Real Madridi siguron fitoren ndaj Levantes mes atmosferës së tensionuar në ‘Santiago Bernabeu’

Real Madridi ka shënuar fitore me rezultat 2-0 në shtëpi ndaj Levantes në kuadër të javës së 20-të në elitën e futbollit spanjoll.
Pjesa e parë u karakterizua nga lojë e kujdesshme dhe ndërhyrje të forta, me të dyja skuadrat që patën vështirësi të krijonin raste të pastra. Levante rrezikoi në minutën e 42-të, kur Pablo Martinez ekzekutoi një goditje të rrezikshme nga distanca, por topi kaloi shumë pranë shtyllës së djathtë.
Në pjesën e dytë, Real Madridi rriti presionin dhe në minutën e 56-të fitoi një penallti, pas një ndërhyrjeje të palejuar nga Dela.
Vendimi u konfirmua edhe pas rishikimit nga VAR-i, ndërsa Kylian Mbappé u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën e 58-të, duke mposhtur portierin Matheë Ryan për rezultatin 1-0.
Pas golit, madrilenët vazhduan të dominojnë dhe në minutën e 65-të dyfishuan epërsinë. Pas një goditjeje këndi të ekzekutuar në mënyrë perfekte nga Arda Guler, Raul Asencio u ngrit më lart se të gjithë në zonë dhe me kokë e dërgoi topin në rrjetë për 2-0.

Real Madridi ishte pranë golit të tretë në disa raste. Në minutën e 76-të, Franco Mastantuono goditi fuqishëm nga distanca, por topi u ndal nga traversa.
Vetëm dy minuta më pas, Jude Bellingham ishte shumë pranë golit, por portieri Matheë Ryan bëri një pritje spektakolare ndaj goditjes me kokë të anglezit.
Edhe Levante pati momentet e saj, me Ivan Romero që në minutën e 71-të lëshoi një goditje të rrezikshme nga skaji i zonës, por topi kaloi pak mbi traversë.
Në fund, Real Madridi menaxhoi qetësisht avantazhin dhe siguroi fitoren 2-0, duke treguar efikasitet në momentet vendimtare dhe kontroll të plotë në pjesën e dytë./Telegrafi/





















































