Real Madridi ‘dridhet’ pak, por kalon tutje në Kupën e Mbretit falë paraqitjes së Kylian Mbappe

Real Madridi ka shënuar fitore ndaj Talaveras si mysafir, me rezultat 3-2, duke siguruar kalimin tutje në Kupën e Mbretit.
“Mbretërit” kishin disa raste në fillimin e ndeshjes dhe në mesin e pjesës së parë, por portieri Jaime Gonzalez bëri disa pritje të bukura.
Ndeshja u zhbllokua me një penallti që ishte e diskutueshme, por në mungesë të VAR-it, vendimi nuk u ndryshua dhe Kylian Mbappé shënoi nga pika e bardhë për 1-0 në minutën e 41-të.
Vetëm pesë minuta më pas, Mbappé depërtoi bukur, gjuajti dhe pas një devijimi të mbrojtësit Fernando, topi përfundoi në rrjetë për 2-0.
⏸️ DC: @CFTalavera 0-2 @RealMadrid
⚽ 41' @KMbappe (p.)
⚽ 45'+1' Manu Farrando (p.p.)
👉 @Emirates pic.twitter.com/TMdxamgO7T
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) December 17, 2025
Pjesa e dytë doli të jetë interesante, me Nahuel Arroyo që shënoi për 2-1 në minutën e 80-të.
Por, kur Real Madridi ishte në vështirësi, në skenë doli sërish Mbappé, i cili shënoi për 3-1, duke lënë të kuptohet se ndeshja ishte mbyllur në favor të madrilenëve.

Në kohën shtesë, Gonzalo Ignacio Di Renzo shënoi për 3-2, duke i dhënë drithërima Real Madridit.
Talavera pati edhe një rast tjetër, por një pritje e bukur e Lunin bëri që Real Madridi ta ruante rezultatin dhe të kalonte tutje. /Telegrafi/














































