Rikthimi i reduktimeve, LDK kritikon qeverinë në detyrë për keqmenaxhim në sektorin e energjisë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka adresuar kritika ndaj qeverisë në detyrë për keqmenaxhim në sektorin e energjisë.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi, tha në konferencë për media të enjten se rikthimi i reduktimeve të rrymës është një dëshmi e qartë për një gjë të tillë.
Sipas tij, qeveria, siç e quajti ai, e territ nuk ka investuar asnjë cent në shtimin e kapaciteteve të reja të energjisë, derisa ka shpenzuar më shumë se 1 miliard euro përgjatë tërë mandatit të saj për import të energjisë elektrike.
“Rikthimi i reduktimeve të energjisë elektrike është dëshmi e qartë se keqmenaxhimi dhe menaxhimi skandaloz i këtij sektori të energjisë në Kosovë ka ndodhur këto ditët e fundit. Kjo qeveri e territ nuk ka investuar asnjë cent në shtimin e kapaciteteve të reja energjetike, ndërkohë ka shpenzuar më shumë sesa 1 miliard euro përgjatë tërë mandatit të saj për import të energjisë elektrike nga shtete të tjera. Për të ardhur në këtë situatë absurde ka vetëm dy shpjegime të mundshme. Ose kemi të bëjmë me paaftësi dhe keqmenaxhim të plotë në qeverisje, ose kemi të bëjmë me kapje të sektorit të energjisë dhe hajni të organizuar nga mafia energjetike në krye me Martin Berishaj dhe Vuk Hamoviqin”, tha ai.
Azemi përmendi edhe emërimin e Trim Tërnavës si kryeshef i KOSTT-it, duke thënë se i njëjti është nip i ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
“Emërimi i nipit të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ejup Maqedonci, flet më së miri për kapjen e institucioneve energjetike në vend. Kjo është hallka e fundit në sektorin e energjisë që tashmë ka rënë komplet në duart e pushtetit. Sa për dijeni, ky që sot është emëruar drejtor i KOSTT-it është bashkëpronar i një kompanie private të energjisë”, theksoi Azemi.
Në anën tjetër, ai paralajmëroi se gjatë muajit mars mund të ketë sërish shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike, si pasojë e importit të madh gjatë vitit të kaluar.
“Unë alarmova se në mars do të kemi prapë ngritje të çmimit të energjisë elektrike, pasi vendi ynë ka qenë i varur nga importet e shtrenjta të energjisë elektrike dhe rrjedhimisht ato do të pasqyrohen në tarifat e ardhshme. Unë kisha me i bë thirrje operatorëve ekonomikë, por edhe ZRrE-së, që ta kenë parasysh gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetarëve të Kosovës. Kjo gjendje është rënduar dhe faturat e energjisë elektrike janë të papërballueshme për familjarët dhe bizneset”, përfundoi Azemi. /KP/




















































