LAJMI I FUNDIT:

Reagon Berisha: Nuk publikova fshehtësi zyrtare, zbulova keqpërdorimet

Reagon Berisha: Nuk publikova fshehtësi zyrtare, zbulova keqpërdorimet

Pas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë kundër ish udhëheqësit të Divizionit të Prodhimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Besnik Berisha për kryerjen e veprave penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetetit zyrtar, si dhe zbulim i fshehtësisë zyrtare, të paraparë më Kodin Penal të Kosovës, ka reaguar ky i fundit.

Berisha, nëpërmjet një reagimi dërguar mediave, ka thënë se aktakuza është e pabazë. Sipas tij, Prokuroria do të duhej që të ndërmarrë masa ndaj keqpërdoruesve të buxhetit të Kosovës dhe jo ndaj tij.


Ai thotë se ai nuk kishte publikuar dokumente konfidenciale, por ka publikuar keqpërdorime që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin.

Reagimi i plotë i Berishës, pa ndërhyrje redaksionale:

Të nderuara media,

Sot u informova nga mediat se qenka ngritur aktakuzë ndaj meje për keqpërdorim të detyrës dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.

Deklaroj se kjo aktakuzë është e pabazë dhe e ndikuar nga MPB-ja, për shkak të publikimit që e kam bërë lidhur me keqpërdorimet me pasaportat biometrike që kanë ndodhur dhe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

Në vend që policia dhe prokuroria të ndërmarrin masa ndaj keqpërdoruesve që e dëmtojnë buxhetin e Kosovës, ngritet aktakuzë ndaj denoncuesit kinse për zbulim të fshehtësisë zyrtare.

Asnjë informatë apo dokument i klasifikuar si konfidencial apo sekret nuk e kam publikuar, kam publikuar vetëm keqpërdorimet që kanë ndodhë dhe që edhe tani vazhdojnë të ndodhin edhe sot ,si është rasti i tentimit të dhënies së kontratës rreth 20 milionëshe për prodhimin e pasaportave biometrike pa procedurë tenderuese, përkatësisht me procedurë të negociuar për kompaninë e favorizuar.

Mbetem pranë të gjitha denoncimeve që i kam bërë në prokurori, polici dhe media të shkruara dhe elektronike, duke qenë i vetëdijshëm për pasojat e fatin që e ka një denoncues sot në Kosovë..