Raporti i Riinvest: Përfshirje e ulët e grave në tregun e punës

Shkalla e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës është rreth 25 për qind në Kosovë, prandaj kërkohet veprim i menjëhershëm e i bashkërenduar nga institucionet, sektori privat dhe vetë individët.
Kështu u tha në diskutimin e organizuar sot nga Instituti Riinvest me temën “Zhbllokimi i potencialit: Kostoja ekonomike e potencialit të pashfrytëzuar të grave”.
Në prezantimin e një raporti u tha se ndër pengesat kryesore që ndikojnë në moskyçjen e grave në tregun e punës janë normat gjinore dhe stereotipet, përgjegjësitë e kujdesit, mangësitë gjinore të legjislacionit të punës dhe pjesëmarrja e ulët e grave në pozita vendimmarrëse.
Drejtori ekzekutiv në Institutin Riinvest, Alban Hashani tha se hendeqet gjinore në pjesëmarrje dhe punësim në tregun e punës përbëjnë një nga sfidat më të mëdha strukturore në vendin tonë.
Ndërkaq, koordinatori i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, Stephen O’Malley tha se gratë shkëlqejnë në arsimin e lartë dhe në fusha të tjera të jetës, por megjithatë siç potencoi ai, vetëm një në katër prej tyre merr pjesë në tregun e punës, që shënon shkallën më e ulët në Evropë.
Lidhur me raportin e Riinvest, O’Malley tha se tregon shumë qartë se si përjashtimi strukturor po e mban pas tërë ekonominë.
Siç potencoi koordinatori i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, Stephen O’Malley, duhet zhvilluar veprime të përbashkëta nëpërmjet politikave dhe normave shoqërore, praktikave të biznesit, për t’i sjellë të rinjtë dhe gratë plotësisht në fuqinë punëtore.
Shefja e Zyrës së Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsi (UNFPA), Visare Mujku, tha se shkalla aktuale e pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore në Kosovë është vetëm 25 për qind. Ajo theksoi se kjo statistikë duhet trajtuar me urgjencë dhe se kërkon veprime të menjëhershme e të bashkërenduara nga institucionet, sektori privat dhe vetë individët.
Mujku shtoi se ndër pengesat kryesore për këtë nivel kaq të ulët të përfshirjes së grave në tregun e punës janë faktorët socialë, kulturorë dhe strukturorë.
Prezantimin e dokumentit e bëri hulumtuesja në Institutin Riinvest, Erisa Kallaba Krasniqi me ç’rast potencoi se Kosova e zë vendin e parë në Evropë dhe atë të pestë në botë sa i përket pjesëmarrjes së ulët të grave në tregun e punës.
Kallaba Krasniqi tha se barrierat kryesore që ndikojnë përfshirjen e grave në tregun e punës janë normat gjinore dhe stereotipet, përgjegjësitë e kujdesit, mangësitë gjinore të legjislacionit të punës, pjesëmarrja e ulët e grave në pozita vendimmarrëse dhe mospërputhja e aftësive dhe zgjedhjet e arsimit. /KosovaPress/


















































