Rita Ora ka tërhequr vëmendjen me paraqitjen e saj provokuese gjatë një nate argëtimi në 'Chateau Marmont' në Los Angeles, të martën mbrëma.

Këngëtarja 34-vjeçare shfaqi sytjenat e zeza prej dantelle nën një bluzë të bardhë transparente me pala, të cilën e kombinoi me xhinse blu me prerje të lirshme dhe këpucë të zeza me majë, shkruan DailyMail.


Rita dukej mahnitëse teksa ishte mbështjellë me një pallto të gjatë prej lëkure kamoshi ngjyrë kafe, e zbukuruar me jakë dhe detaje dramatike prej gëzofi të bardhë. Autorja e hitit “Body On Me” e kompletoi pamjen me një çantë të zezë lëkure, me dorezë të madhe prej ari, ndërsa për t’i dhënë një ton më casual, kishte vendosur edhe një kapele sportive.

Paraqitja e saj vjen pasi Rita ka pranuar se nuk dëshiron ta kufizojë veten vetëm si muzikante, teksa foli për fuqizimin e grave gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Detin e Kuq, muajin e kaluar.

E pranishme në eventin “Women in Cinema” në Jeddah të Arabisë Saudite, ajo i tha Daily Mail se është ende “vazhdimisht duke mësuar” dhe duke “thyer kufij”.

Duke shpjeguar pse nuk dëshiron të identifikohet vetëm me muzikën, Rita u shpreh: “Shpesh njerëzit e kufizojnë veten në vetëm një kategori, por nuk ka pse të jetë kështu. Unë e shoh veten si një amatore çdo ditë, sepse jam gjithmonë duke mësuar. Nuk duhet të hysh kurrë në një dhomë duke menduar se nuk ke fuqi — sepse e ke”.

Ajo shtoi se gruaja që do ta admirojë gjithmonë, “para së gjithash”, është nëna e saj, por përmendi edhe emra të tjerë ikonë:
“Ka kaq shumë gra për arsye të ndryshme — si Madonna në muzikë, Blondie, madje edhe Cher.

Janë njerëz që kanë bërë më shumë se një gjë dhe kjo është pikërisht ajo që më pëlqen të bëj. Është fantastike të shohësh se si këta kufij po thyhen.”

Rita tashmë e ka zgjeruar karrierën përtej muzikës, me angazhime të shumta në televizion, përfshirë rolin e jurisë apo mentores në formate si The Voice UK, The X Factor dhe The Masked Singer (në Britani dhe SHBA).

Ajo ka luajtur gjithashtu në filma si “Kung Fu Panda: Dragon Knight” dhe në serinë “Fifty Shades”.

Në anën e bashkëpunimeve komerciale, Rita ka një portofol të gjerë që përfshin modën (Adidas, Primark, Escada), bukurinë (Rimmel), pijet (Próspero Tequila, Coca-Cola Zero Sugar) dhe industrinë e argëtimit.

Raportet më të fundit financiare tregojnë se Rita po gjeneron miliona nga kontratat televizive, muzika dhe fushatat fitimprurëse reklamuese.

Sipas dokumenteve të dorëzuara muajin e kaluar nga kompanitë Ora Live dhe Ora Multi Services, këngëtarja ka realizuar një fitim mbresëlënës prej 4.8 milionë paundësh brenda një viti.

Kjo përkthehet në rreth 13 mijë paundë në ditë deri në prill, më shumë se dyfishi i 2.3 milionë paundëve që kishte fituar një vit më parë, sipas The Sun.

Këto kompani menaxhojnë muzikën, turnetë, angazhimet televizive dhe aktivitetet e tjera të Ritës, duke reflektuar rritje të vazhdueshme të të ardhurave dhe aseteve ndër vite.

Ora Live fokusohet kryesisht në performanca, ndërsa Ora Multi Services mbulon aktivitetet më të gjera biznesore. /Telegrafi/