Rezultatet dhe renditja pas javës së gjashtë - Prishtina dhe Dukagjini në krye, Drita e Llapi në fund

Xhiroja e gjashtë e Superligës së Kosovës solli emocione të forta dhe ndeshje dramatike në të gjitha stadiumet, ku edhe renditja ka filluar të marr formë.
Kampionët, favoritët dhe ekipet që kërkojnë pikë për t’u larguar nga fundi i tabelës dhanë gjithçka në fushë, duke dhuruar gola të bukur dhe momente vendimtare që ndryshuan rrjedhën e disa takimeve.
Ballkani – Drita 2:0
Ballkani doli fitues në derbin e madh ndaj Dritës me rezultat 2-0. Walid Hamidi zhbllokoi shifrat në minutën e 38-të, ndërsa në fund Ballkani realizoi golin e dytë pas një devijimi nga Besnik Krasniqi. Ish-kampionët vazhdojnë serinë e fitoreve dhe ruajnë kontaktin me kreun e tabelës.
- YouTube www.youtube.com
Prishtina – Prishtina e Re 2:0
Derbi i kryeqytetit i takoi Prishtinës, që fitoi 2-0 në “Fadil Vokrri”. Mario Ilievski shënoi me kokë për 1-0, ndërsa pas një kartoni të kuq për mysafirët, Blendi Baftiu vulosi fitoren me golin e dytë. Bardhekaltërit konfirmojnë formën e mirë dhe qëndrojnë lart në renditje.
- YouTube www.youtube.com
Dukagjini – Llapi 3:1
Ndeshja nisi me epërsi të Llapit falë Alex Gnapit, por Dukagjini reagoi fuqishëm. Dienit Isufi barazoi me një supergol, ndërsa në pjesën e dytë Altin Merlaku dhe Iljesa Zulfiji shënuan për 3-1.
Përjashtimi i trajnerit Ismet Munishi nuk e pengoi Dukagjinin të marrë tri pikë të arta.
- YouTube www.youtube.com
Malisheva – Ferizaj 3:1
Ferizaj kaloi i pari në epërsi me golin e Iljazit, por Malisheva reagoi shpejt. Arlind Veliu barazoi me një goditje të bukur, ndërsa në pjesën e dytë Diatta dhe Altin Aliu përmbysën gjithçka. Me këtë fitore, Malisheva ngjitet në kuotën e shtatë pikëve, duke lënë pas rivalët direkt.
- YouTube www.youtube.com
Gjilani – Drenica 0:1
Një duel i barabartë që u vendos në minutat e fundit. Pavarësisht rasteve të shumta nga të dyja skuadrat, golin e vetëm e realizoi Genc Hamiti në fund, duke i dhënë Drenicës një fitore të madhe në udhëtim.
- YouTube www.youtube.com
Renditja
Prishtina dhe Dukagjini mbajnë dy vendet e para me nga 13 pikë, një më shumë se sa Ballkani që ka 12 pikë. Drenica është e katërta me 11 pikë, duke kompletuar pjesën e epërme të renditjes.
Gjilani dhe Malisheva janë në mesin e renditjes, ku deri më tani kanë tubuara nga 7 pikë. Në pozitat shtatë dhe tetë janë Prishtina e Re dhe Ferizaj me nga 6 pikë.
Renditjen e mbyllin dy ekipet që kanë befasuar për keq deri më tani, Drita me 5 pikë dh Llapi me 3 pikë. /Telegrafi/



















































