Nga: Agron Islami
Një debat i pashterur i studiuesve të periudhës osmane është ai rreth të vërtetës së ruajtjes së lidhjes së pashallarëve osmanë me vendin e origjinës. Pjesa më e madhe e studiuesve kanë sjellë konstatimin se, sistemi i Devshirme-së ishte aq i përkryer saqë në mënyrë sistematike shuante ndjenjën e origjinës tek fëmijët që ishin pjesë e këtij sistemi, e që përgatiteshin për të udhëhequr me shtetin nëpër pozita të ndryshme.
Në fakt, sistemi osman i Devshirme-së ishte një model më i përparuar se sistemi romak i Legio-s, meqë osmanët i merrnin fëmijët e vasalëve si pengje, ndërsa në çdo 40 shtëpi merrnin nga një fëmijë të krishterë, nga popuj të caktuar (kryesisht shqiptarë, boshnjakë, kroatë e serbë) dhe me kriteret e përcaktuara. Sistemi parashihte që këta fëmijë të edukoheshin në frymën ideologjike të shtetit dhe ishte e natyrshme që edhe mësuesit t’u takonin klasës më besnike të sulltanit. Gjatë ngjitjes në karrierë, këta fëmijë përcilleshin hap pas hapi nga edukatorët personalë, në mënyrë që edhe këta “robër” të sulltanit në të ardhmen të jenë besnikë të shtetit nga pozita e ushtarakut, vezirit (Ministrit), sadrazamit (Kryeministrit), apo ndonjë pozite në sarajin e sulltanit.
Sipas rregullit të parashikuar në sistem, fëmijët silleshin në saraj që në moshë të re. Ky është edhe një tregues për të besuar në asimilimin e identitetit etnik të tyre. Këtu edukoheshin në frymën islame dhe si të tillë edhe bëheshin praktikues të Islamit. Kështu që, edhe logjikisht, nënkuptohet se nuk do të duhej të kishin ndjesi ndaj lidhjes së gjakut apo origjinës.
Megjithatë, studime të shumta kanë nxjerrë në sipërfaqe të kundërtën e objektivit të sistemit të Devshirme-së. Respektivisht, këto fakte historike kanë dëshmuar se shumica e pashallarëve kanë kultivuar lidhjen me vendin e origjinës, apo edhe me anëtarë/funksionarë osmanë të etnisë së njëjtë. P.sh. Gedik Ahmet Pasha, me prejardhje shqiptare nga zona e Vranjës, më 1477 ra në burgun e Rumelihisarit, pasi refuzoi urdhrin e sulltan Mehmet Fatihut që t’i printe ekspeditës kundrejt Shkodrës. Pas një viti, me ndërhyrjen e pashait boshnjak, Hersekzade Ahmed Pasha, ai u lirua dhe erdhi në krye të flotës osmane, ndërsa më vonë u emërua sanxhakbej i Vlorës. Njëri ndër sadrazamët më të famshëm osmanë padyshim që ishte Mehmet Pashë Qypryliu nga Rudniku i Beratit, i cili pas ardhjes në pozitën e sadrazamit (kryeministrit), në fshatin e lindjes ndërtoi një shkollë dhe një xhami. Në dokumentin themeltar (vakfije) të këtyre ndërtimeve, fshatin Rudnik ai e përcaktoi si “vatani i vërtetë” (vatan-i asl).
Një ndër elementët më të rëndësishëm të identitetit pa dyshim që është gjuha. Gjithsesi, fëmijët në sistemin e Devshirme-së fillimisht mësonin gjuhën dhe kulturën osmane, por nuk kishte ndonjë kod të sistemit që t’u ndalonte të flisnin në gjuhën amtare. Dhe, për rezultat, një numër i konsiderueshëm i pashallarëve osmanë nuk e harruan gjuhën e tyre. Kjo dëshmohet më së miri me Hysejn Pashën nga Peja, i cili ishte kryevezir në fund të shekullit XVII dhe në historinë osmane njihet me pseudonimin “Merre Hysejn Pasha”. Kjo erdhi si rezultat i përdorimit të kësaj shprehje nga vetë pashai, i cili kur aludonte në dënimin e fajtorëve, ai përdorte shprehjen shqipe “Merre”. Ky llagap u njohë edhe nga administrata osmane, andaj edhe në dokumentet zyrtare e hasim si Merre Hysejn Pasha. Për Ismail Pashën me prejardhje boshnjake, kronistët kanë shkruar se kur ai nervozohej fliste në gjuhën boshnjake. Apo kemi rastin e Ahmet Pashës i cili shante në gjuhën amtare, në atë çerkeze. Ky realitet mund të na bëjë të supozojmë se zyrtarët osmanë që kishin prejardhje shqiptare, flisnin shqip mes vete.
