Policia e Kosovës ka raportuar disa raste të dhunës në familje të ndodhura gjatë ditëve të fundit në komuna të ndryshme të vendit, përfshirë Prishtinën, Deçanin, Malishevën dhe Rahovecin.

Në Prishtinë, pas një mosmarrëveshjeje familjare, një mashkull kosovar dyshohet se ka sulmuar fizikisht vëllain e tij. Viktima nuk ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari ndodhet në arrati dhe rasti është në fazën e hetimeve.


Një tjetër rast është raportuar në Deçan, ku një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj pas një mosmarrëveshjeje. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar për procedurë të rregullt.

Në Malishevë janë shënuar dy raste të ndara të dhunës në familje. Në njërin rast, një grua me nënshtetësi të huaj dyshohet se është dhunuar fizikisht dhe psikikisht nga bashkëshorti i saj pas një konflikti verbal.

Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në rastin tjetër, një mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka probleme mentale, ka demoluar gjësende në shtëpi; ai është arrestuar dhe dërguar për trajtim mjekësor nën masën e ndalimit 48-orësh.

Ndërkohë, në Rahovec është raportuar një rast i kanosjes në kuadër të dhunës në familje, ku një mashkull kosovar dyshohet se ka kërcënuar ish-bashkëshorten e tij përmes rrjeteve sociale. Policia njofton se rasti është duke u hetuar.

Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që çdo rast të dhunës në familje ta raportojnë menjëherë, duke theksuar se dhuna mbetet vepër penale dhe trajtohet me prioritet nga institucionet e rendit. /Telegrafi/