Në seancën e së premtes, prokuroria ka pretenduar se do të vërtetohet fajësia e ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Astrit Haraqija, si dhe tre të tjerëve, Florjan Petani, Qefser Baholli dhe Izet Beqiri, të akuzuar për krim të organizuar lidhur viza italiane, edhe një herë tjetër janë deklaruar të pafajshëm.
Ndërkaq, mbrojtja ka pretenduar se të njëjtit janë të pafajshëm e se kjo do të vërtetohet gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Në fjalën e saj hyrëse, prokurorja speciale, Florije Shamolli ka deklaruar se në gjykatore do të dëgjohen 77 dëshmitarë.
“Nga provat të cilat do të administrohen në shqyrtimin kryesor, ku para këtij trupi gjykues do të dëgjohen 77 dëshmitarë të cilët në dëshmitë e tyre do të dëshmojnë si i akuzuari Ukë Rugova së bashku me të akuzuarit e tjerë ju ka mundësuar rregullimin e vizave italiane shëngen për këta klientë, që për këto viza kanë paguar shuma të ndryshme të parave deri në 4,000 euro për vizë për individë. Aplikacionet për këta klient gjatë një kontrolli u gjetën në rezidencën e të akuzuarit Ukë Rugova”, ka thënë ajo.
Sipas saj, një numër i këtyre aplikacioneve ishin të shoqëruara me dokumente që pretendohej se ishin kontrata të punësimit dhe të njëjtat ishin të nënshkruar nga i akuzuari Qefser Baholli, e që këto informata përmbajnë informacione të rreme.
“Gjithashtu i akuzuari Ukë Rugova ,nga provat të cilat do t’i administrojë prokuroria në shqyrtimet kryesore, do të shihet se ka pranuar aplikacion edhe nga i akuzuari Astrit Haraqija. Ndërsa, i akuzuari Florian Petani ka luajtur rolin për sigurimin e vizave shëngen, e të cilat viza janë dhënë në mënyrë të paligjshme dhe i njëjti përmes komunikimeve të drejtpërdrejta ka biseduar me të akuzuarin Ukë Rugova dhe Izet Beqirin”, ka thënë ajo.
Tutje, prokurorja ka përmendur provat që do të administrohen gjatë shqyrtimit gjyqësor.
“Provat të cilat do të administrohen në shqyrtimet kryesore siç janë prova nga përgjimi i telefonave mobil, prova nga vëzhgimi, prova të dokumentuara dhe konfiskuara gjatë bastisjes në rezidencën e të akuzuarit Ukë Rugova, prova të marra nga ekzaminimi i kompjuterëve të sekuestruara në rezidencën e të akuzuarit Ukë Rugova, siç është kompjuteri, raporte dhe dosje të viza të marra ndërmjet ndihmës juridike ndërkombëtare nga autoritetet italiane, zbulimi i të dhënave financiare si dhe të gjitha dokumentet të cilat janë konfiskuar te të akuzuarit, si dhe armët të cilat janë gjetur në shtëpinë e të akuzuarve”, ka thënë ajo.
Sipas saj, gjykata duke elaboruar një nga një do të bindet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen dhe të njëjtit do t’i shpall fajtorë dhe do t’i dënoj me dënim sipas ligjit.
Ndërkaq, avokati Nexhat Shabani, i cili mbron të akuzuarin Ukë Rugova, ka thënë se qëndron prapa fjalës hyrëse të dhënë më parë.
“Duke shtuar se mbrojtja do të fokusohet në atë se nga rezultati i hetimit, jo vetëm se nuk mund të vërtetohet se i mbrojturi im ka kryer veprat penale të përfshira në aktakuzë, por do të vërtetohet se ndaj të mbrojturit tim është shkel norma juridike e nivelit të të drejtave që hyjnë në kuadër të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Mbrojtja do të ripotencoj mungesën e provave të vërtetimit të bazës së aktakuzës. Nga provat e propozuara nga prokuroria do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit tim”, ka thënë ai.
