Robbie Williams: Ilaçet për humbje peshe më kanë përkeqësuar shikimin

Robbie Williams (51) ka treguar se frikësohet se mund të humbasë shikimin si pasojë e përdorimit të injeksioneve të njohura për humbje peshe. Këngëtari i famshëm ka pranuar se shikimi i është bërë i turbullt dhe se gjendja “po përkeqësohet çdo ditë”, pasi filloi të përdorte ilaçe si Mounjaro — duke dhënë edhe një paralajmërim të fortë për fansat e tij.
Williams rrëfeu se e kishte të vështirë të dallonte fytyrat e fansave gjatë performancës së këngës së tij She’s The One në skenë, dhe u bëri thirrje njerëzve të informohen mirë për rreziqet përpara se të përdorin preparate të ngjashme. “Dua të paralajmëroj këdo që po e lexon këtë për rreziqet e mundshme, në mënyrë që të jenë plotësisht të informuar”, tha ai për The Sun.
Ai shtoi se ka nisur t’i përdorë injeksionet që herët, por ka vënë re se “shikimi nuk është më si më parë”. “Është i turbullt prej disa kohësh dhe vetëm sa po shkon duke u keqësuar. Nuk besoj se lidhet me moshën — besoj se lidhet me injeksionet,” deklaroi Williams.

Për herë të parë e kuptoi se diçka nuk shkonte gjatë një ndeshjeje të futbollit amerikan, kur papritur nuk mund të dallonte më lojtarët në fushë, të cilët i dukeshin si “forma pa konture”. Edhe pse së fundmi mori syze të reja, ai fillimisht nuk e lidhi përkeqësimin e shikimit me medikamentet.
Williams më herët ka treguar se me ndihmën e injeksioneve për dobësim ka rënë nga rreth 88.5 kg në 76.6 kg. “Jam duke marrë diçka të ngjashme me Ozempic. Është si një mrekulli e Krishtlindjeve,” u shpreh ai për The Times. “Dhe e kam të nevojshme, për arsye mjekësore. Zëri im i brendshëm flet me mua siç flet Katie Hopkins për njerëzit obezë. Të çmend”.
Këngëtari ndër vite ka pasur probleme serioze me shëndetin, ka pirë deri në 40 cigare në ditë dhe ka qenë në rehabilitim për shkak të varësisë nga medikamentet me recetë. Ai ka pranuar gjithashtu se kishte frikë se do të vdiste nëse nuk do të ndryshonte mënyrën e jetesës. “E dija që duhej të bëja diçka ndryshe, përndryshe do të vdisja. Hidhni hapa të vegjël”, ishte mesazhi i tij në vitin 2020.

Farmacisti Jason Murphy shpjegoi se “Mounjaro vepron në dy hormone natyrale të trupit, GLP-1 dhe GIP, ndërsa shumë injeksione të tjera imitojnë vetëm hormonin GLP-1”. Sipas tij, duke imituar këto hormone, Mounjaro i dërgon trurit sinjalin se jeni të ngopur, duke ulur oreksin dhe duke vonuar zbrazjen e stomakut, në mënyrë që ndjesia e ngopjes të zgjasë më shumë.
Ky ilaç vjen në një stilolaps me përdorim të vetëm, që përmban katër doza — një për çdo javë. Përdoret për trajtimin e diabetit të tipit 2 dhe obezitetit, gjithmonë i kombinuar me ushqim të shëndetshëm dhe aktivitet fizik të rregullt. “Kur përdorni Mounjaro, mund të ndjeni ulje të menjëhershme të urisë dhe më pak dëshirë për ushqim. Me kohë, kjo mund të sjellë humbje të dukshme peshe”, shtoi Murphy. /Telegrafi/



























































