Real Madridi mund të thyejë rregulloren e tyre të kontratave si pjesë e bisedimeve për zgjatjen e bashkëpunimit me Antonio Rudiger.

Rudiger e ka vendosur veten si një lojtar tejet të rëndësishëm në mbrojtjen e Carlo Ancelottit në dy sezonet e fundit.


Pas lëndimeve të rënda të Eder Militaos dhe Dani Carvajal, Rudiger ka marrë përgjegjësi edhe më të madhe duke u shndërruar në lider të fazës së mbrojtjes.

Ish-ylli i Chelseat po vazhdon të prodhojë momente të mëdha, ku i fundit erdhi në sfidën ndaj Real Sociedadit në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit ku shënoi golin që çoi madrilenët në finale.

Raportimet e mëparshme nga Relevo kishin dhënë shenja se klubet nga Superliga e Arabisë janë tejet të interesuara për transferimin e gjermanit gjatë 12 muajve të ardhshëm, së bashku me Vinicius Junior.

Pavarësisht thashethemeve, qëndrimi i Rudiger duket i qartë në këtë fazë me kontratën e tij aktuale e cila skadon në qershor të vitit 2026.

32-vjeçari mbetet plotësisht i përkushtuar për ta kompletuar marrëveshjen aktuale deri në fund të sezonit të ardhshëm dhe nuk po synon ta thyejë atë para kohës.

Sidoqoftë, Real Madridi po synon që ta zgjasë bashkëpunimin me Rudiger dhe për këtë arsye mund të bëjnë një ndryshim të madh të strategjisë, sipas gazetarit Florian Plettenberg.

Real Madridi është i njohur për politikën e tyre të të ofruarit kontratë vetëm një vjeçare për lojtarët mbi moshën 30-vjeçare, por rëndësia që ka Rudiger në ekip do të thotë se ata mund t’i ofrojnë atij një rinovim prej dy vitesh./Telegrafi/

telegrafi sport app