Sipas tij, mbrojtja do të ketë kërkesë për gjykatën që të fokusohet sidomos në çështjen e kualifikimit të turistit si person i kontrabanduar dhe mungesës së bazës juridike për një kualifikim të tillë nga ana e prokurorisë.
“Turisti me të kontrabanduarin janë nocione përjashtuese në raport me njëra tjetrën, varësisht nga zhvillimi i procedurës ruaj të drejtën për propozim të provave”, ka thënë ai.
Kurse, avokati Besnik Berisha që mbron të akuzuarin Izet Beqiri, ka deklaruar se peshkimi i filluar me një aktakuzë të vitit 2013, që për cak kishte familjen Rugova, përkatësisht djalin e tyre, në një bastisje në rezidencën historike dhe arrestimit të një deputeti me imunitet që u vërtetua edhe me vendimet e gjyqtarëve të EULEX, do të dështoj edhe pranë kësaj gjykate.
“Prokuroria synon të dëgjoj 77 dëshmitarë të cilët sipas tyre do të provojnë se Ukë Rugova dhe të tjerët në bashkëkryerje, si trup i strukturuar kriminal, kanë kryer veprën penale të kontrabandimit me migrantë, edhe prokuroria është në dijeni dhe gjykata e ka provu se shumica dërrmuese e 77 dëshmitarëve në listën e prokurorisë kanë dëshmuar pranë kësaj gjykate, secila palë ka pas të drejtën e parashtrimit të pyetjeve dhe përballjes me provat materiale dhe emëruesi i përbashkët i këtyre dëshmitarëve ishte dhe mbetet se asnjëri nga ata asnjëherë nuk kishte kaluar kufirin ilegalisht, nuk kishte poseduar dokument të falsifikuar e as vizë të lëshuar në mënyrë të kundërligjshme, kishte shkuar dhe ishte kthyer në afatin e përcaktuar në vizë me të drejta si turist dhe pothuajse 100% të tyre kishin përdor rrugë ajrore nga Prishtina me destinacione në vende perëndimore”, ka thënë ai.
Sipas tij, do të provohet se i vetmi organ që kishte këtë të drejtë të lëshonte viza ishte ambasada, përkatësisht ambasadori, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“I cili pavarësisht pretendimeve që do të dëgjoni nga prokuroria se gjoja aplikantët për viza do të duhej të kishin me vete kontrata pune, sigurim shëndetësor, para të deponuara në llogari bankare e tjerë, ky fakt nuk është i vërtetë dhe nuk është në përputhje me rregulloren e propozuar si provë. Do të vërtetohet se qytetarët e Republikës së Kosovës janë diskriminuar e torturuar vazhdimisht, se sipas kësaj rregullore i vetmi dokumentacion i kërkuar për tu pajisur me vizë në mënyrë ligjore ose legale ishte aplikacioni, dy fotografi dhe kopja e pasaportës valide së paku tre muaj”, ka thënë ai.
Sipas avokatit Berisha, gjithçka tjetër do të provohet se ishte në diskrecion të ambasadorit që ka nënshkruar viza ose personit të autorizuar prej tij.
“Do të provohet se edhe sot e kësaj dite ky ambasador nuk e ka kontesntuar asnjëherë se ato viza janë dhënë bazuar në diskrecionin e tij dhe rregulloret respektive të kësaj fushe. Do të provohet se jo këta 77 që do të dëgjohen këtu, por as edhe ata 178 tjerë që kanë qenë në listë të aktakuzës nuk do të dëshmojnë asnjëherë se i kanë dhënë qoftë edhe një cent Ukë Rugovës apo të akuzuarve tjerë që janë këtu në sallë, për të marrë atë rekomandim që prokuroria e cilëson krim. Provat materiale siç janë përgjimet, të dhënat financiare dhe ato të siguruara me ndihmë juridike ndërkombëtare do ta provojnë të kundërtën e asaj që shkruan në këtë duq letrash, që është hartuar që nga dita e hetimit e deri në ditën e përfundimit për t’i zgjat vetes misionin, pra EULEX, e për të promovuar veten prokurori, që sapo ishte bërë prokuror, nga një bashkëpunëtor që e kisha pas në sallë përballë në një rast tjetër penal, ai arriti të bëhet prokuror në Kosovë për herë të parë dhe për këtë arsye kjo aktakuzë këtu e ka themelin”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, provat më të mira të mbrojtjes në këtë shqyrtim, do të jetë Kodi Penal, nocioni trafikim apo kontrabandim me migrantë.
