Ramë Lahajt i përmirësohet gjendja shëndetësore, nis përgatitjet për koncertin në Prishtinë

Tenori shqiptar me famë botërore, Ramë Lahaj, këtë enjte më datë 1 gusht ka paraparë mbajtjen e një koncerti solistik në Prishtinë.
Koncerti do të mbahet në sheshin "Shkënderbeu", gjersa së fundmi Ramë Lahaj bëri të ditur se gjendja e tij shëndetësore nuk ishte e mirë.
Në një fotografi të publikuar në rrjetin social Instagram, tenori tregoi se ishte i prekur nga një infeksion akut në fyt, duke shpresuar se do të rikuperohet shumë shpejt për të qenë në formë të mirë për koncertin e tij.
Mesa duket, gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar dhe këngëtari ka nisur përgatitjet për koncertin.
Telegrafi ka kapur sot në një fotografi tenorin, teksa po ecte drejt vendit ku do të mbahet koncerti, për të kryer përgatitjet.

Tenori nga Istogu duket në formë më të mirë, ndërsa deri të enjten pritet të jetë i gatshëm të shfaqet para publiku shqiptar. /Telegrafi/






























































