Në disa botëkuptime filozofike rinia konceptohet me vetë jetën, që jeta është vetëm rinia (si në jetën përditshme që dëgjojmë “jeto jetën sa je i ri”, duke harruar periudhën foshnjore, fëmijërore, rinore, pjekurisë dhe periudhën e pleqërisë).

Ndërsa në botëkuptimin tonë rinia konceptohet si pjesë përbërëse e jetës. I veçantë është qëllimi, roli dhe personaliteti i saj.


Qëllimi ndoshta është fjala më e rëndësishme në jetën e njeriut, për të cilën është i nevojshëm si për ujin e për bukën. Mund të mendohet se kjo është e ekzagjeruar, por jo! Assesi nuk është ashtu, siç kemi thënë më lartë: për njeriun është diçka e rëndësishme si ajri, uji e ushqimi.

Sikur që është i rëndësishëm për aspektin material ajri, uji e ushqimi, qëllimi është po aq i rëndësishëm për aspektin shpirtëror të njeriut. Sikurse njerëzit që nuk hanë e nuk pinë bëhen të dobët, madje vdesin. Në të njëjtën kohë njeriu që nuk ka qëllim, fatkeqësisht i vdes shpirti dhe vazhdon ta jetojë jetën si kufomë e gjallë?!

Qëllimi mundëson përzgjedhjen e rrugës dhe indirekt kjo ndikon në jetën e njeriut, duke reflektuar vlerat e rrugës së përzgjedhur në personalitetit e tij. Një njeri pa qëllim është i gjykuar që gjithnjë të jetë cak i njerëzve që kanë objektiv. Në të njëjtën mënyrë kjo vlen edhe për shoqëritë.

Ky virus aq është i përhapur në shoqërinë tonë, thuajse kemi hyrë në gjumë të vdekjes. Nxënësi ynë shkon në shkollë dhe nuk ka qëllim e as që është i vetëdijshëm që është në rrugën e dijës. Mësuesi ynë shkon në shkollë, por nuk e di pse është atje. Politikani ynë bënë politikë, por i shërben interesave të tij. Nëpunësi ynë e bën punën e tij, por nuk është i vetëdijshëm çfarë dhe për kë e bën. Kuvendi ynë nxjerr ligje dhe nuk e din se për ç’punë nevojiten këto ligje. E vërteta është që mungesa e qëllimit në jetë bën të që të jesh në gjumë, madje në gjumë të vdekjes.

Rinia jonë në aspektin moral është lënë në shkatërrimin e tyre, gjithnjë duke i obliguar ato që të jenë sa më larg vlerave kombëtare dhe fetare.

Çka synohet me të? Me të synohet që së pari rininë e më pas, hap pas hapi, të shkatërrojnë kulturën tonë.

Çka duhet të bëjë rina? Për këtë rinia duhet të kujdeset për formimin e personalitetit të saj, të kontribuojë rrethit dhe shoqërisë e në veçanti vetvetes (rinisë) e cila vlerësohet si pasuria jonë kombëtare. Duhet të edukojmë, arsimojmë, formojmë rininë idealiste të pajisur me vlerë dhe me formimin e personalitetit e saj, si rini misionare të misionit madhor e të dashuruar për atdheun dhe identitetin e saj.

Rina me këtë dashuri dhe vizion mund ta sigurojë të ardhmen e shëndosh dhe mirëqenien e merituar. Nga thënia profetike “më i miri prej njerëzve është më i dobishmi për ta“, rinia duhet të kuptojë që shoqërinë duhet ta sjell nga pesimizmi në optimizëm, nga errësira në dritë, nga konflikti në mirëkuptim dhe nga armiqësia në miqësi.

Në fillim shtrohet pyetja, çfarë rinie?

Në fakt këtu bie poshtë thirrja se “e ardhmja është e rinisë“ (një thirrje e cila dëgjohet nga politikanët, mediat dhe organet të ndryshme ), por nga thënia “koha është te unë dhe vendi më është lënë amanet mua” nënkuptojmë se sot rinia duhet të fillojë ta përgatisë të ardhmen dhe se ajo është amanet për të. Më shumë se e ardhmja është e sotmja. Duke u inkuadruar në të tashmen, bëhet e ardhmja e vendit.

Kemi kaluar dhe jemi duke jetuar periudha të ndryshme, me një dashuri dhe një imitim të verbër si dhe me një mohim ndaj vlerave tona. Mu për këtë duhet një rini guximtare për ta ngritur krenarinë edhe në qoftë se nuk do të ishte tepër t’u thotë të parëve se “çka i keni bërë diturisë, guximit, durimit, bamirësisë dhe fitores “, duke e pasur parasysh se këto ishin vlerat tona.

Përndryshe, rinia duhet të jetë misionare e kombit, të jep më të mirën nga jeta e saj që pa dyshim është rina. Ajo duhet sakrifikuar rininë e vet, ta shpëtoj vetveten e saj (rininë).

Me një përgatitje arsimore, edukative dhe shpirtërore, rinia mund t’i përgjigjet thirrjes “se a është dikush këtu?“ me atë se unë jam dhe duke menduar në atë se nëse nuk jam unë nuk do të jetë askush.

Duke u nisur nga kjo pikë, rinia që synon kombinimin e vrullit të riut dhe durimin e të moshuarit vizionin e ka të ngritur në disa elemente dhe atë: rinia e pasionuar pas dijes; rinia që njeriun e trajton si kryeveprën e Zotit dhe e respekton si të tillë; rinia me kulturë politike pjesëmarrëse; formimin e karakterit të rinjve sakrifikues; rinia që i respekton liritë dhe të drejtat e të tjerëve edhe në mungesë të ligjit; personalitetin e të rinjve atdhedashës dhe bashkëpunues me të tjerët që janë të ndryshëm prej nesh; rinia që sillet ndaj të tjerëve sipas meritave të tyre; rinia që e çmon traditën dhe është në hap me zhvillimet bashkëkohore; rinia e shëndetshme, dinamike dhe mobile; rinia që e mbron natyrën dhe të gjitha gjallesa që jetojnë aty.