“Dhe kur të përballet ky kualifikim me ato që do të dëgjohet si prokuroria e do të dëshmohet nga dëshmitarë, do të provohet se as nuk kishte kontrabandim të migrantëve në kuadër të krimit të organizuar”, ka thënë ai.
Sipas Berishës, edhe sot, edhe në fund të këtij shqyrtimi gjyqësor, do ta mbyllin fjalën hyrëse vetëm me një fjali.
“Pavarësisht interesimit të publikut, numrit të monitoruesve apo vëzhguesve apo gazetarëve të respektuar, le të vendoset drejtësi edhe nëse qielli ka mu përmbys. Në fund të këtij procesi, presim gjykata t’i lidh sytë, të gjykojë bazuar mbi provat e siguruara në një hetim të zhvilluar tërësisht në shkelje të ligjit, të mos e transferoj barrën e të provuarit nga prokuroria te të akuzuarit”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, i akuzuari Florian Petani ka deklaruar se ai po ndiqet penalisht edhe në Itali për të njëjtat vepra penale dhe të njëjtat fakte.
“Në kundërshtim me parimin dhe mbi të gjitha në kundërshtim me nenin 6 të ligjit numër 03L-033 për statusin imunitetet, privilegjet e misioneve diplomatike, i cili nen mua më jep imunitet funksional në lidhje me veprimet e mija të kryera në cilësi zyrtare në Kosovë. Për këtë gjë, Prokuroria Speciale ka qenë vazhdimisht në dijeni përfshirë këtu edhe prokuroren e nderuar dhe përkundër këtij fakti as prokuroria në Itali dhe as prokuroria në Kosovë nuk e morën mundin që të koordinohen mes tyre dhe të vijnë dakord se cili juridiksion duhet të merret me mua, në vend të kësaj, preferuan që të më godasin të dyja, edhe pse të dyja janë në dijeni për proceset paralel”, ka thënë ai.
I akuzuari Petani ka kërkuar nga trupi gjykues që në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar të vendoset a do të vazhdohet të ripërtërihet kjo padrejtësi kundër tij dhe a do të vazhdoj me dy procedurale paralele për të njëjtat fakte, apo do ndalet njëri prej gjykimeve.
“Dhe e them këtë sepse gjatë shqyrtimit paraprak, unë kam vërejtur tendencën keqpërdoruese të prokurorisë speciale që ta rëndojë këtë procedurë me ekzistencën e asaj procedure, në vend që të tregohen objektiv edhe të heqin dorë nga këto goditje të dyfishta”, ka thënë ai.
Sipas tij, aktakuza është konceptualisht e mangët, e një logjike të tmerrshme, e është faktikisht e pambështetshme dhe juridikisht e paqëndrueshme.
“Pse them është juridikisht e paqëndrueshme, prokurorja në fjalën hyrëse tha Florian Petani i akuzuari ka luajtur rolin për sigurimin e vizave në mënyrë të paligjshme. Unë e di që në këtë fazë të procedurës nuk mundem dot të ju drejtohem me këto fjalë, por a mund ta pyesni prokuroren se: Cilat veprime inkriminuese unë i kam kryer konkretisht, pra në çka ka konsistuar roli im, cilat veprime inkriminuese i kam bërë, kur, ku dhe si dhe në kundërshtim me çka?. Unë jam i sigurt nëse ja boni këtë pyetje prokurores, e cila faktikisht dhe fatkeqësisht e ka trashëguar këtë lëndë nga një prokuror special që s’ka qenë prokuror kurrë në jetën e tij, prokurorja nuk do të di të ju përgjigjet”, ka thënë ai.
Sipas tij, akoma nuk di pas 7 vitesh çfarë ka bërë, cilat veprime të kundërligjshme i ka kryer, në kundërshtim me çka.
