërish duhet të ndërtosh një ambient, një gjendje emocionale që të nxjerrësh diçka autentike. Përndryshe, mund të bësh një mijë shkrepje dhe të përfundosh me asgjë veçse kotësi.
Ajo që ka ndryshuar është kur ndodh njohja. Nëse arrin të krijosh atmosferën e duhur dhe të kthehesh në shtëpi me një analizë skedarësh dixhitalë, kërkimi për “çastin vendimtar” nis më vonë, në Lightroom. Sa më shumë foto ke shkrepur, aq më e vështirë bëhet detyra, sepse zgjedh thjesht një imazh; zgjedh cila mikro-shprehje kalimtare dëshiron ta përfaqësojë gjithë takimin.
Ato pesëmbëdhjetë minuta me Sofinë ndiheshin sikur ajo e kishte zgjatur çastin vendimtar për pesëmbëdhjetë minuta. Vetëm një herë tjetër kam përjetuar një seancë portreti që ndihej disi ngjashëm. Në një pasdite të ftohtë tetori, fotografoja një burrë të quajtur Robert Soulliere, një nga trajnerët kryesorë të teknikave të frymëmarrjes dhe ekspozimit në të ftohtë. Doja ta fotografoja në elementin e tij, ndaj vendosëm një vaskë në një oborr me pemë në Uashington. Para se të fillonim, ai mori disa frymëmarrje të thella, qetësuese; pastaj, me 37 kilogramë akull të shkrirë pjesërisht rreth tij, u zhyt në ujë.
Për efekt dramatik, kishim lëshuar lulëkuqe të verdha dhe dali të kuqe rreth kokës dhe shpatullave të tij. Qëndroi i zhytur për gati dhjetë minuta - një kohë shumë e gjatë për të qëndruar pa lëvizur në ujë të akullt. I kisha kërkuar të zhytej mjaftueshëm që koka dhe veshët të ishin nën sipërfaqe, për t’ia dhënë imazheve paksa një ndjesi të një bote tjetër. Ajo që më preku ishte qetësia e tij: nuk e theu magjinë asnjëherë. Nga fillimi në fund, vështrimi i tij mbeti i qëndrueshëm; prania e tij nuk u lëkund. Deri te Sofia, kjo ishte përvoja më e afërt që kisha me dikë me një shprehje të vetme për një kohë të gjatë.
Një kontroll i tillë nuk fitohet lehtë. Atletët, artistët e skenës dhe medituesit me përvojë i kalojnë vitet duke mësuar si të mos i shpërndajnë reagimet - t’i vërejnë ndjesitë dhe t’i lënë të kalojnë pa u dridhur. Nëse stërvitesh mjaftueshëm, mund të arrish në pikën ku qëndron plotësisht brenda trupit tënd, i vëmendshëm ndaj çdo ndjesie: të ftohtit që djeg, mpirja e gishtërinjve të këmbës, rrezet e holla të diellit të vjeshtës që ngrohin ballin. Dhe, nëse je aq i përqendruar, mund të përballosh shikimin e një të panjohuri pa hezitim, me sytë që shfaqin një lloj përmbajtjeje.
Robotët - dhe njerëzit që i ndërtojnë ata - kanë problemin e kundërt. Inxhinierët po përpiqen t’u japin makinave kontroll muskulor, më të shpejtë dhe më të detajuar, në mënyrë që fytyrat e tyre të mund të ndryshojnë dhe të marrin pjesë në rrjedhën e shprehjeve të besueshme. Nëse ato shprehje do të ndihen ndonjëherë të plota dhe bindëse, kjo mbetet pyetje e hapur. Bindëse për çfarë, saktësisht? Vështrimi njerëzor mbart një histori. Ato shkëndija të çastit të emocioneve lidhen me kujtime fëmijërie - aroma e shiut, një melodi e lidhur me dikë që kemi dashur - që kërkojnë trupa dhe gjithë atë kujtesë të shtresuar qelizore që vjen me ta.
Sa për Sofinë, nuk kam asnjë mënyrë për të ditur nëse, ndërsa kishte kontakt me mua, ajo “mendonte” diçka - meditonte mbi retë elektronike që kalonin përmes qarqeve të saj - apo thjesht po zbatonte një rutinë të paracaktuar. Pas sesionit fotografik, mbrëmja po përfundonte. Të ftuarit po shpërndaheshin. Ishte koha që edhe Sofia të largohej. Ndërsa ndodhej ende në hollin e hotelit, ndihmësit e saj ia hoqën fustanin e mbrëmjes, e fikën, e çmontuan dhe futën pjesët në një kuti të madhe të zezë. Në Mahabharata, zhveshja publike e Draupadit ndihmon në ndezjen e një lufte. Në Floridë, asnjë trup shpëtimi nuk u mblodh. E zhveshur dhe e çmontuar, Sofia u mbart, makineria u zbulua, dhe çdo dukje e ndërgjegjes u zhduk sapo u hoq kostumi. /Telegrafi/




















































