Policia e Kosovës ka bërë një apel për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, duke theksuar nevojën për kujdes të shtuar gjatë ngasjes për shkak të reshjeve të shiut dhe ndryshimeve të kushteve atmosferike.

“Shoferët luten të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike dhe gjendjen e rrugës, të mbajnë distancën e nevojshme mes mjeteve dhe të ngadalësojnë lëvizjen në rrugë të lagështa nga reshjet e shiut, ku mund të ketë rrëshqitje”, thuhet në njoftim.


Policia gjithashtu thekson se kushtet aktuale atmosferike krijojnë vështirësi në qarkullimin rrugor dhe rrisin rrezikun e aksidenteve.

“Siguria juaj është prioritet! Kujdesi i shtuar ndihmon në shmangien e aksidenteve dhe në ruajtjen e jetës”, ka shtuar policia.

Apeli vjen pas situatës së tanishme atmosferike, ku reshjet e shiut dhe rrugët e lagështa mund të krijojnë rreziqe për qarkullimin rrugor. /Telegrafi/