“Vizat janë nënshkruar nga ambasadori italian dhe këtu na qenkan dhënë jashtë kanaleve normale. Kush duhet t’i nënshkruante vizat atëherë? Nëse ambasadori është personi, i cili përfaqëson presidentin e republikës në vendin e akredituar dhe është kreu i një ambasade, prandaj quhet ambasador, unë nuk e di se me sa logjike shkruhet janë dhënë jashtë kanaleve normale”, ka thënë i akuzuari.
Ndërkaq, mbrojtësja e Qefser Bahollit, avokatja Luljeta Jashari ka deklaruar se aktakuza është e pabazuar, e pambështetshme me ligj, sepse tha se nuk ka të bëjë me veprën penale krim i organizuar, pasi që nuk janë plotësuar një numër kriteresh ligjore.
“Në nenin 283 dhe 120 të Kodit Penal parashihet qartë se cilat janë kriteret për të përcaktuar një vepër penale si krim i organizuar. Ndërsa, në shkresat e lëndës dhe në aktakuzë nuk janë detajuar provat që i përmbushin këto kritere ligjore. Kur them nuk kemi të bëjmë me veprën penale “krim i organizuar” mbështetemi në faktin se vepra penale që lidhet me krimin e organizuar nuk e ka minimalen e dënimit prej 4 viteve ashtu si kërkohet në nenin 283 paragrafi 1 të KPK-së. Vepra penale për të cilën akuzohet i mbrojturi im “kontrabandë me migrantë” nga neni 170, paragrafi 1 dënohet me burgim prej 2 deri në 10 vite”, ka thënë ajo.
Sipas saj, as provat e marra nga masat e fshehta, dëshmitë e dokumenteve të konfiskuara në banesat e të pandehurve, dëshmitë nga ekzaminimi i kompjuterëve, raportet e vizave të marra nga autoritetet italiane, dëshmitë e dëshmitarëve dhe dëshmitë financiare nuk provojnë se i mbrojturi i saj ka kryer veprën penale ashtu siç akuzohet.
Avokatja Jashari ka thënë se do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të saj.
Kurse, avokati i të akuzuarit Haraqija, Korab Bokshi ka deklaruar se nëse analizohet me kujdes pika 5 e aktakuzës që ka të bëj me klientin e tij, mund të vërehet se e njëjta nuk përmban elementet thelbësore që i parasheh neni 241 i Kodit të Procedurës Penale.
“Në dispozitiv të aktakuzës janë dhënë të dhëna tërësisht gjenerale, të paspecifikuara sa i përket mënyrës së kryerjes së veprës penale për të cilën dyshohet i akuzuari, kohës së kujt eventualisht i ka shkaktuar dëm, cili ka qenë roli dhe veprimtaria e tij dhe strukturën e asaj organizate kriminale për të cilën pretendon prokuroria, e që e njëjta nuk është e bazuar në prova materiale dhe personale të bashkangjitura në aktakuzë. Konsideroj se ne si mbrojtje na pamundësohet dhënia e një mbrojtje efikase për shkak se gjatë shqyrtimit gjyqësor me saktësi nuk do të di se cilat prova dhe fakte do të na shërbejnë të provojmë apo t’i atakojmë, me qëllim të ofrimit të një mbrojtje sa më cilësore”, ka thënë ai.
Sipas avokatit Bokshi, duke analizuar dispozitën ligjore të kontrabandimit me migrantë, vërejnë se pika 1 dhe 2 e asaj norme ligjore është fakt se ka të bëj me kontrabandim me migrantë, por që në thelb kanë mënyra diametralisht të kundërta të mënyrës së kryerjes të së njëjtave.
“Konsideroj se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vëreni se në asnjë rresht të aktakuzës dhe arsyetimit të saj nuk përmendet dhe as nuk mund të vihet te dyshimi i arsyeshëm i kryerjes së veprës klasike të kontrabandimit me migrant që parashihet në paragrafin 1 të nenit 170”, ka thënë ai.
