Shkëndija ka shkruar histori duke u renditur në vendin e 22-të në fazën e ligës së UEFA LigëneKonferencës, një pozicion që i siguron kampionit të Maqedonisë së Veriut një kualifikim historik në fazën nokaut të kësaj gare evropiane, njofton Telegrafi.

Tashmë vëmendja është kthyer nga shorti i fazës së radhës dhe, sipas rregullave të UEFA-s, tetovarët kanë dy kundërshtarë të mundshëm për këtë raund.


Goli i shënuar në kohën shtesë nga AEK-u në fitoren ndaj Krajovës rezultoi vendimtar për renditjen finale, duke e ngjitur Shkëndijën në vendin e 22-të. Kjo pozitë i lejoi kuqezinjtë të shmangin një përballje shumë të vështirë me ekipin e Premier League, Crystal Palace.

Skuadrat e renditura në vendet 22 dhe 23, Shkëndija dhe KuPS-i finlandez, në fazën e ardhshme do të përballen me Samsunspor-in nga Turqia ose Lech Poznan-in nga Polonia. Shorti do të përcaktojë nëse kampioni ynë do të udhëtojë drejt Turqisë apo Polonisë në vazhdimin e kësaj aventure evropiane.

Në rast se Shkëndija arrin ta kalojë këtë pengesë të parë, atëherë sipas “skemës” së UEFA-s, në raundin pasues e pret një tjetër sfidë e madhe, përballë njërës nga këto dy skuadra: Rayo Vallecano ose Shakhtar Donetsk.

Një rrugëtim evropian që tashmë ka hyrë në histori, por që për Shkëndijën duket se ende nuk ka përfunduar. /Telegrafi/

telegrafi sport app