Një element tjetër që në vete përmban peshën e ndikimit në Sarajin Osman është edhe çështja e referencës, e cila nxjerrë në pah fuqinë e etnisë. Bëhet fjalë për fenomenin e anëtarëve të së njëjtës familje, apo edhe të së njëjtës etni, siç ka ndodhur me Qypryly Mehmet Pashën, i cili erdhi në pushtet me sugjerimin e bashkëvendësve të tij, ose Arkitekt Kasem Aga, i cili ishte qehaja i sulltaneshës Turhan. Më pas, sukseset dhe fuqia e Mehmet Pashës së Egjiptit bëri që pas tij të vinë në pushtet pjesëtarë të familjes së tij duke u konsideruar si njëra ndër familjet më të fuqishme në shtetin osman.
Që shqiptarët dhe boshnjakët drejtuan Sulltanatin osman nga pozita më e lartë e kryevezirit, dëshmon edhe një varg poetik i njërit nga autorët më të famshëm të shekullit XVII, siç ishte Yvejsi. Në një traktat politik të vitit 1620, ndër gabimet kryesore e shikonte peshën e shqiptarëve dhe boshnjakëve në udhëheqjen e shtetit. Këtë gabim e shpreh me vargje vajtuese, ku thotë:
“Jemi në një kohë poshtërimi, o i dërguar i Zotit. Si është e mundur që në majat e Shtetit të Lartë Osman shumica janë shqiptarë dhe boshnjakë?”
Yvejsi kishte të drejtë në pohimin e tij, ngase shqiptarët dhe boshnjakët që përbënin klasën udhëheqëse të zonës ish-romake e bizantine, që njihen si rajoni i Rumelisë (apo Turqi Evropiane), dominonte karshi klasës udhëheqëse të kaukazianëve, gjeorgjianëve, dhe abazëve që ishin me origjinë nga zona lindore e Shtetit Osman. Megjithatë, historianët e fillimit të shekullit XVIII ishin më kozmopolitë se Yvejsi në raport me etninë e pashallarëve osmanë. P. sh., njëri nga historianët më të famshëm osmanë, i njohur si Naima, ironizonte me pashallarët me prejardhje nga zona lindore osmane edhe pse vetë ai ishte nga Halepi i Sirisë, ku ndër të tjera në kronikën e tij shkruante:
“… duke qenë se filan kryevezir ishte (me origjinë) nga Abaza, ai ishte edhe mendjelehtë”.
Apo historiani tjetër nga Stambolli, i quajtur Silahdar Mehmed Aga, i cili duke komentuar veprimet e një pashai shkruante:
“Koprracia e tij vjen nga karakteri i tij gjeorgjian”.
Megjithëse këto raste shpërfaqin fuqinë etnike brenda një shoqërie kozmopolite siç ishte ajo osmane, nuk mund të thuhet se ndjenja e etnisë ishte gjithmonë e një niveli të tillë. Ndonjëherë, elementi i shoqërisë ishte më i fuqishëm se ai etnik. Rastin konkret e kemi me Kemankesh Kara Murad Pashën, i cili ishte me prejardhje shqiptare nga zona e Rozhajës, por që i doli në ndihmë Ipshir Mustafa Pashës, i cili ishte me prejardhje nga Abaza, duke qenë se kishin studiuar bashkë. Apo kemi dhe rastin e pyetjes së kryevezirit shqiptar Mehmet Pashë Qypryliut që ia drejtoi Melek Ahmet Pashës duke i thënë se “a do të luftosh kundër bashkëvendësit tënd?”, që bëhej fjalë për revoltën e Hasan Pashës nga Abaza. Ndërkaq, përgjigjja e Melek Ahmed Pashës se do të luftonte kundër çdo armiku të shtetit dhe sulltanit, sikur dëshmon se jo gjithherë etnie kishte përparësi karrierës. /Telegrafi/
(Autori është osmanist, doktor i historisë shqiptare të periudhës osmane)
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Harta e shteteve të Evropës, gjatë 2400 vjetëve
Higjiena ndër shekuj: Luigji XIV u la dy herë gjatë gjithë jetës!

Fotografitë ikonike të revistës “Face”

Kundër flokëve të gjatë

Thënie për nënën: Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!

Përdorimi i fjalëve të huaja dhe disa huazime të sotme në gjuhën shqipe

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Haki Abazi thyen heshtjen pas zgjedhjeve: Momenti të ngrihemi mbi vogëlsinë individuale

Transferim rekord në histori të futbolli: Arabia Saudite shkon te Real Madridi me ofertë të re për Viniciusin

Ylli i Udineses mori përsipër penalltinë pa pëlqimin e ekipit – realizoi, por askush nuk festoi me të

Trump tërhiqet nga ideja për ta marrë Gazën: Plani im funksionon, por nuk do ta imponoj

Uka: Maurizio Salustro na kërkoi 500 mijë euro, ose përfundonim 54 vjet dënim burg

Rozana fsheh “Valixhen e Tundimeve” teksa Gjesti shpërndan biletat e fatit