Ndërkaq, i akuzuari Haraqija deklaroi se kjo nga fillimi ka qenë lojë politike dhe se këtë e ka ditur pasi nuk është lënda e parë ndaj tij.
“Pom vjen keq që prokurorja vazhdon lojën e dikujt tjetër veç pse e ka emrin jo shqiptar, është i huaj. Vet shefi i EULEX në atë kohë, kur ma ka bo ti dhe zoti Rugova kurrë nuk keni me marr partinë dhe kam me ju qu në burg dhe deri në Hagë mrrina me shku në burg, qëndrova 5 muaj dhe atje shkalla e dytë më shpalli të pafajshëm. Kështu që këto lojna politike i kam provu, po i provoj edhe sot. Siç tha edhe avokati Berisha, rekomandime kemi dhënë të gjithë, nuk ka institucion, qoftë kryetar komune qoftë ministër që nuk jep rekomandime”, ka thënë ai.
Sipas tij, edhe pas një viti që kanë fillu hetimet, publikisht në televizion ka thënë se edhe vet ka rekomanduar dhe është normale.
“Ka qenë interes i shtetit tonë dhe unë si kryetar i qeverisjes dhe katër vite ministër në të gjitha dikasteret kam bërë rekomandime të ndryshme qoftë në ministrinë e kulturës, rinisë dhe sportit, po ashtu edhe si zëvendës ministër i financave. Unë nuk mund të fajësohem nëse dikush nuk është kthy prej rastit, naj klub i boksit a mundjes nëse so kthy najkush. Unë këtë lojë politike e kam kuptu, sot e kam shumë më të qartë se prejse ka ndërruar jetë presidenti Rugova ka filluar kjo lojë politike që me na diskreditu Ukën dhe mua, mos me na lon politikisht në skenë”, ka thënë i akuzuari Haraqija.
Ndërkaq, më pas kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, iu drejtua të akuzuarit Petani duke i thënë se sipas detyrës zyrtare do të kërkojnë informacione nga prokuroria italiane lidhur me rastin e tij.
“Njëkohësisht do të ftojmë dëshmitarë, prezenca jote është e domosdoshme. Por ne do të kërkojmë menjëherë bashkëpunimin juridik sepse ajo që thatë nuk mund të gjykohesh dy herë për të njëjtën çështje dhe do të shikojmë me prokurorinë italiane se a është çështja e njëjta dhe provat e njëjta”, ka thënë ajo.
Kurse, i akuzuari Petani deklaroi se ka keqpërdorim të sistemit prokurorial.
“Ka keqpërdorim të sistemit prokurorial se duhet të merreshin vesh. Të njëjtat prova materiale që po administrohen në Itali, të njëjtat janë propozuar në këtë gjykim”, ka thënë ai.
Lidhur me këtë çështje u deklarua edhe prokurorja Florije Shamolli.
“Vërtetë që kam komunikuar me prokurorinë italiane dhe ata më kanë kthyer një përgjigje se në Itali ekziston ligji në mungesë dhe është duke u mbajt procedura në mungesë. Nëse gaboj është bukur kohë e gjatë. Kam kërkuar zyrtarisht që unë të shkoj atje dhe ta përcjelli gjykimin në cilën fazë janë dhe çka kemi të përbashkët në provë, nuk kanë pranuar ata. Dhe kam kërkuar që kur të përfundoj gjykimi të na njoftojnë. Ra puna e COVID-it dhe kjo na pamundësoj”, ka thënë ai.
Sipas saj, ajo ka komunikimet zyrtare dhe të njëjtat mund të ia jap edhe avokatit mbrojtës të akuzuarit.
“Nuk o me rëndësi a është ligji i tyre që u mundëson gjykimin në mungesë apo jo. A është e njëjta çështja?”, deklaroi anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili.
Prokurorja Shamolli tha se është e njëjta çështje dhe ka kërkuar që nëse është në përfundim, t’i sjellët aktgjykimi. Mirëpo, i akuzuari Petani deklaroi se nuk ka përfunduar gjykimi,
Më pas, u deklarua edhe avokati Berisha lidhur me këtë diskutim.
