Oddity Central raporton se një restorant në Yeosu, Koreja e Jugut, ka shkaktuar polemikë pasi refuzoi të shërbejë persona që donin të hanin vetëm - me një pankartë që thoshte se “nuk shet vetminë”.

Restoranti kish vendosur një njoftim për klientët që vijnë vetëm, ku jepeshin katër mundësi “1. Paguaj për dy porcione, 2. Ha dy porcione, 3. Thirr një shok, 4. Eja më vonë me gruan tënde”.


Pastaj një mesazh për fund “Ne nuk shesim vetminë. Ju lutemi, mos ejani vetëm”.

Shpjegohej se arsyetimi i pronarëve ishte ekonomik: me rritjen e kostove për ushqim, energji dhe punë, ata preferojnë të përdorin kapacitetin e tavolinave për më shumë njerëz - për shembull, një tavolinë me 4 ulëse më mirë përdoret nga 4 veta.

Por njoftimi u bë viral në rrjete sociale dhe shumë përdorues e kritikuan këtë politikë.

Kritikët thanë se, meqë në Kore numri i familjeve me një person ka shënuar rritje, kjo praktikë ndjehet si diskriminim dhe pasqyrë e një mentaliteti të vjetruar. /Telegrafi/