Kryetarja e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve, Zhaklina Peshevska, ka takuar grupin e punës për ndjekjen e zbatimit të Planit të Veprimit për Avancimin e Barazisë midis Femrave dhe Meshkujve në Kuvend, ku ka konstatuar se nga vendet të cilat kanë planin e tretë të veprimit, RMV-ja është vendi i dytë në Evropë, edhe atë pas Suedisë.

Qëllimi i këtij takimi, sipas kryetares së Kuvendit, ishte që të vlerësohet progresi i deritanishëm, të identifikohen sfidat në zbatim dhe të koordinohen hapat e ardhshëm për forcimin e politikave dhe masave që promovojnë barazinë gjinore dhe mundësitë e barabarta në institucionet shtetërore.


“Atë të cilën mund ta them është se si plan të tretë të veprimit jemi vendi i dytë në Evropë pas Suedisë. Ajo që është shumë më e rëndësishme është fakti se gjatë kësaj kohe kemi shënuar progres në realizimin e planit të veprimit. Atë të cilën e kishim planifikuar, ishte që ta rrisim rolin mbikëqyrës të Kuvendit mbi institucionet", deklaroi kryetarja e Komisionit për Mundësi të Barabarta, Zhaklina Peshevska.

Plani i Veprimit për Avancimin e Barazisë midis Femrave dhe Meshkujve në Maqedoni ka për qëllim promovimin e mundësive të barabarta për femrat dhe meshkujt në të gjitha fushat e jetës publike dhe private, parandalimin dhe luftimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, si dhe fuqizimin institucional, përmes koordinimit të institucioneve shtetërore dhe monitorimit të zbatimit të masave. Të gjitha këto në praktikë nuk po realizohen me dinamikën e dëshiruar.

“Ne në të kaluarën si grup i deputeteve dhe si Komision kemi sjellë disa përfundime për zmadhimin e përfaqësimit të grave në politikë, si: 50 për qind të jenë gra në listat e deputetëve dhe këshilltarëve komunalë; 40 për qind të jenë të përfaqësuara në Qeveri dhe 30 për qind në kryetare të komunave, por kjo nuk po implementohet. Ne sado të jemi progresive, akoma po ballafaqohemi me disa mendime dhe stereotipe në shoqëri se gratë duhet të jenë amvise në shtëpi, se më shumë do të votonin për burra sesa për gra dhe se këtë luftë të gladiatorëve gratë pak i rreken punës që ta bëjnë këtë betejë.”, – theksoi kryetarja e Komisionit për Mundësi të Barabarta, Zhaklina Peshevska.

Sipas Peshevskës, nëse analizohen edhe komisionet dhe delegacionet e Kuvendit dhe të Qeverisë, gratë nuk janë të përfaqësuara sa duhet.

Plani i Veprimit shoqëron Strategjinë Kombëtare për Barazi Gjinore dhe përfshin afate kohore, institucione përgjegjëse dhe tregues për matjen e progresit, duke siguruar që barazia gjinore të mos mbetet vetëm parim ligjor, por të zbatohet në praktikë.