“Vet fakti që pohohet nga prokuroria se këta janë në dijeni se ka një gjykim në vijim në atje dhe po i mundësojka dikujt mos me qenë në gjykim, por realiteti me Florianin nuk është ashtu. Këta e kanë nis, imuniteti funksional mbulon këtu, është shtetas italian atje, territori ku pretendohet se është kry vepra është italian pra ambasada, duhet të ndalet kjo procedurë”, ka thënë ai.
E gjykatësja Dermaku deklaroi se do të kërkojnë zyrtarisht informacione nga shteti italian.
“Do të kërkojmë zyrtarisht nga shteti italian nëse po zhvillohet procedurë e njëjtë e me provat penale dhe do të bëjmë marrëveshje si shtete dhe do të gjykohesh ose atje ose këtu”, ka thënë ajo.
Ndryshe, paraprakisht në fillim të seancës, avokati Berisha ka paraqitur vërejtje sa i përket evidentimit të mediave, monitoruesve, vëzhguesve, si dhe të gjithë personave tjerë të pranishëm që nuk kanë statusin e palës në procedurë në procesverbal.
Lidhur me këtë, gjykatësja Dermaku, deklaroi se ka transparencë dhe interesi i publikut është i madh dhe se nuk e kanë problem të lejojnë kamerat në sallë.
“Është e treta herë që po dëgjojmë që interesi i publikut dhe nuk është më i madh se interesi i drejtësisë. Po besoj që kjo gjykatë motivohet nga vënia e drejtësisë dhe jo interesi i publiku”, ka thënë ai.
E gjyqtarja deklaroi se nuk po prejudikon, por se nuk mund të mohojnë interesin e publikut që të jenë prezent.
“Na presim prej kësaj gjykata jo drejtësi bazuar në sa kamera i keni në sallë, por në atë që e bazon ligji e kushtetuta”, ka thënë Berisha.
“Drejtësia vendoset në bazë të shkresave të lëndës dhe provave që do të administrohet në këtë gjykatore. Të pafajshëm janë derisa me vendim të formës së prerë nuk vendoset”, i ka replikuar Dermaku.
E më pas, avokati Berisha ka kërkuar që të mos ekspozohen fytyrat e të pandehurve.
“Mund të ekspozoj fytyrën time, por asesi të akuzuarit sepse kjo nuk riparohet asnjëherë pa marrë parasysh vendimit. Lejoni të incizoj trupin gjykues, prokuroren, avokatët”, ka thënë ai.
Ai kërkoi që të urdhërohen mediat që fytyra e klientit të tij të mos ekspozohet derisa është në gjykatore, sepse është qytetar që mbrohet nga pranimi i pafajësisë dhe privatësisë.
“Për atë e konstatova prezencën e mediave, secili medium që është këtu edhe me kamera këta e din që nuk kanë të drejtë me qit në kamerë asnjërin të pandehur dhe kjo ka qenë intenca e qëllimi pse i kemi majt në procesverbal sepse çdo incizim që del me fytyrë kanë me majt përgjegjësi”, ka thënë gjykatësja Demarku.
Seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet me 31 maj, me fillim nga ora 10:00.
Kjo lëndë ka qenë duke u gjykuar nga gjykatësja Naime Krasniqi- Jashanica, mirëpo ajo ka kaluar nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departamentin e Përgjithshëm dhe lënda tanimë gjykohet nga gjykatësja Fatime Dermaku.
Në këtë rast, Ukë Rugova, Astrit Haraqija e tre të akuzuarit tjerë të lartcekur janë duke u gjykuar ndaras, pas veçimit të procedurës ndaj tyre, pasi sipas ish-gjykatëses së rastit Naime Krasniqi-Jashanica, me këtë formë gjykimi do të jetë më efikas.
Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.
Kjo lëndë, më pas ishte caktuar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, e cila nuk kishte caktuar asnjë seancë në vitin 2018, me arsyen që ky rast nuk ishte prioritet për gjykatën.
Pasi që lënda ishte transferuar te gjykatësit vendorë, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht të vitit 2016, Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.
Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.
Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.
Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.
Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëDiell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër
Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A