Rëndohet situata me zjarret, kryetari i Suharekës bën thirrje për ndihmë

Situata me zjarret është duke u rënduar për shkak të temperaturave të larta dhe erërave.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë të ditur se situata e përcjellë nga Qendra Operative e Agjencisë rezulton me gjithsej 29 vatra të zjarreve në 8 orët e fundit, 17 nga ato janë lokalizuar, deri sa 12 vatra zjarri mbeten aktive.
Ndërkaq, për shkak të situatës së rënduar kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë thirrje për ndihmë për të shuar zjarret që kanë kapluar disa fshatra të kësaj komune.
“Kushdo që ka mundësi e që ka pajisje për shuarje zjarri le të ndihmoj në hapësirën Dubravë - Sallagrazhdë – Mushtisht”, shkruan ai.
Kryetari i Suharekës po në një postim tjetër ka thënë se me të gjitha kapacitetet institucionale po mundohemi ta mbajmë situatën nën kontroll.
“Faleminderit qytetarëve, zjarrëfikësve, policisë, të gjithëve”, shkruan ai.
Ndërkaq, Agjencia e Menaxhimit Emergjent u ka bërë apel qytetarëve që të kenë kujdes dhe të raportojnë zjarrëvëniet. /Telegrafi/


















































